Tirana drejt imunizimit, bien ndjeshëm të infektuarit! Silva Bino tregon rastet kur nuk duhet të aplikohet menjëherë vaksina

Apr 7, 2021 | 9:13
SHPËRNDAJE

Për muaj me radhë Tirana ka mbajtur peshën kryesore të pandemisë, duke regjistruar më shumë të infektuar ditë pas dite.

bino-spital covid

Por kjo jo vetëm për shkak të transmetueshmërisë, por edhe prej numrit të lartë të popullsisë së përqendruar në kryeqytet. Por duket se përgjatë ditëve të fundit, rastet e reja janë ulur ndjeshëm.

Kështu, në 24 orët e kaluara janë raportuar vetëm 34 persona të konfirmuar pozitivë, çka shton bindjen se jemi vetëm një hap larg imunitetit natyror. Në fakt kjo s’do të ishte befasi sa kohë u paralajmërua më herët edhe nga Akademia e Shkencave, e cila në dhjetor paraqiti të dhënat e një studimi, sipas të cilit, rreth 50 për qind e qytetarëve në Tiranë rezultonin të imunizuar.

Tendenca rënëse ka nisur të ndihet që prej gjysmës së dytë të muajit mars dhe vijon e tillë edhe përgjatë javës së parë të këtij muaji. Shumëkush mund ta shohë të lidhur këtë edhe me procesin e vaksinimit që është intensifikuar pas mbërritjes së dërgesës me 192 mijë vaksina kineze. Por sipas të dhënave zyrtare, në vendin tonë rezulton që vetëm 4.5 për qind e kanë kaluar koronavirusin. Shtuar kësaj edhe 200 mijë dozat e vaksinës që janë kryer, atëherë përqindja e imunitetit shkon jo më shumë 12 për qind. Duket se përkundrejt këtyre treguesve, situata faktike dëshmon tjetër gjë. Përmirësimi i dukshëm i situatës s’mund të shihet i lidhur as me planin e masave që kanë mbetur në stanjacion që prej fundit të vitit që shkoi.

SITUATA

Në vendin tonë shifrat zyrtare flasin për rreth 127 mijë të infektuar që prej fillimit të pandemisë. Por gati 6 mijë prej tyre kanë qenë në kryeqytet. Aktualisht nga rreth 30 mijë raste që janë aktive, pra të infektuar aktivë, gati 21 mijë janë në Tiranë, e cila qëndron në krye të listës. Një tjetër qark me numër të lartë të infektuarish aktivë pas Tiranës është Fieri, me 2556 raste, ndërsa në zonën e kuqe është po ashtu edhe Durrësi, si edhe Gjirokastra, me më shumë se 1200 të infektuar aktivë. Berati, Lezha, Elbasani, Kukësi janë qytetet që kanë njohur një përmirësim të ndjeshëm, pasi numri i të infektuarve aktivë në këto qarqe është ulur ndjeshëm.

RASTET

Lidhur me situatën e një dite më parë, nga autoritetet shëndetësore janë raportuar vetëm 141 të infektuar nga 2334 testime të kryera. Por ndërkohë vijojnë të mos njohin përmirësim treguesit mbi vdekshmërinë. Në harkun e 24 orëve janë regjistruar 9 humbje jete si pasojë e koronavirusit. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 9 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 4 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Durrësi, 1 qytetar nga Devolli, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Kurbini, të moshave 65-82 vjeç”. Lidhur me situatën në spitalet Covid, numri i të shtruarve është ulur ndjeshëm. Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 256 pacientë, 19 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

VAKSINIMI

Mbrëmjen e së hënës përmes aeroportit “Nënë Tereza” kanë mbërritur edhe 7020 doza të vaksinës “Pfizer”, ndërkohë që u njoftua se, sipas kontratës së qeverisë me kompaninë, deri në 20 prill priten mbi 22 mijë doza të tjera vaksinash. Përgjegjësja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, ka sqaruar një ditë më parë rastet kur duhet të shtyhet në një moment të dytë vaksina. Kështu, nëse keni një familjar të prekur nga koronavirusi, nuk duhet ta bëni vaksinën anti-covid pa kaluar të paktën 1 muaj. Ndërsa në rastet kur keni pasur kontakt me një të infektuar duhet të prisni së paku që të kalojnë dy javë. “Shpeshherë ka qytetarë që janë asimptomatikë dhe kanë pasur kontakt me një person pozitiv. Normalisht, ata nuk duhet të vaksinohen brenda dy muajve. Kur kanë të infektuar brenda familjes, duhet të kalojë dy herë periudha e inkubacionit”, tha Bino.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura