Tirana midis ndryshimit dhe braktisjes

Feb 13, 2020 | 9:55
SHPËRNDAJE

FABIAN TOPOLLAJFabian Topollaj

100 vite në periudhën që jetojmë, është kohë e mjaftueshme për ndërtimin e një kryeqendre të zhvilluar, që i paraprin zhvillimit të të gjithë vendit. Kryeqytetet  e kanë shumë më të lehtë të ecin me hapin e kohës dhe të jenë të krahasueshme me simotrat e zhvilluara të kontinentit, edhe kur janë qendra të shteteve shumë më të prapambetura. Për fat të keq, këtë nuk mund ta themi për Tiranën në njëqindvjetorin e shpalljes së saj kryeqytet i Shqipërisë.

Elementi i parë i vlerësimit të zhvillimit të një qyteti, sigurisht që mbetet aspekti i tij urban, shkatërrimi i të cilit pothuaj e bën të pakthyeshëm jetë e mot ringritjen e qytetit. Ndryshe nga problematikat e tjera, të cilat janë të rikuperueshme, shkatërrimi urban për një qytet është si një sëmundje e pashërueshme, që do ta mundojë gjithmonë e më shumë pacientin.

Periudha diktatoriale, edhe pse i imponoi kryeqytetit nacional-komunizmin dhe ndërtimet joestetike të objekteve që e shëmtuan atë, të paktën nuk dëmtoi urbanistikën e tij. Në vitet ’90, sistemi monist trashëgoi një qytet të zymtë e të varfër, mbi të cilin me pak përpjekje mund të ndërtohej lehtë një qytet europian. Nëse lëvizjet migratore dëmtuan rëndë periferinë e Tiranes me ndërtime pa leje dhe kaotike, por gjithsesi të ulëta, ato që i dhanë goditjen fatale zhvillimit urban të qytetit ishin të ashtuquajturat “ndërtimet shumëkatëshe me leje pjesore” në qendër të tij.

Në të dyja rastet, Tirana u shfrytëzua politikisht për arsye elektorale. Në kryeqytet jo vetëm u lejua ndërtimi i qindra objekteve pa leje, por u bë edhe legalizimi i tyre pa iu nënshtruar më parë asnjë studimi urban. Në më pak se 20 vite, tre nga politikanët kryesore të vendit në rolin e kryebashkiakut dhanë pa kriter leje ndërtimi abuzive. Këto leje prodhonin begati për karrierën e tyre politike, por shkatërrim për qytetin. Falë këtyre politikave rrënuese të ndërmarra vetëm për qëllime elektorale, sot Tirana e ka pothuaj të pamundur ndërtimin e një rrjeti tramvaj edhe në qendrën e saj. Kemi një qytet jo vetëm pa hapësira publike, por që ngjason me një vendgrumbullim betoni të shpërndarë në mënyrë të rastësishme. Dhe gjithashtu një kryeqytet, që në 100-vjetorin e tij s’i ka mbetur pothuaj më asnjë vlerë identitare prej periudhës së themelimit.

Dhe si për të na bindur përfundimisht se ajo është shkaktarja që në këtë përvjetor Tirana nuk ka pothuaj asgjë nga shkëlqimi i merituar, politika na ka dhënë edhe një provë të fundit ulëritëse. Falë politikës së mbrapshtë të viteve të fundit, Tirana sot nuk mund të konsiderohet më qytet as në kuptimin formalo-thelbësor, sepse i mungon “demosi”, pra demokracia si formë organizimi. Nëse qytetet lindën dhe u zhvilluan si nevojë e drejtimit të përbashkët nga qytetarët e tyre, Tirana sot drejtohet nga një njeri i vetëm, me organe totalisht njëpartiake dhe jopluraliste. Kush mund ta mendonte se kryeqyteti i një vendi europian, më i afërti gjeografikisht me Athinën, ku dhe lindi demokracia, do të ripërsëriste veten pas 30 vitesh nga përmbysja e komunizmit dhe çdo vendim të qytetit do ia linte në dorë një njeriu të vetëm.

Dhe nëse dikush mund të kundërshtojë këtë konstatim duke thënë se të paktën Tiranës sot i mungon busti i njëshit në qendër të qytetit, gabohet. Është edhe më keq se kaq. Sot, në 100-vjetorin e shpalljes kryeqytet nga Kongresi i Lushnjës, ngjarja më përparimtare e Shqipërisë që nga Pavarësia, Tirana e ka më vështirë se më parë të jetë shprehje e nevojës së shoqërisë për ndryshim. Tre kryebashkiakët e fundit të Tiranës kanë një rol deciziv në këtë proces, ku një grup individësh që nuk e kalojnë duzinën, kanë themeluar nga Tirana një sistem pothuaj oligarkik. Ata përfitojnë nga çdo gjë që ndodh në qytet, asgjë s’bëhet pa lejen e tyre dhe ç’është më e keqja, ata bëhen gjithmonë bashkë përballë ndryshimit. Dhe për dreq, ky sistem i mbrapshtë nuk ka as bust të ngritur që të mund të përmbysej me një të rënë. Ndaj, qytetaret midis dilemës për t’iu nënshtruar apo ndryshuar, gjithmonë e më shpesh po zgjedhin ta lënë qytetin.

*Këshilltar i Këshillit të Bashkisë Tiranë Përfaqësues i Partisë “Bindja Demokratike”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura