I dashuri mban peng vajzën gjermane për 50 minuta, arrestohet 45-vjeçari nga Kosova. E futi me forcë në makinë

Mar 2, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Një ngjarje e denoncuar si pengmarrje në zonën e Unazës së Re të Tiranës dje në mbrëmje është zgjidhur pas 50 minutash me ndalimin e dy protagonistëve në afërsi të Vorës. Sipas Policisë, i dashuri, një 45-vjeçar nga Kosova, kishte hipur forcërisht në makinë të dashurën e tij gjermane, 27 vjeçe, duke udhëtuar nga Unaza e Re në drejtim të Vorës. 

27-vjeçarja gjermane

Ky moment është parë nga disa dëshmitarë, të cilët kanë njoftuar Policinë në numrin 129 të sallës operative, duke denoncuar një pengmarrje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:10, ndërsa 50 minuta më vonë.

Mjeti i braksitur “Honday”

 Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, Hamdi Berisha, me të cilin ndodhej edhe vajza me shtetësi gjermane, Katherina Ethel, e cila rezultoi të ishte e dashura e tij. Çifti është ndaluar teksa ecte në këmbë përgjatë shinave të trenit, pranë Urës së Limuthit në Vorë, pasi makinën e kishin përplasur për shkak te shpejtësisë së madhe dhe kishte dalë nga rruga.

Të dy janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku kanë shpjeguar se kanë pasur një grindje në lokal dhe kanë shkuar ta sqarojnë. Por gjatë udhëtimit me makinë i ka zënë paniku kur kanë parë se po i ndiqte Policia dhe, për këtë arsye, janë përplasur e kanë braktisur makinën. Megjithatë, vajza ka sqaruar se është hipur me forcë në makinën që ajo kishte marrë me qira në Tiranë dhe se nuk ka dashur të udhëtonte me të dashurin në atë moment.

Për këtë arsye, ngjarja është konsideruar si heqje e paligjshme lirie dhe Policia ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Hamdi Berisha për këtë vepër penale. Çifti kishte një lidhje disavjeçare, të nisur në Gjermani, ndërsa prej disa muajsh jetonin me qira në një apartament te pallatet në Unazën e Re. Disa dëshmitarë, klientë të një lokali në Unazën e Re, kanë njoftuar Policinë e Tiranës, duke denoncuar se një person kishte debatuar ashpër me një vajzë të re në një lokal dhe më pas e kishte marrë me forcë nga aty. Sipas dëshmitarëve, autori e kishte hipur vajzën e re në një makinë tip “Hyundai”, me targë TR 1613 U, duke ikur me shpejtësi në drejtim të Doganës.

Dy prej dëshmitarëve, burrë e grua, fqinjë të vajzës, kanë shkuar në Komisariatin nr.6, ku kanë bërë edhe kallëzim me shkrim. Menjëherë pas njoftimit Policia është vënë në ndjekje të makinës duke ngritur pika kontrolli përgjatë autostradës, ku mendohej të kishte lëvizur automjeti në fjalë. Në rrugën dytësore përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, Policia ka gjetur të braktisur makinën e denoncuar, e cila ishte përplasur duke përfunduar në kanal.

Pranë saj është gjetur një person, i cili ishte mik i të dyshuarit për pengmarrjen dhe i ka ndihmuar forcat e rendit, duke i orientuar për drejtimin që kishte marrë çifti. Pak minuta më vonë, shërbimet e Policisë kanë mundur të gjejnë edhe vajzën që ishte rrëmbyer dhe autorin e ngjarjes, që ishte i dashuri i saj.

 

Foto nga vendi i ngjarjes


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura