Tiroidja, kur jemi të sëmurë prej saj dhe si mund ta trajtojmë

Dec 8, 2014 | 15:14
SHPËRNDAJE

Çfarë është tiroidja dhe sëmundjet e lidhura me të? A mund të bëhet tiroidja shkak për probleme me shikimin, djersitjen e përhershme në trup, lodhjen fizike, dobësinë muskulore e shpërqendrim të vëmendjes?
 
Tiroidja është një ndër organet e trupit të njeriut, që ka formën e mburojës ose të fluturës. Në greqishten e vjetër, fjala tiroide do të thotë mburojë e zgjatur. Ajo është një gjëndër me sekrecion të brendshëm, nga më të mëdhatë në organizëm, e cila produktin që përpunon e hedh drejtpërdrejt në gjak. Tiroidja vendoset në pjesën e përparme të qafës, prandaj populli e quan “gushë”. Peshon 30-40 gr dhe është e përbërë nga dy pjesë, e majta dhe e djathta, të cilat quhen lobet e tiroides. Këto lobe lidhen me njëri-tjetrin nëpërmjet një shiriti prej vetë indit të tiroides.

Kur tiroidja nuk funksionon normalisht dhe kur ajo fillon të japë shqetësime?
Që gjëndra tiroide të funksionojë normalisht i nevojiten sasi ditore të jodit natyror nga 50-200 mikrogramë. Në qoftë se nëpërmjet qarkullimit të gjakut, tiroides i vjen më pak se 50 mikrogramë jod, nevojat e organizmit me hormone të tiroides nuk do të plotësohen ashtu siç duhet. Në të tilla kushte, gjëndra tiroide do të punojë më e sforcuar.
Çfarë ndodh me tiroiden kur fillon të japë shqetësime tek individi?
Shtimi i funksionimit të gjëndrës tiroide pasohet edhe nga shtimi i madhësisë së qelizës së tiroides. Në këtë mënyrë, sforcimi i tiroides çon në nxitjen e madhësisë së kësaj gjëndre, pra shfaqet e ashtuquajtura gushë.
Cilat janë efektet anësore që tiroidja shkakton kur është jashtë funksionit normal?
Një nga çrregullimet kryesore të gjëndrës tiroide është hipertireoza. Ajo ndodh nga rritja e nivelit të hormonit të tiroides në gjak. Te kjo lloj sëmundjeje, një shenjë dalluese është këputja trupore. Kjo këputje është e përgjithshme, por më e theksuar është te muskujt e brezit, të supit dhe të kofshëve. Sëmundja shoqërohet edhe me disa shenja të tjera, si: turbullime emocionale dhe nervore, të sëmurët ankohen për një gjendje frike, trembje dhe ankthi. Shtimi i rrahjeve të zemrës shkon nga 140-160 në një minutë. Të sëmurët kanë marrje fryme, pakësim të peshës trupore, heqje barku dhe mosdurim të të nxehtit. Lëkura e tyre është e ngrohtë dhe e lagët, sidomos në duar. Ata kanë kruajtje të lëkurës, veçanërisht gjatë natës. Lëkura e këtyre të sëmurëve skuqet vende-vende dhe të krijon përshtypjen e ndonjë reaksioni nga ushqimet ose bëhet vende-vende më e ngjyrosur. Kemi të bëjmë me shtim pigmenti. Nga ana tjetër flokët e tyre këputen lehtë, janë të butë dhe nuk mbajnë permanent. Këta të sëmurë shprehin një pamje të trembur përmes syve të tyre, si të ishin gjithnjë të përqendruar, me sy lehtësisht të zmadhuar, që shkëlqejnë më shumë se zakonisht. Ata kanë edhe lotim të shtuar.
Një tjetër çrregullim është edhe prodhimi i ulët i tiroides…
Çrregullimi i dytë është hipotireoza ose miksedema. Kjo sëmundje shkaktohet nga ulja e theksuar ose mosprodhimi i hormonit të tiroides. Disa nga shenjat e kësaj sëmundjeje te pacientët që vuajnë prej saj janë: ndjeshmëria ndaj të ftohtit, lëkura e trupit të tyre është gjithnjë e ftohtë, e ashpër, pa djersë, me një ngjyrë të zbehtë në të verdhë dhe shpeshherë bëhet si me luspa të bardha. E folura e këtyre individëve bëhet e ngadaltë, ndërsa fytyra bëhet pa shprehje, pa mimikë, me buhavitje të kapakut të syrit dhe të buzëve. Flokët bien me lehtësi dhe janë flokë të thatë, të ashpër. Kanë rrahje të ngadalta të zemrës, që nuk i kalojnë 65 në minutë dhe kanë temperaturë të ulët 35.5 – 37 gradë C. Fëmijët që lindin me një sëmundje të tillë, janë të buhavitur në të gjithë trupin, të përgjumur. Gjirin e nënës e kapin me përtesë dhe barku i tyre është i madh, i fryrë dhe shoqërohet me daljen e dhjamit në kërthizë, kurse dhëmbët dalin me vonesë. Ata ngrihen në këmbë me vonesë në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre dhe kanë prapambetje në zhvillimin mendor.
A është e shërueshme sëmundja e tiroides?
Disa gradë të sëmundjes shërohen. Disa kurohen vazhdimisht, ndërsa disa të tjera i nënshtrohen operacionit dhe pas kësaj kanë nevojë për mjekim. Mjekime dhe procedura kërkohen për të rritur ose reduktuar nivelin e hormoneve të tiroides në qarkullim. Pacientëve hipotiroidë u jepen ilaçe në formën e tabletave T4, për të kthyer sasinë e hormoneve të tiroides në trup, në normalitet. Pacientëve hipertiroidë u jepen ilaçe anti-tiroide për të reduktuar sasinë e hormoneve të tiroides, të prodhuara nga gjëndrat e tiroides.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura