Del autopsia, vdekja e foshnjës në çerdhe, për shkaqe natyrale. Fëmija 13-muajsh pati “vdekje të papritur”

Mar 1, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Vdekja e foshnjës 13- muajshe në Çerdhen nr.17, pranë “21 Dhjetorit” në Tiranë, ka ndodhur për shkaqe natyrale si pasojë e një sindrome të rrallë që quhet “vdekja e papritur”. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë publike dje rezultatet e autopsisë paraprake mbi shkaqet e vdekjes së fëmijës 13-muajsh, ngjarje e ndodhur pas mesditës së premte në Tiranë. Sipas aktit të nxjerrë dje nga ana e mjekëve ligjorë, fëmija nuk ka pasur helmim.

Çerdhja numër 17 në Tiranë

Në këtë mënyrë, nga autopsia është përjashtuar dyshimi kryesor i ngritur pas ngjarjes për ndonjë helmim të fëmijës nga ushqimi. Po kështu, ekspertët shprehen se nga autopsia nuk ka dalë në pah ndonjë e dhënë për komplikacione shëndetësore të fëmijës, përfshi të vjellat, apo probleme të tjera. Referuar aktit të autopsisë që i është dorëzuar edhe organeve të Policisë ditën e djeshme, humbja e jetës së fëmijës 13-muajsh ka ndodhur në kushtet e “vdekjes së papritur”.

Kjo lloj vdekjeje, sipas mjekëve ligjorë njihet nga literatura mjekësore për moshën ku ndodhej fëmija, ndonëse është e rrallë në precedentët që ka. Sipas mjekëve, bëhet fjalë për humbjen e jetës nga bllokimi i papritur i frymëmarrjes të cilën organizmi i fëmijës nuk mundi ta përballojë. “Nga këqyrja që është bërë u konstatua se fëmija nuk kishte problem shëndetësore në organet jetë- sore si zemra, mushkëritë apo rrugët e frymëmarrjes”, theksojnë mjekët ligjorë.

Sipas tyre, autopsia vazhdoi me këqyrjen fizike të trupit të fëmijës ku nuk është konstatuar ndonjë shenjë goditje apo rrëzimi. Dokumenti i Mjekë- sisë Ligjore mësohet se i është dërguar grupit hetimor të Policisë që hapi një hetim të premten, në lidhje me vdekjen e foshnjës në Çerdhen nr.17 në kryeqytet.

Policia menjëherë pas ngjarjes, shoqëroi personelin e çerdhes duke marrë në pyetje edukatoret që kishin marrë në dorëzim fëmijën në orët e mëngjesit dhe ishin kujdesur për të gjatë ditës. Referuar dëshmive nga punonjëset e çerdhes në fjalë, fëmija 13-muajsh ka humbur jetën teksa flinte gjumë në orët e pasdites së premte.

Dëshmitë, i mituri humbi jetën në gjumë

Drejtori i Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve në Bashkinë e Tiranës, Pëllumb Seferi, deklaroi pak orë pas ngjarjes së ndodhur në Çerdhen nr.17, se fëmija 13-muajsh kishte vdekur në gjumë. Ai theksoi se fëmija nuk kishte dhënë ndonjë shenjë të dyshimtë alarmi gjatë qëndrimit në çerdhe madje, edhe nga kartelat e dorëzuara prej prindërve, nuk rezultonte të vuante nga ndonjë sëmundje. Të njëjtën gjë kanë pohuar edhe dy edukatoret e shoqëruara në Polici pas ngjarjes. Ato thanë se pasi e kanë ushqyer fëmijën, e kanë vendosur në gjumë duke bërë kontrollet periodike çdo orë pa mundur të kuptonin ndonjë shqetësim shëndetësor tek fëmija.

Morgu

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura