Tirana barazon, por spektaklin e bën Hulian Rubio

Jul 15, 2011 | 12:46
SHPËRNDAJE
Tirana-Spartak Trnava 0-0, çast nga ndeshja e djeshme

Tirana ka barazuar në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Europës ndaj sllovakëve të Spartak Trnavës, falë një loje të ekuilibruar, me raste për shënim, por pa konkretizimin e duhur.Gjithsesi, barazimi 0-0 mund të konsiderohet një rezultat i mirë, nisur nga fakti se të paktën për 90 minutat e takimit të mbrëmjes së djeshme Spartaku nuk tregoi se ishte në një nivel të lartë në krahasim me Tiranën. Ndaj, në ndeshjen e kthimit në Sllovaki pas një jave, do të mjaftojë një barazim me gola që bardheblutë të shihnin veten në turin e tretë të Ligës së Europës.
Atmosfera – Natyrisht, nuk kishte se si të mungonte në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” lojtari i 12-të i skuadrës bardheblu. Tifozët e saj nga minuta e parë e deri në fund nuk pushuan për asnjë moment së përkrahuri skuadrën e tyre, me shpresën e një rezultati pozitiv. Duartrokitje pafund edhe për blerjet e reja të kësaj skuadre jo vetëm në momentet e ndërrimit, por edhe në rastin kur ata tregonin haptazi cilësitë e tyre sportive. Gjithsesi, nuk munguan edhe thirrjet nga tribuna e drejtuesve të klubit të Tiranës për mos hedhje të sendeve në fushë, kjo për faktin se ishin lajmëruar nga zyrtarët e UEFA-s se do të ndëshkoheshin nëse e bënin një gjë të tillë.
Surprizat – Ai është spanjoll dhe pritej që në debutimin e tij zyrtar të bënte surpriza. Në fakt, një publik i tërë u çudit kur pa formacionin bazë të Tiranës për këtë takim. Në fushë, nga minuta e parë dy debutues të rinj: Taku dhe Kërçiku, ndërsa nuk munguan Kalari, Pisha, Situma, Etogo, Al Ajmi, të gjithë këta lojtarë të ardhur gjatë merkatos së verës. Në stol, as më shumë dhe as më pak se: Dabulla, Osmani, Pashaj, Bala, të cilët shihen si baza e kësaj Tirane. Por, nuk mjaftoi me kaq. Gjatë gjithë ndeshjes, tekniku i Tiranës nuk rreshti së udhëzuari lojtarët e tij aq sa në shumë raste bënte edhe skena me këmbë e me duar, të papara deri tani nga një trajner në Shqipëri.
Ndeshja – Takimi nisi vrullshëm nga të dyja skuadrat, por rastin e parë e kanë miqtë, të cilët mund të kishin shënuar që në minutën e 10-të, por çuditërisht dy lojtarë nga zero metra u hutuan dhe nuk e shtynë dot topin në rrjetë. Më pas, nisi Tirana. Al Ajmi, më i miri në fushën e lojës, bëri për vete gjithë publikun me elegancën e tij dhe me topat që furnizonte sulmin. Gjithsesi, pjesa e parë ishte e ekuilibruar me disa raste më shumë për Tiranën, e cila me më shumë kujdes mund të kishte shënuar. Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Rubio bëri sërish zëvendësime, duke ndryshuar të paktën tri herë skemën brenda takimit. Rastin më të mirë e ka sulmuesi nga Kameruni, Etogo, i cili nga shumë afër nuk e devijon dot topin në rrjetë. Edhe miqtë kanë dy raste të pastra me Tomaçek, por ky i fundit hipnotizohet nga Ilion Lika.
Epilogu – Një Tiranë e re që absolutisht të imponon respekt. Ndoshta me disi më shumë përgatitje fizike do të kishim një ndeshje më të mirë. Mungon “njeriu gol”, pasi Bala është ende shumë larg formës së tij, ndërsa Etogo duhet ende të ambientohet, gjithsesi ka shumë shpresë për t’u kualifikuar.

Tirana-Spartak Trnava 0-0

Kartonë të verdhë: Taku, Kërçiku/ Gogolak, Vsikocil
Gjyqtarë: Vladimir Kazmenko/ O.Tselovalnikov dhe M.Erovenko (RUS)
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Tirana: I.Lika, Taku, Pisha, Dushku, Kalari, Situma, Karabeci, G.Lika (Bala 46′), Kërçiku, Al Ajmi (Osmani 78′), Etogo (Heple 67′). Trajner: J.Sançez
Spartak Trnava: Raska, Koubski, Proshazka, Viskocil, Tomaçek (Biçak 85′), Malçarek, Hanzel, Kahran, Djalo, Kashçak, Petras (Gogolak 56′).
Trajner: Pavel Hoftish

Tekniku: Barazimi ishte i pranueshëm, s’gabova me zgjedhjet

Trajneri spanjoll i Tiranës ka shpalosur menjëherë karakterin e nxehtë të një mesdhetari, duke qenë i drejtpërdrejtë në të gjitha pyetjet. Sipas tij, barazimi ishte një rezultat i pranueshëm, duke parë që bardheblutë nuk ishin në 100 për qind të kondicionit që ai dëshiron të kenë. “Mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Që të dyja skuadrat i rrezikuan seriozisht portat respektive, pra si ne dhe ata mund të kishim shënuar. Sigurisht, më vjen keq që në dy raste të pastra të Etogosë dhe Balës nuk mundëm të shënonim, pasi tani do të ishim duke folur ndryshe, gjithsesi ekipi m’u përgjigj për ato gjëra që unë kërkova”, tha fillimisht Rubio në konferencën për shtyp pas takimit. Më tej, ai shpjegoi edhe lëvizjet e shumta që bëri në skuadër. “Unë para çdo ndeshje flas kokë më kokë me lojtarët. U them ballë për ballë se çfarë mendoj për ta dhe të njëjtën dua të më thonë edhe ata. Me aq fazë përgatitore sa kam bërë me këta futbollistë, them se sonte (dje) hodha në fushë ekipin më të mirë të mundshëm”, tha tekniku i Tiranës.

 

Presidenti Halili: I kënaqur me lojën, do të  kualifikohemi

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, beson se skuadra e tij mund ta kalojë turin e dytë ndaj sllovakëve të Spartak Trnavës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, pas ndeshjes ai pohoi se skuadra nuk ishte në gjendje të duhur fizike, por gjithsesi ka besim se mund të fitojë në ndeshjen e kthimit. “Pashë një Tiranë të re, një Tiranë që nuk mund të them se nuk më pëlqeu. Sigurisht, nëse do kishim fituar, do ishte tejet i lumtur, por nisur nga fakti se skuadra ka shumë pak kohë që stërvitet bashkë, pasi kemi pasur probleme pafund, edhe në fazën përgatitore mund të them se ishte një ekip i mirë. Më pëlqyen disa lojtarë të rinj dhe blerjet e reja natyrisht, të cilët treguan se mund t’i japin shumë kësaj Tirane. Unë besoj dhe jam i bindur se pas një jave do kemi një skuadër shumë më të fortë në Sllovaki”, ka pohuar Halili.

Trajneri i Spartak Trnavës: Tirana më impresionoi, por do ta mund

Trajneri i Spartak Trnavës është impresionuar nga pritja në Tiranë, por edhe nga vetë ekipi bardheblu. Gjithsesi, ai pohoi se është i bindur se mund të fitojë në ndeshjen e kthimit. “Jam shumë i impresionuar nga pritja që na u bë në Shqipëri dhe për këtë dua të falënderoj drejtuesit e Tiranës, por edhe shqiptarët në përgjithësi. Për sa i përket ndeshjes, mund të them se morën atë që deshëm. Barazimi është një rezultat i mirë, po të mendosh që në ndeshjen e kthimit do luajmë në shtëpi dhe atje ne jemi një skuadër shumë më e fortë. Gjithsesi, shpresova deri në fund që lojtarët e mi të mund të shënonin një gol. Patëm raste të pastra, por nuk i shfrytëzuam. Gjithsesi, jam i bindur që në ndeshjen e kthimit do të shënojmë një gol më shumë se Tirana, pasi nuk mundet që të pranojmë në asnjë rast ndonjë barazim me gola”, tha Hoftish.

 

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura