“Tinguj nostalgjie” bën bashkë miqtë e shkollës

May 22, 2015 | 13:28
SHPËRNDAJE

Nostalgjia i ka rikthyer së bashku. Kanë kaluar më shumë se 15 vjet që kur ishin studentë dhe ëndërronin të këndonin duetin e famshëm mes Nadirit dhe Zurgasë nga “Peshkatarët e perlave”, ndërsa sot do të dalin para publikut me një koncert recital. 

Tenori Ergys Mita, pianistja Ardita Bufaj dhe bas-baritoni Sidrit Bejleri

Jeta i ndau dhe i ribashkoi. Njëri, një artist i famshëm tashmë në Shqipëri, pak “kameleon” siç e quan veten, karizmatik dhe i dashur nga publiku, tjetri me një nisje të mbarë në opera, por me një shkëputje 11-vjeçare në Amerikë e që sot kërkon të rigjejë veten në Tiranë. “Tinguj nostalgjie”, kështu titullohet koncerti që zhvillojnë sot në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit tenori Ergys Mita, bas-baritoni Sidrit Bejleri, shoqëruar në piano nga pianistja Ardita Bufaj Qafoku.

I ftuar, violinisti virtuoz Nikola Kondakçi, që do të interpretojë “meditation” të massenet dhe “Danza Espanola” të De Falla. Donizetti, Lehar, Bellini, Rossni, Bizet, Massenet, Tchaikovsky…

Një natë me disa nga ariet e romancat më të bukura të shkëputura nga repertori klasik botëror. “Është një koncert me të vërtetë nostalgjik. Së pari është vetë muzika klasike që e krijon këtë atmosferë, por edhe për faktin që viteve të fundit jam marrë edhe me projekte të tjera. Por kjo nuk do të thotë se jam shkëputur nga opera, sepse unë marr frymë me të. Kam marrë pjesë në shumë produksione të mëdha, si “Toska”, “Bohema”, “Gianni Schicchi”, “Dasma e Figaros”, për ta kurorëzuar fundin e sezonit me këtë recital bashkë me Ergys Mitën. Por nostalgjinë e lidh më shumë me faktin që pjesë e këtij programi janë vepra që nuk i kam kënduar asnjëherë më parë, ose materiale që i kemi kënduar shumë herët në Akademinë e Arteve. I kthehemi tani dhe kuptojmë se sa të vegjël kemi qenë në moshë, por edhe profesionalisht për të përballuar materiale të tilla, që janë kurora e arieve të repertorit botëror”, thotë Sidrit Bejleri, që viteve të fundit e kemi parë të angazhuar në projekte të ndryshme muzikore e spektakle televizive.

Në këtë koncert ai thotë se do të ketë mundësinë të këndojë arie që dikur vetëm i ka shijuar tek dëgjonte të tjerët t’i interpretonin emra të mëdhenj, si Boris Christov, Samuele Remi, Cesare Siepi. E tanimë i “rritur” do të mund të këndojë arien e Kontit nga “La Sonnanbula” apo një romancë dashurie të Tchaikovsky- t. Pjesë e nostalgjisë është edhe një arie shkëputur nga opera “Hirushja”, që sipas Bejlerit nuk është luajtur asnjëherë në TKOB, për shkak të specifikës së kësaj vepre dhe përgatitjes së këngëtarëve rosinianë. Por kulminacione të kësaj mbrëmjeje ai quan duetet e shkëputura nga operat “Elisir d’amore” dhe “Peshkatarët e perlave”.

Edhe pse në fillim pak mosbesues se do të mund t’ia dilnin ta realizonin këtë koncert në një kohë të shkurtër, Bejleri thotë se është i kënaqur që ia arritën dhe pianistja Ardita Bufaj, nuk ishte gabuar kur i nxiste me këmbëngulje që të caktonin datën e koncertit, pikërisht në fund të majit.

“Këto koncerte janë shumë të nevojshme për publikun dhe brezin e ri. Më kujtohet vetja kur vinim dhe shihnim koncerthollet. Artisti duhet të vjedhë nga artisti, i riu duhet të vjedhë nga më i rrituri, sepse është tjetër gjë ta dëgjosh në disk dhe tjetër gjë ta shohësh në skenë. Është si ai lojtari që shkon në stadium për të ndjekur ndeshjet, por vjen ora që të gjithë do të dalin në fushë. Do vijnë miq, shokë, që nuk më kanë parë në një koncert recital. Asnjëherë nuk e kam gjetur kohën për ta bërë diçka të tillë, për shkak të impenjimeve të tjera, dhe jam shumë i kënaqur që arrita ta realizoj.

Ardita lë paskuintat për “Nostalgjinë”

Të punosh me një piano të viteve ’60, do të thotë që tingullin më shumë ta mendosh e ta ndiesh. Pianistja e studios, Ardita Bufaj, është nga ata heronjtë e fshehtë, që rrinë pas kuintash, që punojnë me durim me këngëtarët lirikë në çdo produksion. Ajo është pianiste edhe e bas-baritonit Sidrit Bejleri dhe nuk e la për asnjë moment të qetë, derisa u vendos data e koncertit. “U bënë vite që punoj me Sidritin, jam pianiste personale e tij. Kam punuar në operat ‘Gianni Schicchi’ dhe ‘Dasma e Figaros’, ndërkohë që kam pasur bashkëpunime edhe me Ergysin. Ideja për të bërë një koncert të tillë me arie e romanca na ka lindur një muaj më parë. U bëra shtysë për këtë koncert, pasi për një artist është shumë e rëndësishme të dalë vetëm, pa një trupë dhe një orkestër pas, por vetëm me një piano në skenë. Jemi të emocionuar për të parë reagimin e publikut”, thotë ajo. Në koncertin e sotëm, përveçse do të shoqërojë këngëtarët dhe violinistin e ftuar Nikola Kondakçi, ajo do të luajë një vepër të shkruar vitet e fundit nga Hajg Zaharian, “Fjalët e qiririt”. Sa u takon kushteve të punës, ajo shpreson që me rikonstruksionin e operës të vijë edhe një piano e re.

Tenori Ergys Mita, rikthim pas 11 vjetësh

Për tenorin Ergys Mita, fillimet ishin të mbara në opera, por si shumë të tjerë edhe ai nuk i rezistoi dot tundimit të ëndrrës amerikane. Pas përfundimit të Akademisë së Arteve dhe një vit e gjysmë punë në opera, largohet drejt Amerikës. “Amerika nuk ofron shumë mundësi për muzikën klasike, sepse nuk ka treg. Ka pak opera dhe është më e prirë ndaj botës së spektaklit. Gjithçka është private dhe jam angazhuar në produksione të vogla”, tregon Ergysi. Është rikthyer në Tiranë prej gati 3 vitesh dhe po përpiqet që të rigjejë veten në fushën operistike. Zërat e tenorëve janë të rrallë në Shqipëri, madje mund të quhet një krizë për zërat mashkullorë, dhe për të do të ishte një rast i mirë për t’u rikthyer në opera, por edhe kjo nuk është e thjeshtë. Koncerti, së bashku me Sidrit Bejlerin e Ardita Bufajn, do të ishte një prezantim i mirë për të. Kur e pyet se si e gjeti operën, të përgjigjet: “Me problemet e veta, që kanë të bëjnë me mentalitetin shqiptar, me kulturën dhe disiplinën e punës, që është e vështirë të ndryshojë. Është një kulturë e rrënjosur, që vazhdon edhe te brezi e ri, e cila vështirë të ndryshojë me ndryshimin e drejtorëve. Megjithatë, kam shumë shpresë se gjërat do të lëvizin e do të ndryshojnë”.

 ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura