Tirana në ajër, 10 lojtarë pa kontratë për të ardhmen. Ngosë i ofrojnë 8 mijë euro, por anglezi kërkon…

Aug 4, 2020 | 22:00
SHPËRNDAJE

Futbolli i luajtur mbaroi. Tani është radha e afrimeve dhe largimeve. Tirana kërkon të nisë rinovimet me lojtarët e saj. Pasi firmosi me Agustin Torasën, te Tirana po llogariten forcat e atyre që do të qëndrojnë dhe largohen para këtij Champions-i.
foto tirana para finales
GJENDJA – Bardheblutë prej javësh nga ana e tyre kanë një plan për të bërë marrëveshjet e reja, si dhe për të afruar futbollistë të tjerë në ekip prej klubeve rivale. Burime pranë skuadrës bëjnë me dije se presidenti Refik Halili do të diskutojë me lojtarët që ka në skuadër dhe që nuk kanë kontratë në këtë fund sezoni dhe pas shpalljes kampion. Një vendim përfundimtar për çdo lojtar do ta marrë edhe trajneri Emanuel Egbo, i konfirmuar tashmë. Egbo duhet të paraqesë listën me lojtarët që do të mbajë dhe i ka në plan për sezonin e ri futbollistik.
TIRANA ME TITULLIN
GJENDJA – Ky titull bardheblutë i gjen në një situatë me më shumë se gjysmën e skuadrës pa marrëveshje. Më saktë, janë më shumë se dhjetë lojtarë që nuk kanë marrëveshje. Në skuadër janë disa senatorë që nuk kanë një kontratë për sezonin e ri. Duke filluar nga Tefik Osmani, Kristi Vangjeli, Erando Karabeci, Edon Hasani, Majkëll Ngo, Idriz Batha e deri tek Erjon Hoxhallari janë të gjithë në pikëpyetje për sezonin e ri.

Mësohet se disa prej lojtarëve me shumë gjasa ose nuk do t’u ofrohet marrëveshje e re, ose do të jenë vetë futbollistët që nuk do të pranojnë marrëveshjen. Dy të tjerë, Ilion Lika dhe Gentian Muça, kanë marrëveshje të veçantë me presidentin dhe qëndrimi i tyre varet drejtpërdrejt nga Refik Halili ose planet e tyre për të ardhmen e afërt që mund të jetë larg bardhebluve.

TË TJERËT – Uinful Kobina ka një kontratë të diskutueshme 2+1 me bardheblutë që kanë të drejtën e firmës. Gjithsesi, Kobina dëshiron të luajë në Greqi, nëse nuk arrihet akordi mes palëve.

Ngo Tirana

NGO – Sulmuesi anglez prej kohësh është në qendër të vëmendjes. Së fundmi me sherrin. Nga ana tjetër, mësohet se klubi Tirana i ka ofruar një kontratë me 8 mijë eurosh në muaj rrogë. Në diskutimin e fundit, Ngo nuk ka pranuar që të firmosë me këtë shumë, por ka kërkuar 10 mijë euro në muaj. Një shumë goxha e madhe për klubet shqiptare.

Paçka se palët janë larg, Tirana kërkon t’i mbajë të gjithë lojtarët kampionë, por nëse ndonjëri prej tyre nuk dëshiron ai është i lirë të largohet. Nga ana tjetër, Ngo ka disa oferta nga Turqia, Arabia, Azerbajxhani dhe palët do të shohin se si do të shkojnë gjërat deri në fund. Po kështu, skuadra mund të vuajë largimet e Ernest Muçit, i cili mund të shitet jashtë Shqipërisë, ndërsa Albi Doka ka mbyllur aventurën me ekipin e Tiranës.

tirana

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura