“Tirana Open1”/ Nuk kishte vizitorë, panairi i librit mbyllet para kohe

May 14, 2015 | 15:35
SHPËRNDAJE

U mbyll dje edicioni i dytë i festivalit të librit dhe të artit pamor. Edhe pse u trumbetua më shumë këtë vit, edhe pse u hodhën më shumë para, u përfshinë më shumë linja në festival, me gjithë mbështetjen qeveritare, ky edicion nën emrin “Tirana Open 1” rezultoi të ishte i vakët.

“Tirana Open1”, kur u hap panairi

Ose festivali ishte shumë i shpërndarë dhe, me sa duket, janë të njëjtët njerëz që frekuentojnë të gjitha linjat, ose promocioni nga ana e organizatorëve nuk ka arritur të godasë te publiku.

PANAIRI

Panairi i Librit, i cili sipas organizatorëve kishte kushtuar 100 milionë lekë (të vjetër), ishte ai që e dëshmoi më rëndë nga të gjithë dështimin. Holli i Pallatit të Kongreseve ishte i zbrazët. Vetëm botuesit dhe punonjësit e tyre që gogësinin të ulur nëpër karrige. Vizitorët e sidomos blerës kishte fare pak. Me gjithë tentativën për të sjellë edhe nxënës shkollash, sërish zgavra e Pallatit të Kongreseve nuk mbushej. Çdo ditë shihje nga një stendë bosh.

Botuesit u ngritën një nga një, duke braktisur panairin, pasi shpenzimet e ndenjes po u shkonin më shumë se fitimi nga shitja e ndonjë libri të rrallë. Ka nga ata që ankohen se për të ardhur në këtë panair, janë detyruar të bëjnë shpenzime e botime të sforcuara, të cilat sigurisht mbetën jashtë vëmendjes së lexuesit. Sidomos ato shtëpi botuese që botojnë më së shumti libra nga fushat e historisë apo komunikimit, nuk e bënë dy, ngritën librat e vazhduan aktivitetin e përditshëm. Krahasuar me panairin e librit në nëntor, ky i “Tirana Open” nuk kishte asnjë të krahasuar në vizitueshmëri, shitje e aktivitete. Si ta kishin bërë me fjalë, publiku e braktisi atë.

“Edhe panairet e shkollave kanë më shumë njerëz”, thotë një botuese. Kjo bëri që panairi të mbyllej qysh të hënën në mbrëmje, edhe pse Festivali u mbyll dje. Në gjithë këtë thatësirë panairi, që nuk ishte parë ndonjëherë, i vetmi aktivitet që solli njerëz me shumicë e shiti po ashtu libra me shumicë, ishte promovimi i librit të Roberto Savianos “Zero, zero, zero”. Promovimet e tjera janë ndjekur në mënyrë modeste. E megjithatë, edhe ky edicion e ndau fituesin e çmimit “Ardian Klosi” për librin publicistik të vitit. Ai ishte Mustafa Nano me librin “Pax Albanica”, që ka tërhequr jo pak vëmendjen e lexuesit për trajtimin që autori i bën temës së bashkëjetesës fetare në Shqipëri. “paMUR” Pak më të shpërndarë në hapësirë, të pozicionuar në Pallatin e Kongreseve dhe te Piramida, seksioni i “paMur” njohu dy lloj situatash.

Në Pallatin e Kongreseve, veprat e vendosura në katin përdhes, patën gati të njëjtin fat si edhe panairi i librit, që ndodhej një kat më sipër. Hapësira mes videosh ishte tërësisht bosh. Tek-tuk zbriste ndonjë nxënës shkolle që argëtohej, duke vrapuar dhe duke luajtur me hijen e vet në projektor. Videot vazhdonin procesin e vet. Përveç një afisheje, ku shkruhej titulli dhe emri i artistit, asnjë informacion tjetër mbi to, për të orientuar publikun. Pjesa tjetër, e vendosur te Piramida, njohu më shumë vizitorë, pasi ajo u alternua edhe me aktivitete muzikore, duke ftuar rreth vetes më shumë të rinj. Një aktivitet që tërhoqi vëmendje, ishte takimi i hapur i artistit Adrian Paci, i cili rrëfeu rrugëtimin e tij artistik, prej viteve të shkollës e deri sot. Ashtu si edhe një vit më parë, u nda çmimi “Danish Jukniu”, i cili u shkoi artistëve Ibro Hasanoviç që përfaqësonte Tirana Art Lab, dhe Cauleen Smith, që përfaqësonte Museum of Contemporary Art, Chicago.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura