Tivari dhe Mini-Shengeni që na ndajnë

Nov 24, 2019 | 10:12
SHPËRNDAJE

URTAK HAMITI

urtaku

Ishte dimri i vitit 1945. Kolonave me mijëra të kosovarëve i marshonin nga Prizreni nëpër Zhur, Pukë, Shkodër, për në Tivar të Jugosllavisë.

Ata ishin mbledhur me zor dhe ishin detyruar, nën kërcënim të vdekjes, të merrnin marshin që do t’i dërgonte në vdekje. Kanë qenë këmbëzbathur një pjesë, të lodhur e të paushqyer. Të përcjellë dhe ruajtur nga forcat komuniste jugosllave dhe ato komuniste shqiptare.

Dëshmitë e të përjetuarve në numër të vogël kanë treguar për mizoritë që i kanë përjetuar gjatë gjithë kohës. Numri i të vrarëve është mbi 4000 djem e burra kosovarë. Aq familje kanë vuajtur që nga atëherë.

Kurrë Jugosllavia e as Shqipëria komuniste nuk ka kërkuar as pikën më të vogël të përuljes dhe faljes për krimin që bashkërisht e kanë kryer. Kjo nuk ka ndodhur as pas zbulimit të vendit të masakrës, në vitin 1996, nga historiani dhe veprimtari Zekeria Cana. Për këtë veprim, dhe shumë të tjera të tilla të dhunshme, kosovarët nuk e duan as nocionin e Jugosllavisë e lërë më të asociohen me atë krijesë shtypëse të shqiptarëve.

Enver Hoxha dhe fallangistët e tij e kanë pas ëndërr të bëhen pjesë e Jugosllavisë, por pas prishjeve të raporteve Tito-Stalin mbetën jashtë idesë. Ajo se çka i kanë bërë ata Shqipërisë më vonë, është e shkruar dhe dihet botërisht. Izolim, poshtërim, shkatërrim, varfërim, që krahasohet vetëm me Korenë e Veriut sot. Tash së fundmi, elitat politike të Tiranës, në krye me Kryeministrin Edi Rama, kanë marrë stafetën për të krijuar një zonë mini-Shengen me Serbinë dhe Maqedoninë.

Me refuzimin unanim të kësaj ideje, që në esencë i përngjan Jugosllavisë së dikurshme, elitat politike kosovare kanë treguar se janë syçelë dhe mjaft të vetëdijshme çfarë dëmi do t’i shkaktonte Kosovës hyrja në këto eksperimente retrograde të nxituara nga Sorosi dhe ekipi i tij.

Për rikujtim, Kosova ka luftuar me Serbinë aktivisht në periudhën 1997-1999 dhe me Maqedoninë, përmes vullnetarëve kosovarë, në vitin 2001. Qëllimi ka qenë mbrojtja e popullatës shqiptare dhe e territorit të banuar me shqiptarë. Dhe me sukses, djemtë e Kosovës e kanë kryer këtë detyrë.

Për neve në Prishtinë është fyese fotografia e Kryeministrit Edi Rama me Aleksandar Vuçiçin e Zoran Zaevin. Po ashtu, është edhe një fakt pse bashkimi kombëtar me këtë elitë udhëheqëse në Tiranë është i panevojshëm, nëse jo edhe i dëmshëm. Kosova kurrë nuk duhet të aspirojë të përzihet në politikat e brendshme dhe interesat strategjike të Shqipërisë, por edhe në asnjë mënyrë nuk guxon të lejojë deformimin e zhvillimit të saj për shkak të atyre politikave.

Një lider politik i Kosovës së fundi i ka përdorur dy figura “Shqipëria duhet ta shikojë Serbinë me sytë e Kosovës, ndërsa Serbia të mos e shikojë më Kosovën me dylbi ushtarake”. Neokomunistët e Shqipërisë, që kanë nostalgji të bëjnë aleanca pro jugosllave me serbët dhe maqedonasit është mirë të marrin edhe një fakt në llogaritë e tyre.

Ne djemtë e Kosovës dhe plot të Maqedonisë këto ide as që i llogarisim si opsion trajtimi. Po, jemi ekstremistë, edhe shyqyr që jemi të tillë. Sepse ne me serbët e me maqedonasit jemi përgjakur disa herë deri më sot. Edhe Tivarin nuk ua harrojmë kurrë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura