“Tirona e Nonës”, Gjekmarkaj për librin e Fevziut: Më i mirë se ‘Enver Hoxha’ e ‘Ahmet Zogu’, një rrëfim për Shqipërinë nga Monarkia në Komunizëm, kush ishte Iljaz Toptani që u martua me aktoren e famshme

Oct 26, 2020 | 15:31
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ/ Të gjitha provat në raport me të kaluarën kanë çuar në përfundimin se ajo mund të rishpiket vetëm nëpërmjet rrëfimit, si i vetmi laborator i pranueshëm. Brezat para nesh dhe ne një ditë do të jemi subjekte të dikujt që na ka bërë pjesë të një tregimi. Prej shekujsh jemi krijime të Homerit, të Dantes, Shekspirit, Servantesit, Xhojsit, Pirandelos, Eqerem bej Vlorës, Kadaresë, At Zef Pllumit, kujtimeve të tyre të transformuara në letërsi e kështu me radhë.

pjimage (1)

Ato na lejojnë të ndërtojmë raportet antropologjike, shpirtërore e mendore mes kohëve si një shtyllë kurrizore etike e morale e jetës. Na ndihmojnë të bëjmë pyetjen kush ishim, kush jemi e indicien se çfarë do të jemi, të shkurtojmë distancat shpesh të paarritshme mes këtyre dilemave. Shkrimtari spanjoll Francisco Ayala thoshte se “jeta është një shpikje” dhe “letërsia kujtesë e perfeksionuar”.

Më erdhën këto maksima e perceptime teksa rimora në dorë librin “Tirona e Nonës” të Blendi Fevziut, botim i UETPress, krejt rastësisht nga biblioteka, ndonëse e kisha lexuar ende të pabotuar një vit më parë prej dashamirësisë së autorit për të marrë një mendim nga unë. Ngjarjet brenda të cilave ende jetojmë, si pandemia e koranavirusit, tërmeti para tij, ma futën në sirtar entuziazmin që më pat shkaktuar ky libër e bashkë me të dëshirën për të thënë të timen për këtë sagë autobiografike.

Blendi Fevziu ka shkruar shumë libra, të cilët kanë pasur shumë vëmendje e publicitet, por jo të gjithë me të njëjtën dobi publike apo cilësi estetike. “Enver Hoxha” apo “Ahmet Zogu”, dy më të bujshmit për dy figura historike, janë shitur në mijëra kopje, duke krijuar një fenomen sociologjik, tekste që mund të lëvdohen, kritikohen, ballafaqohen me opinione historianesh, dokumente arkivash, me klimë ideologjike, një proces ky i pashmangshëm si pjesë e historisë së përbashkët, për të cilën zihemi sa herë kemi rast.

Ndërsa te “Tirona e Nonës”, Blendi Fevziu llogarinë e ka vetëm me ndërgjegjen e tij, me atë sinqeritet nga ku merr guximin që librin t’ua dedikojë vajzave të veta, për të shkruar kronologjinë e kujtimeve, jo për të rrëfyer vetveten, por të tjerët, njerëzit e tij më të dashur. Sapo u fshin pluhurin e kohës, i gjen si personazhe me thagmë në dialektikën kombëtare apo në individë sharmantë në ujdhesat e kozmopolitizmit botëror, të Shqipërisë së djeshme, të një botë që nuk është më e përvijuar dhe e konsoliduar gjatë rënies së perandorisë osmane, të mënjanuar disi, por ende me shkëlqim gjatë Mbretërisë së Zogut, të goditur e të rënë nga vakti gjatë komunizmit të Enverit kur të gjithë ishin “shokë” e “shoqe”, të turbullt në kërkim të një identiteti të ri në demokraci përmes një Daje Aliu që besonte se do të merrte pronat në Stamboll e me to do bënte “rehat” të gjithë, por gjithçka përfundon në mënyre groteske pasi kursi i lirës turke ndër vite e kishte transformuar mallin e gjënë në pak dollarë amerikanë e bashkë me të në hi e pluhur pritjen e gjatë…

Ky është libri më i mirë i Blendi Fevziut, i bukur në vetvete edhe nëse e ndan nga shkruesi, sepse duke skalitur monumentin e Nigjar Toptanit-Fevziut të asaj gruaje që e thërret “Nona”, të stërgjyshes së tij, shohim një fëmijë, i cili kujtimet reale i risjell, duke shpënë kujtesën kolektive e individuale drejt një provokimi, drejt një iluzioni, që, sipas meje, është letërsi për t’iu kthyer gjithsecili pjesës intime. Një monument për të gjitha gratë me fat e sjelljete njëjtë, për “oxhakërinë” tymi i së cilës nuk do të shihej më për dekada.

Këto gra, dhe jo vetëm, e kishin kaluar një pjesë të rinisë së tyre në Vjenë për shkollim, në Romë e Venecia për qejf e kuriozitet. Ato mbartnin brenda vetes qytetet europiane që i mbyllën brenda avllive e njëkohësisht Tiranën e izoluar e mbërthenin në vjegat e botës përmes kujtimesh e më shumë nëpërmjet shpresës së lirisë që ëndërronin, asaj ene komunikuese që i kthen qytetet në segmente të eksperiencës njerëzore.

Epike kjo grua, “Nona”, vajzë e Refik Toptanit, njëri nga shtetbërësit tanë, e martuar me Bajram Fevziun, gjithashtu një nga protagonistët e ushtrisë kombëtare në shtetin e ri, e cila nuk e negocion kurrë statusin e saj dhe në pamundësi që ai t’i njihet nga konteksti shoqëror vetizolohet bashkë me orenditë e një kohe “reaksionare” në Tiranën që ndryshon sërën, ngjyrat, përbërjen, gjuhën, festat, urbanistiken, “vijën, gege-toske apo malokë”, vetë marrëdhëniet njerëzore.

Lirike, e pazakontë, aventureske është Lisi, e bija, gjyshja e autorit, e cila, duke thyer çdo tabu, por edhe frikën e një kohe të fermentuar nga frika, duke ndjekur pasionet e saj të zemrës e mendjes, arratiset dhe përfundon në Nju Jork, aq sa kur kthehet në Tiranën e viteve ’90, mes saj, fisit, qytetit e vendit ngjan të kenë mbetur pak, shumë pak lidhje, aq pak sa ç’i kishin mbetur vetë Shqipërisë me qytetërimin perëndimor. Bijë e epokës me dy realitete, një brenda mureve e një tjetër jashtë tyre, me nenën prezente vetëm në fotografi dhe me gjyshen (Nonën) që bëhet nënë në të gjitha kuptimet, me një vetëdije të brendshme që i rri ngushtë korniza e jashtme shfaqet Rezana, e bija e Ali Ypit (burrit të braktisur nga Lisi), nënë e vërtetë e Blendi Fevziut, e cila me gjasë ia ka besuar “Nonës” edhe edukimin e të birit.

Nuk mund të kuptohet as koha e jetuar e as ajo e rrëfyer, as vetë kujtimet pa dialogët e “Nonës”, që zien kafenë turke mbi sobën e vjetër gjermane te vila pranë Shkollës së Kuqe me “Bibijen” (Sybije Zavalani Shkreli) dhe “Teta Metin” (Ganimet Toptanin), kushërira gjaku e martesash.

Bisedat e tyre janë copëza historie, orvatjesh e mentalitetesh, udhëkryqesh e mendësish shqiptare mes Lindjes e Perëndimit, mes monarkisë dhe komunizmit, mes varfërisë e pasurisë, mes vilës e pallatit, mes pasurisë e varfërisë, fjalës e kafshimit të gjuhës. E madhe është galeria e personazheve brenda e jashtë fisit. Nuk mungojnë lotët e humori, jeta e përditshme me peripeci e kufizime dhe në e mesin tyre një fëmijë që rritet dhe ecën kah mosha, duke krijuar një hendek të papajtueshëm mes ndjesive dhe kulturës që i mëson “nona” e kulturës së masës që merr në ambientin social të socializmit duke mbajtur nën sqetull dy Tirana, dy Shqipëri, dy botë që nuk e pranojnë njëra-tjetrën, ndonëse të mbivendosura, në fakt e përbuzin.

Nuk mund t’i shpëtonte këtij ritregimi recensional Iliaz Toptani, personazhi më i dashur për mua si lexues, ai prototip shqiptari që mund të ishte edhe bej për trashëgimi, edhe kont për zgjedhje, aventurier e mondan, tiranas e kozmopolit. Ai vinte papritmas në qytetin e vogël të shpallur kryeqytet, që i rrinte ngushtë si një palë këpuce me numër më të vogël për t’u zhdukur gjatë, sa në Argjentinë e Spanjë, Paris e Nju Jork, një Uliks modern, i cili për jetë ka udhëtimin e në të joshjen ndaj grave të bukura ku u martua edhe me aktoren e famshme, Tilda Thamar, e me katër të tjera, hipizmin e kalërimin, për të cilat shkroi një libër jo me pak famë.

Kështjellën në Spanjë pas vdekjes ia la testament bashkisë së qytetit dhe marazin që lë zhgënjimi Toptanasve, të cilët një ditë të bukur mbush me besë e shpresë, shkuan për të marrë pronat e pinjollit në Spanjën e largët, të cilët, kur mësuan aktin, harruan të kalonin nga varri për një tufe me lule. Edhe ky subjekt shqiptar i vetëkuptueshëm.

Në një roman të Orhan Pamukut, “Libri i zi”, një personazh humbet kujtesën e bashkë me të edhe të kaluarën. Kështu ngjan Tirana pas shumë dekadash, familjet e saj të mëdha e të vogla, njerëzit e saj, qytetarët e vjetër e të rinj, fëmijët që u bënë burra e etër. Fevziu me këtë libër përvijohet komod, sepse ngjarjeve publike u rijep një karakter individual, relativ, intim, kur tendenca është për të ikur nga këso përjetimesh. Qytetit të transformuar në kapanon i vë përballë identitetin. Kushërinjve që nuk flasin më të përfshirë në gjyqe pronash apo që i shembin për të ndërtuar binarë, u vë zotnillëkun e estetikën e viteve ’30. Fundi të çon drejt postulatit rilindës të ngushtuar në një territor më lokal “Tirona ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?”.

Blendi Fevziu mbush një gotë, prej së cilës uji kishte avulluar, pikërisht gotën, e cila është historia, me eksperiencën e tij humane, duke na ofruar kuptimin e fatit të veçantë, të vuajtjes së veçantë, të fitoreve apo humbjeve të veçanta, të ritakimeve të veçanta, të individit të veçantë, të “Nonës” së veçantë dhe Tiranës së saj. Ne lexuesit nuk i gjykojmë dot kujtimet e tij në vërtetësinë e tyre absolute, por shijojmë me vërtetësi humanizmin absolut në të rrëfyer, kombinimin e personazheve dhe ngjarjeve në një subjekt integral, perfeksionin e kujtimeve personale të shndërruara në letërsi ku përmes “Tironës së Nonës” na ofron romanin e Tiranës së dikurshme të atij qyteti që i ngjan Pompeit, ky jo i shkatërruar nga llava e një vullkani, por nga llava e njeriut të ri, nga pasardhësit e tij në të gjitha kuptimet e fjalës. Fevziu e ka rindërtuar qytetin, atë brenda Avllive, dhe qytetin e botës me ndihmën e “arkitektes-Nonës”, Nigjar Toptanit-Fevziut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura