“Tirana Open 1”, 7 ditë aktivitete në kryeqytet

May 5, 2015 | 16:19
SHPËRNDAJE

Organizatorët preferojnë ta quajnë një çadër të madhe që mbledh nën të një larmi aktivitetesh, që nga libri, tek artet bashkëkohore, muzika, arkitektura.

NGA OPERA “MBYTJA E ANIJES”

Për të dytin vit, por kësaj here me kufij edhe më të gjerë, nis nesër “Tirana Open 1”, që sipas organizatorëve, është i vetmi i këtij lloji në Ballkan. Artistë shqiptarë e të huaj do të bëhen pjesë e këtij aktiviteti përgjatë një jave, duke u shtrirë në disa zona të kryeqytetit, jo vetëm në ambientet e institucioneve, si në Pallatin e Kongreseve apo Universitetin e Arteve, por edhe në ambientet përreth Piramidës, hapësira të tjera publike, në qendër e periferi të Tiranës.

Dje, organizatorët e këtij festivali, drejtorët Arlinda Dudaj, Helidon Gjergji & Vladimir Myrtezai – Grosha, si dhe partnerë të tjerë, zhvilluan një konferencë për shtyp, ku paraqitën profilin e këtij edicioni, që do të përfshijë në të panairin e librit, aktivitetin “paMur” të artit bashkëkohor, performancat muzikore, “DokuTIFF” dhe “Ultra” kushtuar arkitekturës, që do të jetë e pranishme nëpër Tiranë me instalacione e ekspozita të lëvizshme. Sipas Arlinda Dudajt, ashtu siç e thotë edhe titulli i aktivitetit, “Tirana Open” ka hapur dyert për të gjithë. Për artistin Vladimir Myrtezai, kësaj here organizatorët kishin gjithë kohën në dispozicion për të ndërtuar strukturën e festivalit, pjesë e të cilit do të bëhen artistë shqiptarë e të huaj. Duke u shprehur se arti shqiptar po ecën tashmë me të njëjtat ritme me Europën, Myrtezai tha se “ai duhet të bëhet pjesë e tregut ndërkombëtar, të dalë nga situata mërmëritëse në studio”.

Për kineastin Kujtim Çashku, drejtues i Akademisë “Marubi”, që do të jetë pjesë e festivalit me projeksione të filmave izraelitë, “arti duhet të shërbejë si lëvizje për të kthyer optikën drejt saj, sepse arti është edhe ekonomi”. Sipas tij, “artisti duhet të mbetet në pozita kundërshtuese. Kemi boll politikanë për argëtim”.

PANAIRI I LIBRIT

Arlinda Dudajt është shprehur se Panairi i librit ka qenë i hapur për të gjithë, edhe pse shumë shtëpi botuese nuk janë bërë pjesë e tij. Panairi është organizuar në katin e parë të Pallatit të Kongreseve. Gjatë ditëve të panairit do të ketë prezantime të shumë titujve të rinj dhe takime me shkrimtarë shqiptarë e të huaj. Do të ketë ftuar të veçantë, shkrimtarë si Roberto Saviano, Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop, Drago Jancar, Gerrard Williams, Paolo Muner, Frank Millet. Do të përfshihen në këtë aktivitet nxënës, liceistë, studentë e lexues. Me nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja” do të zhvillohet një konkurs ilustrimesh, për të cilin do të ndahet edhe një çmim. Gjithashtu në mjediset e Festivalit do të zhvillohet ceremonia për dhënien e Çmimit “Ardian Klosi” librit më të mirë publicistik, i sponsorizuar nga Traduki, rrjeti europian për letërsinë dhe librat që ndihmon në përkthimin dhe përhapjen e kulturës dhe botimeve. Juria përbëhet nga publicisti dhe botuesi Piro Misha, shkrimtarët Ardian Vehbiu dhe Bashkim Shehu dhe gazetarja Rudina Xhunga.

“paMUR”

Pjesë e aktivitetit kushtuar artit bashkëkohor “paMur” do të jenë artistë shqiptarë e të huaj. Sipas Helidon Gjergjit, kjo nëndegë e festivalit do të përfshijë 25 artistë nga të gjitha kontinentet, të cilët do të jenë në garë për çmimin “Danish Jukniu”. Ndër ta janë edhe artistë si Anri Sala apo Driand Zenelaj, me karrierë ndërkombëtare. Ndërsa ka artistë shqiptarë që përfaqësojnë institucione të huaja, ka edhe të huaj që përfaqësojnë ato shqiptare si Stefano Romano me TICA.

DocuTIFF

DocuTIFF do të zhvillohet për herë të parë nga data 9 – 13 maj 2015 në Amfiteatrin pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. Sipas një prej organizatorëve të tij, Agron Domi, nevoja për të krijuar këtë festival të ri lindi si pasojë e një numri të madh aplikimesh gjatë edicionit të 12-të TIFF 2014, rreth 5400 filma në të gjitha kategoritë. “Në pamundësi për t’i prezantuar publikut gjatë TIFF kualitetet më të mira nga këto prurje, menduam të krijojmë çdo vit një kompeticion të ri për çdo kategori si, DocuTIFF, AnimaTIFF, ExperTIFF për filmin dokumentar, të animuar dhe eksperimental”. Do të ketë çmime, seminare, por edhe homazhe, siç është ai dedikuar Pasolinit.

Alma Mile

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura