Gjobë 13 mijë euro biznesmenit të kafes në Tiranë, arrestohet Pajtim Serjani, miku i Shullazit

Apr 22, 2015 | 8:02
SHPËRNDAJE

Arrestohet për gjobëvënie ndaj një biznesmeni Pajtim Serjani. Personazhi i njohur si mik i Emiljano Shullazit dhe 3 persona të tjerë janë vënë në pranga mbrëmë nga Policia e Tiranës, ndërsa pritet edhe arrestimi i dy të tjerëve, me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie.

Foto ilustruese

Policia ekzekutoi mbrëmë 4 nga 6 masat e sigurisë “arrest me burg” që kishte vendosur paraditen e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda. Serjani, i cili i shpëtoi vetëm me një plumb në kofshë atentatit te Rruga e Kavajës 4 muaj më parë, kësaj herë nuk ka mundur t’u shpëtojë prangave të Policisë, po në afërsi të Rrugës së Kavajës. 

Pajtim Serjani

Bashkë me të është arrestuar edhe Ditmar Reçi, i cili po ashtu ishte i pranishëm mbrëmjen e 5 janarit, kur u plagos 33-vjeçari Pajtim Serjani. Policia nuk bëri publik emrat e 2 personave të tjerë të arrestuar, megjithatë tha se edhe këta persona janë me precedentë të mëparshëm penalë. Ata po hetoheshin prej rreth 4 muajsh, bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. I dëmtuari nga gjobëvënia është një biznesmen që merret me kafe, zyrat e kompanisë të të cilit ndodhen pranë Rrugës së Kavajës, zonë që sipas Policisë dyshohet se u janë vënë gjoba edhe disa biznesmenëve të tjerë.

Por burimet thonë se momentalisht është provuar akuza “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, e kryer në bashkëpunim nga 6 persona, vetëm për biznesmenin e kafes. Ndërsa janë në procedim edhe raste të tjera gjobëvëniesh, për të cilat janë po këta persona të dyshuar.

GJOBEVENIA
Burime nga Policia u treguan të rezervuara mbrëmë në lidhje me arrestimet e kryera gjatë operacionit të Sektorit të Krimeve të Rënda. Mbrëmjen e djeshme, Policia njoftoi se ende nuk janë ekzekutuar edhe 2 urdhër-arreste të tjera. Megjithatë, burimet thanë se ka qenë një hetim gati 4-mujor, i iniciuar nga Policia e Tiranës, pas një kallëzimi për gjobëvënie nga një biznesmen.

Bëhet fjalë për një shumë prej 13 mijë eurosh, që Pajtim Serjani, Ditmar Reçi dhe 4 personat e tjerë i kishin kërkuar biznesmenit të kafes, duke e kërcënuar me jetë. Burimet thanë se nuk mund të bëhet i ditur emri i të dëmtuarit, pasi në momentin e denoncimit ai ka kërkuar që të mbetet anonim. Denoncimi i tij është provuar gjatë hetimeve që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Kryeqytetit.

Ashtu siç është provuar edhe një lloj “kontrate” që të arrestuarit e detyronin biznesmenin të nënshkruante me ta, edhe pse pa laps e letër, që e detyronte atë të paguante tek autorët 10 për qind të xhiros vjetore, në këmbim të jetës së tij e të familjarëve.

Pajtim Serjani njihet në kryeqytet si një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, ndërsa rreth 4 muaj më parë ai u plagos gjatë një atentati ndaj tij, ku u vra personi që e qëlloi, Artur Baze. Serjani u plagos në praninë e Ditmar Reçit, që po ashtu u arrestua mbrëmë dhe dy miqve të tjerë të tij, efektivit të Policisë Roland Meta, i cili qëlloi për vdekje atentatorin e Serjanit dhe shtetasit Denis Ramani.

ETLEVA DELIA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura