“T’i vrasësh rinisë shpresat, njësoj si Millosheviçi që dëbonte me forcë…”- Profesori i Ekonomisë: Jemi në kufijtë e varfërisë! Një familje jeton me 5.5 USD në ditë

Jan 14, 2021 | 12:07
SHPËRNDAJE

Profesori i Ekonomisë, Sherif Bundo i pranishëm në tryezën e Presidentit Meta për fenomenin e shpopullimit, ka bërë një deklaratë të fortë teksa është shprehur se: “t’i vrasësh rinisë shpresën është njësoj si ta dëbosh me forcë nga vendi. Është njësoj siç Sllobodan Millosheviçi dëbonte me forcë shqiptarët nga Kosova”.

Profesor Bundo ka publikuar një studim për situatën ekonominë në Shqipëri, teksa tha se të ardhurat familjare janë më të ulëtat në rajon. Ai u shpreh se një familje po jeton me 104-105 euro në muaj, teksa shtoi se kjo tregon se jemi në kufijtë e varfërisë si vend.

“Shpopullimi është një temë shqetësuese që duhet të bashkojë të gjithë faktorët politikë, institucionet dhe shoqërinë. Falenderoj Presidentin Meta, që si burrë shteti, i ka dalë ballazi këtij fenomeni, që duhet shndërruar në një temë kombëtare. Kush nuk mendon për të frenuar këtë fatkeqësi kombëtare, nuk i shërben interesave kombëtare.

Roli kryesor në menaxhimin e kësaj fatkeqësi kombëtare i takon qeverisë, që nuk po tregon vullnetin e duhur dhe vizionin për ta frenuar.

Në Shqipëri të ardhurat mujore për një familje në nevojë janë diku tek 104-105 euro. Kjo është shqetësuese sepse jemi në kufijtë e varfërisë dhe në vendin e fundit në rajon, sa i përket të dhënave tronditëse për këtë kategori.

Niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është dy herë më i lartë në vendin tonë se sa në të gjithë rajonin”, tha Bundo. Një tjetër fenomen negativ për vendin tonë sipas Bundos është edhe rënia e remitancave.  “Të ardhurat nga remitancat kanë rënë në vendin tonë, por në Shqipëri kanë rënë më shumë se çdo vend tjetër”, tha ai.

LARGIMET

Duke folur për fenomenin e largimeve, Sherif Bundo u shpreh se: “Po largohet nga Shqipëria grupmosha më energjike dhe më e kualifikuar, tregues tepër tronditës.

Numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike është rritur dhe kjo tregon thellimin e varfërisë në vend, duke u shndërruar në potencial të mundshëm për largimin.

Nevojiten strategji të mirëfillta për të menaxhuar varfërinë dhe për ta reduktuar këtë fenomen.

Thellimi i varfërisë, veçanërisht në dy vitet e fundit është përkeqësuar dhe kjo është një nga arsyet kryesore të shpopullimit”.emigrimi
LEXO STUDIMIN E PLOTE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura