Tirja, shoqëria shqiptare dhe degradimi socialokulturor

Jan 15, 2021 | 10:00
SHPËRNDAJE

ENRIKETA PAPA

enriketa papa

Ndodhia e korrupsionit të pastër që na u përshfaq në ekranin e TV, ku një sanitare mashtroi pa skrupuj familjarët e një zonje të shtruar te spitali Covid-2, është e disata kambanë që dëgjojmë për degradimin e sistemit mjekësor, por dhe atë shtetëror. Më therëse dhimbjen e familjarëve, dhe mbase shkaku i kurajës së denoncimit të sanitares, ishte dhe fati tragjik i zonjës së sëmurë, e cila ndërroi jetë në spital, duke na lënë hapur imagjinatën e hamendësive në ndërroi jetë nga Covid-19 apo nga moskujdesja dhe dehumanizimi i stafit mjekësor, hamendësime këto të nxitura edhe nga ç’pamë e dëgjuam në emisionin “Stop” të TV Klan.

Por çfarë kuptuam nga ai denoncim?

Mënyra sesi po menaxhohet situata e koronavirusit në Shqipëri është shqetësuese. Të sëmurët kanë frikë të shtrohen në spitale dhe zgjedhin të kurohen në shtëpi, kjo pasi kanë frikë se “në spital të lënë të vdesësh”, “po hyre, nuk del gjallë”, “te Shefqet Ndroqi pacientët vrasin veten”…

Sado që mjekë, administratorë publikë dhe ministra e KM bëjnë thirrje për t’u shtruar në spital e për të mos u kuruar në shtëpi, situata është më se tragjike. Njerëzit nuk kanë besim te sistemi shëndetësor e si rrjedhim as te sistemi shtetëror i menaxhimit të koronavirusit. Reagimi shtetëror pas denoncimit të Tires në TV, ishte pushimi nga puna dhe me kaq Ministria e Shëndetësisë i lau duart si Pont Pilati. Sarkazma vazhdoi me përgëzimin të stafit të emisionit “Stop” për rastin në fjalë dhe e inkurajoi në punën e tij denoncuese që mbështetet nga kjo ministri.

Mesazhet e zonjës paciente të ndjerë se, e “kanë lënë pa ujë”, “lënë pa oksigjen”“nuk vjen njeri në dhomë”, nuk i bën përshtypje ministres, drejtorisë së spitalit apo shefit/shefes së pavijonit o doktorit/doktoreshës së turnit? Asnjë marrje përgjegjësie o dorëheqje të ministres, drejtorit, pezullim nga puna të stafit mjekësor – ndihmës mjekësor në pavijonin ku ishte shtruar zonja nuk pamë e as nuk dëgjuam.

Rasti i Tires është alarmant për të dëshmuar ku ka arritur degradimi moral, etik. Ai është simbol i dehumanizimit, ku jeta e njeriut kthehet në plaçkë grabitjeje për t’u nginjur me paratë e hallexhinjve që virusi i ka kthyer në të pafuqishëm dhe robër të makutërisë korruptive në sistemin shëndetësor. Sistemi i menaxhimit të koronavirusit ka dështuar totalisht, kur pacientët lihen vetëm, pa asnjë mjet komunikimi, bien pre e matrapazëvë dhe hajdutëve të shëndetësisë, izolohen pa asnjë mjet komunikimi me familjarët, të cilët nuk dinë se në dorë të kujt i dorëzojnë të dashurit e tyre të sëmurë. Pacientëve u ndodhin trauma psikike, të cilat i shpien në depresion e deri në vetëvrasje, duke u hedhur nga ballkonet e Sanatoriumit dhe Infektivit. Të sëmurëve u jepen receta dhe u përshkruhen privatisht me “Whatsapp” diagnoza dhe kur shteti rimburson 16 mijë deri në 160 mijë lekë të vjetër një kurim, që shkon mbi 1500-2500 euro për person.

A ka më dehumanizim dhe degradim se kaq? Si mundet që një e sëmurë, zonjë 55- vjeçare, të torturohet se, “Tirja s’ka ngrenë sanduiç”? Si mundet që jeta njerëzore të kthehet në biznes në këtë vend? Kush mban përgjegjësi për atë që ndodhi? Tirja sanitarja, seksere e pazareve të Sanatoriumit, apo ministrja dhe drejtorët në ministri dhe spitale që keqmenaxhojnë trajtimin e të sëmurëve dhe lënë pacientët dhe familjarët e tyre të bien pre e grabitqarëve të jetëve njerëzore?

E gjitha kjo ndodhi e ripërsëritur pasqyron traumën psikologjike dhe morale, e shfaqur përditë përmes degradimit dhe poshtërimit shoqëror në Shqipëri. Kjo traumë përmes këtij procesi degradues rrezikon të na shndërrojë si shoqëri, duke na lënë pasoja sociale dhe kulturore dhe rrënjosur dehumanizimin dhe indiferentizmin si karakteristika kulturore te ne. Efektet e tolerimit të korrupsionit dhe mungesës së moralit dhe etikës në shkallë të gjerë në shoqërinë tonë, do të na shndërrojnë episodet traumatike si rasti i “Tires” në modele kulturore për të ardhmen, e cila do të karakterizohet nga empatia kolektive për vuajtjen njerëzore. Prandaj, të tilla episode nuk duhen toleruar, nuk duhen mënjanuar, duke u ndalur vetëm te sipërfaqësorja, tek individi sekser a korruptiv. Përkundrazi, duhet goditur struktura e korrupsionit, sistemi korruptiv nga koka, nga piramida, për ta zhbërë deri te bishti, fundi. Duhet të goditet zinxhiri korruptiv, struktura e korrupsionit. Eksperienca traumatike e zonjës së ndjerë, të lënë në mëshirën e vuajtjes, grabitjes korruptive, duhet të kthehen në simbole të përpjekjes për të nisur një proces të ri, goditës dhe ri konfigurues të së shkuarës me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të paqtë, ku morali dhe humanizmi duhet të sundojnë mbi vesin dhe të keqen.

Ndryshe, shoqëria shqiptare rrezikon të shndërrojë modelet e saj kulturore, përmes ndryshimit të një procesi shndërrues kulturoro-social, që Margaret Archer, në analizën e saj analitike dualiste të fenomeneve dhe strukturës sociale, e konsideron si “morfogjenezë”, kur shndërrimet shfaqen duke kushtëzuar ndërveprimin social.

Ndaj, shoqëria shqiptare, duke pranuar këto modele “vesesh”, korrupsionin, të keqen, pandëshkueshmërinë, mund të shndërrohet dhe të humbë identitetin socio-kulturor. Shoqëria shqiptare, si pasojë e efekteve negative dhe dezintegruese të korrupsionit dhe humbjes së moralit, rrezikon të humbë kohezionin, solidaritetin social, koherencën sociale. Polarizimi social tashmë i dukshëm i saj, pasojë dhe e efekteve të tranzicionit politik dhe ekonomik, por dhe e tolerimit dhe pandëshkueshmërisë, do ta precipitojë shoqërinë tonë në një çorientim socio-kulturor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura