Tiranë/ Shtirej sikur kishte njohje me kriminelë dhe kërcënoi dy persona në këmbim të parave, arrestohet 34-vjeçari (Emri)

Sep 21, 2021 | 17:32
SHPËRNDAJE

Një 34-vjeçar u arrestua nga Policia e Tiranës pasi ka kërcënuar dy persona në këmbim të parave.

Në prang aka rënë i riu Mark Nikolli i cili banonte me qira në kryeqytet.

Sipas policisë, ai shtirej sikur kishte lidhje me kriminelë dhe ka kërcënuar dy shtetas në këmbim të parave.

Më konkretisht, më 1 shtator ka kërcënuar përmes telefonit një shtetas me iniciale V.K. ndërsa më datë 16 ka kërcënuar një person me iniciale J.B. në këmbim të pasurisë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pindesing”. Operacioni i zhvilluar nga Sektori i Hetimit të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Forcën e  Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.

Prezantohej si lidhje e personave me precedent të theksuar kriminal dhe shtrengonte në anë të kanosjes për dhënien e pasurisë shtetas të ndryshëm, vihet në pranga 34-vjeçari.

Sekuestrohen një shumë e konsiderueshme parash dhe dy aparate celular që shërbenim për kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.

Sektori i Hetimit të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Forcën e  Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune hetimore disajavore, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Pindesing”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. N., 34 vjeç, banues me qira në Tiranë.

Ky shtetas, në kohë dhe periudha të ndryshme kohore, ka kanosur për dhënie pasurie shtetas të ndryshëm, konkretisht:

  1. Më datë 01.09.2021, ky shtetas ka shtrenguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, shtetasin V.K.;
  2. Më datë 16.09.2021, ky shtetas ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, shtetasin J.B.;

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura