Tirana pa ujë, UKT: Fajin e kanë shirat. Veliaj: E rregullojmë pasdite

Nov 23, 2015 | 13:56
SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar se pasditen e sotme do të lëshohet uji për banorët e kryeqytetit pasi pritet që rreth kësaj ore të përfundojë riparimi i impiantit në Bovillë, dëmtimi i të cilit ka lënë pa ujë pothuajse të gjithë Tiranën dhe disa institucione kryesore siç janë spitalet. Këtë e ka bërë me dije në një status në rrjetin social Twitter.velioaj-status“Perfundon pasdite remonti ne Boville, demtim impianti prej reshjeve e inerteve, per pak ore ne funksion te plote”,- shkruan ai.

Ndërkaq, e kontaktuar me telefon nga “Panorama”, Këshilltarja e Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës Kanalizimeve, Brunilda Xhixho, deklaroi se shkak për këtë situatë të rëndë për mosfurnizimin me ujë të kryeqytetit për disa orë, janë bërë shirat e dendur që ranë gjithë ditën e djeshme në të gjithë vendin, jo vetëm në Tiranë.

“Për shkak të shirave të dendur të rënë ditën e djeshme, uji i Bovillës është turbulluar dhe ne e kemi të pamundur të lëshojmë ujin sepse përveçse dëmton edhe impiantet po të kalojë, por është edhe i papërdorshëm. Fajtor për këtë situatë mund të thuhet se është natyra, për shkak të një periudhe shumë të gjatë thatësire dhe reshjeve të dendura që ranë ditën e djeshme”.

Xhixho ka deklaruar se po punohet në bashkëpunim me Bashkinë për të furnizuar me ujë gjatë kohës së mungesës, insititucionet kryesore, si spitale, shkolla dhe çerdhe.

“Institucioni ynë ka vënë në gjendje pune 24 orë në 24 punonjësit tanë të cilët po punojnë për normalizimin e situatës. Në bashkëpunim edhe me bashkinë kemi vënë në dispozicion mjetet tona për furnizimin me ujë të të gjithë institucioneve që kanë parësore shërbimin e ujit, si shkolla, spitale, çerdhe, por edhe të banorëve. Me qëllim që të mos lëmë asnjë institucion pa ujë. Nuk mund të them se kur do të normalizohet situata por në momentin që do të riparohet defekti do të lëshohet uji”,- tha ajo për “Panorama”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura