TIFF shfaq 4 filma të Viktor Gjikës, homazh në 80-vjetor

Nov 9, 2017 | 13:30
SHPËRNDAJE

Një homazh në 80-vjetorin e lindjes së regjisorit Viktor Gjika. Tirana International Film Festival-TIFF i ka kushtuar një seksion të veçantë mjeshtrit të kinemasë, duke përfshirë në kalendarin e vet katër nga veprat e tij më të njohura në gjininë e filmit artistik, “I teti në bronz” (1970), “Rrugë të bardha” (1974), “Njeriu me top” (1977) dhe “Në çdo stinë” (1980). Filmat në 35 mm po shfaqen prej datës 6 nëntor në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

njeriu me top

Sipas drejtores së AQSHF, Iris Elezi, “Secili prej tyre ka një kontribut të vazhdueshëm dhe nganjëherë kontrovers në kinematografinë e këtij vendi. Puna e Viktor Gjikës, si përcaktuese e zhanrit të filmit artistik dhe kryesisht e panjohur jashtë kufijve Shqipërisë, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë, të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës. I lindur në qytetin jugor të Korçës, ‘Parisit të Vogël’ të Shqipërisë, Viktor Gjika u rrit i mrekulluar nga shfaqjet e filmave në kinemanë e qytetit të tij, Majestic (salla më e madhe në Ballkan në atë kohë)”.

stine

Sipas një informacioni të përgatitur nga Elezi dhe Thomas Logoreci, “Gjatë gjithë jetës së tij artistike, Viktor Gjika realizoi pesëmbëdhjetë filma artistikë dhe njëzet e gjashtë dokumentarë. Gjika filloi karrierën e tij si kameraman në filmin e Hysen Hakanit “Debatik” (1961) dhe “Detyrë e posaçme” të Kristaq Dhamos (1963).

Pas realizimit të një sërë dokumentarësh, Gjika u kthye në regji me filmin “Komisari i dritës” (1966), duke mbajtur për dy dekada një nga shtyllat e kinemasë komuniste shqiptare. Për shumë shqiptarë, tituj të njohur si, “Horizonte të hapura” (1968), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Gjeneral gramafoni” (1978) janë kthyer në pika referimi kolektive për të rinjtë apo për më të vjetrit, duke anashkaluar kështu ideologjinë ndonjëherë të rëndë të pranishme në këto filma.

Në vitin 2012, Projekti i Kinemasë Shqiptare, një iniciativë e themeluar për të sjellë vëmendjen në trashëgiminë e rrezikuar filmike shqiptare, ka punuar me kompaninë amerikane ‘Colorlab’ për të financuar restaurimin e filmit “Nëntori i dytë” (1982) të Viktor Gjikës. Një nga më të kushtueshmit të realizuar në epokën e Kinostudios, ky film është një kronikë e gjerë mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi. Premiera e filmit të restauruar pati një shfaqje triumfuese në Tiranë në njëqindvjetorin e ngjarjeve të përshkruara në epikën e Gjikës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura