Dossier/ Tirana-Ajaks, si bardheblutë shtangën gjigantët e Europës me lojtarë borxh dhe këpucë të grisura

Sep 21, 2017 | 19:55
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

17 NËNTORI, si skuadër kampione, ka pasur fatin të luajë me tre klube elite të futbollit europian perëndimor, atë të periudhës 1965- ’70. Në vitin 1965 kundër Kilmarnok të Skocisë (0-0 dhe 0-1), më 1969 me Standard të Liezhit (3-0 dhe 1-1) dhe në shtatorin e 1970- ës ndaj Ajaks të Amsterdamit (2-2 dhe 0-2).

Uvil ZajmiNdonëse në vitin 1966 shorti e vuri përballë kampionëve norvegjezë, Valerenga IF Futboll, një takim që nuk u zhvillua për “tërheqje” të formacionit tiranas pak ditë para sfidave. Por, le t’u referohemi dy përplasjeve me titanët e ardhshëm të futbollit botëror: Ajaksin!

Cila ka qenë atmosfera, çfarë kujtojnë protagonistët, shtypi i kohës, nga momenti kur në Radio u dha shorti, ardhja e holandezëve, Krujfi në stol dhe aktivizimi i Kazanxhiut në pjesën e dytë, si dhe goli i realizuar prej tij që habiti amsterdamasit.

GOGLAT NË NION, 17 NËNTORI NË PLAZH TEK “ILIRIA”

Vetëm dy përballje kishte regjistruar futbolli shqiptar me atë holandez. Bëhej fjalë vetëm me skuadrat përfaqësuese, në fazën eliminatore të KB, Shqipëri-Holandë, duke i humbur të dyja me rezultatin 2-0. Ndërsa me klube për herë të parë: 17 Nëntori, me një cikël të papërsëritshëm, atë të viteve ’65-’70, me lojtarë me eksperiencë, traditë dhe karakteristika të futbollit klasik tiranas, ego, shpirt sakrifice, lojë të bukur, rezultate pozitive, triumfues e dominues si kampionë.

Edhe Ajaksi sapo ka nisur rrugëtimin e madh, me stilin dhe futbollin e ri, të një futbolli total me një grup lojtarësh që, ndonëse dy sezone më parë kishin humbur në finale 1-4 me Milanin, ishte klubi i së ardhmes. Skuadra vinte në Tiranë me pretendime dhe trajneri-gjeneral Rinus Mishels i kishte marrë të gjithë, Krujfin e ri, Hulshof, Surbier, Neskens etj.

Skuadra ne fushen e lojes

Por, ka një kuriozitet: Kur në qershor të 1970 zyrtarët e UEFA-s lëviznin goglat e kupës kampione të turit të parë, e kur ato caktuan sfidat 17 Nëntori-Ajaks, futbollistë e drejtues të klubit kryeqytetas janë në plazh, në kabinat tek “Iliria”, duke kaluar pushimet verore, një ritual tradicional ky në muajin qershor.

Kanë qenë atje kur nga lajmet e mesditës, ato të orës 15:00 në “Radio Tirana”, janë informuar për shortin, i cili u prit me entuziazëm. “Isha te Plepat, po pija një birrë në një lokal, sapo dëgjova lajmin në radio, u nisa me vrap t’ua thosha shokëve”, kujton Llaq Konomi për “Panorama Sport”.

AJAKSI NË TIRANË, KRUJF REZERVË…

Ajaksi erdhi një ditë para takimit dhe, si zakonisht, u sistemuan në hotel “Dajti”. Veshur bukur me kostume zyrtare, flokë të gjata, trupa shtatlartë, imponues, një imitim kohor i grupit të famshëm “Beatles”. Në mesditën e së martës zhvilluan një seancë njohëse në “Qemal Stafa”, e cila u ndoq nga shumë tifozë, kuriozë dhe nga futbollistët e 17 Nëntorit.

Të nesërmen në mesditë ndeshja, nën një diell e vapë sfilitëse, jo shumë komode për holandezët, në një stadium të tejmbushur. Me Ajaksin në Tiranë ishte edhe Krujfi, doli në stërvitje një ditë më parë, por qëndroi në stol gjatë takimit, pasi kishte të fashuar gjurin e këmbës së majtë. Nga të paktit që kishte informacion për të ishte trajner Alla.

“E shihni atë djalë, shumë shpejt do ta shihni sa futbollist i madh do bëhet”, iu drejtua disa miqve që kishte pranë. Edhe Ari Han ka qenë pjesë e skuadrës, por qëndroi në stol përkah Krujfit. Ndeshja u transmetua nga Radio Televizioni Shqiptar ende eksperimental nën komentin e Bellovës, Këlliçit që alternoheshin nga një pjesë loje, në radio e televizion.

Johan Krujf dhe Ari Han ne Qemal Stafa

“DAJTI” REFUZON USHQIMET HOLANDEZE

Duke qenë se Ajaksi vinte për herë të parë në Shqipëri dhe si një formë që shumë skuadra aplikojnë kur shkojnë në vende të panjohura, siç ishte për to Tirana e viteve ’70, klubi kishte sjellë një sasi të konsiderueshme ushqimesh me vete.

Por një veprim i tillë iu refuzua nga drejtuesit e hotel “Dajtit”. Ishte Mihal Kanini, shefi i kuzhinës, një mjeshtër dhe i njohur në këtë profesion, që kundërshtoi përdorimin e ushqimeve të sjella nga holandezët, kryesisht sallame.

Pati një reagim nga ana e tyre, por duke qenë i prerë në vendimin e tij, ata nuk e zgjatën. Madje, të nesërmen kur u larguan, çfarë kishin sjellë më vete ja shpërndanë personelit të hotel “Dajtit”. Vetëm Mihalit nuk i dhanë asgjë, pasi mendonin se kishte qenë ai personi që kishte urdhëruar e ndaluar përdorimin e tyre.

 

ALI PAZARI QË HABITI HOLANDEZËT

Nuk e kishin ndeshur në asnjë vend tjetër faktin që një njeri të sistemonte e ruante në një mënyrë tejet unike biçikletat e tifozëve para një ndeshjeje futbolli. Sapo kanë mbërritur në “Qemal Stafa”, kuriozë për të parë mjediset e tij rrethuese, atmosferën, kanë vënë re se të gjithë njerëzit vinin me biçikleta të të gjithë markave në stadium.

Madje, grupi i gazetarëve holandezë kanë parë në një kënd, në pjesën veriore (sot Pallati i Kongreseve) një personazh si në filmat Western, simpatik, i hollë, modern në veshje, i qeshur, komunikues e shumë popullor që ata i dorëzonin biçikletën dhe ai i vendoste njëra pas tjetrës, me një shpejtësi e siguri të rrallë.

Madje, duke e kapur në “ajër”, me një mjeshtëri të paparë, monedhën metalike që ata ja hidhnin nga largësia që ishte çmimi për ruajtjen e saj. Një fakt që i ka shtyrë të nxjerrin aparatet, ta fotografojnë e filmojnë Ali Pazarin e famshëm, i cili me mënyrën e tij ka komunikuar me ta, pasi fliste disa fjalë në gjuhë të huaj.

SHKRIMI TE SPORTI: “Ç’JANË KËTA, NGA NA MBINË”?

Por, për takimin u shkruajt të martën vijuese, pra pas disa ditëve, pasi “Sporti” dilte një herë në javë, gjithmonë të martën. Autori i saj “Koresp i Sportit Popullor” në artikullin me titull “Me besim në forcat e tyre, futbollistët mund të japin me tepër” shkruante: “Ajaksi (një emër i një heroi të mitologjisë greke) erdhi për t’u ndeshur me 17 Nëntorin i sigurt se fitoren e kishte në xhep.

Korteu ajaksian i përbërë nga drejtues, lojtarë e gazetarë me flokë të gjata, mjekra të dendura, aparate të shumta e larmi kostumesh me ngjyra ndezëse (ku nuk mungonin as minifundet), zbret rëndë-rëndë, plot pompozitet, tamam si në teatër shkallët e hotelit dhe i hipën autobusit që do t’i çojë në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’.

Flmuari i Ajaksit

Shumë kalimtarë ngrenë supet e pyesin njëritjetrin: ‘Po këta nga na mbinë? Ç’të jenë vallë? Njerëz apo karikatura?’ Kur merrnin vesh se cilët ishin, qeshnin me pamjen e tyre dhe bë- nin përpara duke menduar: ‘Po në futboll si do jenë’?”.

GANI XHAFA, PËRFORCIM I PREFERUAR I ALLËS

“Ishin disa takime që 17 Nëntori më merrte si përforcim, duke qenë i preferuar i trajnerit Alla. Madje në Liezh ndaj Standardit jam aktivizuar si mbrojtës i djathtë dhe më duhet të sqaroj se kam luajtur me emrin e Osman Memës e jo të Frashërit. Kur erdhi Ajaksi, një ditë përpara në stërvitje shkuam për t’i parë, qëndruam në tribunë.

Në Shqipëri ne luanim me topa kinezë, ndërsa në atë takim u luajt me topat e tyre, “Adidas”, dhe atë të ndeshjes e ruante arbitri. Bashkë me mua ishin edhe dy lojtarë të Dinamos, Çeço dhe Zhega i sapolarguar te Vllaznia. Në Holandë erdhi edhe një tjetër ish-dinamas, portieri Dinella”, rrëfen Gani Xhafa për “Panorama Sport”.

ILJAZ ÇEÇO, NGA STOLI NË FUSHË

“Çeço, do të të aktivizojmë në të dytën. Ajaksi është skuadër e fortë e na duhen forca të reja dhe kështu kemi menduar të luash në pjesën e dytë, – më thotë Lymi para ndeshjes. – Por, papritur, Enver Shehu, kur skuadrat ishin ende në korridor gati për të hyrë në fushë, vjen Shehu: ‘Zhvishu shpejt, do luash në vend të Xuxit, pasi atë nuk e lejon arbitri të futet në lojë’! I zënë në befasi, ‘nuk jam gati’, – i thashë. ‘Vish getat, merr fanellën me Nr.

Iljaz Ceco

14 dhe dil në fushë’, ishte përgjigjja në formë urdhri. U vonova pak dhe jam futur sapo Zhega, A. Mema dhe Hyka luajnë topin e parë në mesfushë për fillimin e ndeshjes. U them lojtarëve ‘mos më pasoni, jam pa nxemje, sa të marr veten’.

Pa ditur motivin dhe tërësisht i papërgatitur edhe psikologjikisht në pak minuta nuk kam ditur ku kam qenë. Jo vetëm për mua, por edhe për opinionin ishte e papritur. Sidoqoftë, në pak minuta, u orientova dhe më pas kam luajtur gjithë takimin, madje i kam pasuar Zhegës topin në golin e barazimit”, kujton Çeço.

FANELLAT, NDRYSHE NGA TRADITA

Para fillimit të takimit, holandezët shpërndanë për futbollistët disa topa të vegjël “Adidas” dhe nga një flamur, por, të urdhëruar, disa nga lojtarët refuzuan t’i marrin. Ndërkohë, 17 Nëntori, ndryshe nga uniforma tradicionale, nuk luajti me fanellat vertikale bardhë e blu, por me të tjera ngjyrë blu, të gjetura e marra nga magazinat e klubit.

Një tjetër surprizë kjo dhe e paparashikuar për atë takim… Pse dhe cili ishte motivi askush nuk kishte informacion të saktë. Po kështu edhe Ajaksi, i cili doli në fushë me fanellë ngjyrë vishnje. Edhe në takimin e kthimit holandezët luajtën me të njëjtën ngjyrë, pa përdorur atë tradicionale, të bardhë me shiritin e kuq vertikal në anësore.

Pritja e Stuy

HISTORIA E FOTOS, SI ASNJË TJETËR

Vetëm një foto e skuadrës së 17 Nëntorit ekziston nga ajo ndeshje, madje jo ajo tradicionale që bëhet para takimit, por një tjetër e fiksuar para se lojtarët tiranas të fillojnë nxehmjen. Dhe me një ndryshim esencial:

Në formacionin që doli në fushë nuk është Kazanxhi, i cili figuron në foton historike. Duke qenë se arbitri para ndeshjes, gjatë kontrollit rutinë të uniformës të lojtarëve konstatoi parregullsi në këpucët e tij, nuk e lejoi të futet në lojë. Në pamundësi për të gjetur të tjera ose rregulluar ato, u aktivizua Çeço, futja e pamenduar e të cilit krijoi një situatë të paqartë te gazetarët, kronistët e tifozët.

Në atë foto nuk është as Bukoviku, jo i përfshirë në formacion, edhe ky një tjetër fakt që habiti të pranishmit, kur ai kishte qenë titullar dhe lojtar kyç në shumë ndeshje kampionati si dhe kapiteni i skuadrës kundër Standard, një vit më parë.

KAZANXHI, GOL DHE “DYSHIME”

Ndonëse e treguam motivin pse Kazanxhi nuk luajti që në fillim të ndeshjes, ajo që vijoi është më interesante. Këpucari i 17 Nëntorit, Met Hyka i modifikoi këpucët me mjete rrethanore (problem ishin takat me shollë, model i vjetër), dhe më pas lojtari shfrytëzoi zëvendësimet në mesfushë si dhe mungesën e përqendrimit të arbitrave në minutën e 58- të.

Kazanxhi dhe Hulshof

Xuxi është futur në lojë dhe ka vijuar pa ia parë askush këpucët. Pa kaluar as një minutë gjuajti me kokë brenda zonës së vogël dhe realizoi golin e parë, pastaj Zhega shënoi në fund dhe ndeshja u barazua.

Ajo që habiti stafin holandez ishte fakti pse nuk luajti në fillim të takimit Kazanxhi, një lojtar gjigant, që më pas rezultoi vendimtar. Askush prej tyre nuk e dinte motivin e vërtetë, por e konsideruan si zgjedhje taktike të trajnerit shqiptar. Shumë më vonë janë informuar për këpucët e palejuara nga arbitri austriak.

MINUTA E FUNDIT, ME DHJETË LOJTARË

Në të tilla kushte janë zhvilluar dhjetë minutat e fundit të takimit. Duke qenë se dy lojtarët mbrojtës të 17 Nëntorit, Fatmir Frashëri e Perikli Dhales, pësuan dëmtime e ndonëse iu dha mjekimi nga stafi mjekësor tiranas (në kushte dhe instrumente tejet mediokre), në pamundësi zëvendësimi, pasi ishte kryer ai që lejonte rregullorja, ata kanë qëndruar në fushë.

Pikërisht në atë periudhë kur praktikisht 17 Nëntori luante me numër të kufizuar, pra me dhjetë lojtarë në fushë, është barazuar rezultati, pas atij kombinimi Zhega-Çeço-Zhega.

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura