TKOB, nis sezoni në sheshin “Skënderbej”, Margariti kërkon që të testohen hapësirat

Sep 17, 2019 | 21:18
SHPËRNDAJE

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit zgjedh ta çelë këtë sezon më pranë shtëpisë së re, gati të rikonstruktuar (ende vijon puna në sallën e madhe) dhe njëherazi më pranë publikut.

Sheshi Skëndërbej do të mirëpresë artistët e Operës, por edhe të tjerë emra të spikatur në datat 20 dhe 21 shtator, për të krijuar një atmosferë më familjare.

71145448_1348290388657478_7749266495531646976_n

Lajmin e bëri me dije dje drejtorja e këtij institucioni, Zana Çela, duke shpjeguar prej ambienteve të TKOB, edhe pse zgjodhën “Opera Opening Countdown” për të nisur këtë sezon impenjativ, që pritet të jetë i ngarkuar edhe për shkak të testimit që do t’u bëhet ndërhyrjeve të nisura që prej 2017-ës. “E bëmë një zgjedhje të tillë edhe për të treguar se baleti na përket të gjithëve, jo vetëm një shtrese të caktuar të shoqërisë.

Njëherazi, është një mënyrë për të festuar krahas fillimit të sezonit edhe faktin se do të jemi në një godinë të rikonstruktuar”, u shpreh Çela. Gjatë natës së parë (20 shtator), TKOB u jep hapësirë pjesëve të njohura solistike, orkestrale dhe koralet e famshme nga operat dhe baletet si: Arrëthyesi”, “La Traviata”, “Die Fledermaus”, “Il Trovatore” dhe “Carmen”. Këto vepra, siç edhe Çela theksoi, kanë përbërë produksionet dhe premierat kryesore gjatë këtyre dy viteve të fundit. Ndërsa mbrëmja e dytë (në 21 shtator)do të jetë “OperaFolk”, ku do të përfshihen krahas repertorit klasik, edhe këngë nga muzika e traditës së lehtë dhe asaj botërore.

70089331_1348290415324142_8640043013369757696_n

MARGARITI: ËSHTË NJË PUNË KOLOSALE, DO TË SHFAQEN EDHE PROBLEMATIKA

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme dje në konferencën për shtyp, theksoi gjatë fjalës së saj këmbënguljen e treguar, që muaji i shtatorit të ishte vendimtar për shpërnguljen e artistëve brenda shtëpisë së tyre operistike. “E gjitha kjo, sepse besoj në faktin se ata e kanë të nevojshme që të fillojnë dhe t’i testojnë këto hapësira”, u shpreh Margariti.

Ministrja e konsideroi Operën e rikonstruktuar si një sfidë të madhe për qeverinë e që ndoshta nuk do të kalojë pa evidentime të problematikave të mundshme. “Nuk është ndërmarrë ndonjëherë një ristrukturim kaq i thellë i kësaj godine dhe me siguri do të ketë problematika që do të shfaqen në vijim, por kjo nuk ka asgjë negative në vetvete. Unë do doja edhe prej jush që këto mos të trajtohen si kritika të vazhdueshme. Është një punë kolosale dhe me siguri që do të ketë edhe disa hendeqe të vogla, që duhen kapërcyer. Ne jemi këtu për t’i kaluar së bashku”, tha Margariti, duke theksuar se muajt e fundit janë bërë disa rishikime, veçanërisht për sa i përket pjesës së akustike. Sipas Margaritit, problemet që mund të shfaqen gjatë periudhës së kolaudimit janë normale për një kantier që ndryshon totalisht.

Probleme, të cilat siç ajo premton, do t’u nënshtrohen rregullimeve të mëtejshme. Pas konferencës, ministrja e Kulturës e shoqëruar nga Çela inspektoi nga afër punimet. Deri më tani, ambientet e përfunduara janë ato të sallës së orkestrës, korit, palestrës, Ansamblit e balerinëve. Po ashtu, janë rikonstruktuar edhe sallat e shtuara për performancat e ndryshme artistike dhe studiot ku këngëtarët do të zhvillojnë provat.

Ministrja e Kulturës theksoi se po bëhen përpjekje që aktivitet të nisin edhe me ambientet që janë gati, që artistët të kthehen më herët në hapësirat e tyre. Ndërkohë, salla e madhe është ende në proces pune. Për rikonstruksionin e TKOB janë dashur 1.2 miliardë lekë, nga të cilat 350 milionë lekë janë përdorur nga granti grek, ndërsa 861 milionë lekë nga buxheti i shtetit (ndarë në 3 vite: 2017-17 milionë, 2018-394 milionë dhe 2019-450 milionë lekë).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura