“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, sepse Shqipërinë s’e lanë vetëm

Feb 18, 2020 | 10:40
SHPËRNDAJE

ASTRIT PATOZIAstrit=Patozi

Sot është një ditë e bekuar, për të kuptuar se ëndrra e shqiptarëve për Europën shkon përtej sloganeve të lodhura politike për integrimin. Dhe se vetë ai proces nuk ka parasysh një vizë më pak apo më shumë në pasaportat tona. Por mbi të gjitha, për t’u bindur se anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete dhe kurrsesi stacioni i fundit në rrugëtimin politik të shqiptarëve për krah popujve të tjerë.

Mirënjohje për çdo cent të bujarisë së çdo vendi, që vendosi të ndajë “kafshatën” e vet me Shqipërinë e traumatizuar dhe kërrusur nga tragjedia e tërmetit rrënues të 26 nëntorit. Më shumë se vlera e pabesueshme e ndihmës së mbledhur në Konferencën e Donatorëve, plotësisht e mjaftueshme për rindërtimin e plotë, ka rëndësi shprehja e shkëlqyer e solidaritetit ndërkombëtar për fatkeqësinë tonë!

Gjithçka ishte fantastike. Falë miqve jo vetëm europianë të Shqipërisë, që u përgjigjën sot në Bruksel, ka realisht kuptim deviza e huazuar nga himni i klubit të Liverpulit. Vetëm sot, të dëmtuarit nga tërmeti mund të marrin frymë të lehtësuar. Ata “nuk do të jenë asnjëherë vetëm”, sepse Shqipërinë miqtë nuk e lanë vetëm të vuante hallin e saj.

Sepse në rast se kjo nuk do të ndodhte, fatura e madhe e tërmetit do të ishte një kosto e papërballueshme, që do t’u mbivihej pamëshirshëm mbi shpinë dështimeve të qeverisë. Natyrisht, në dëm të atyre që u prekën nga tërmeti në radhë të parë dhe tërthorazi pastaj, të të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Dhe këtë nuk mund ta dinte as edhe europiani më i thekur në Shqipëri dhe jashtë saj. Sepse shfaqje të tilla pozitiviteti janë po aq të paparashikueshme, sa edhe vetë tërmetet.

Sot është një ditë kur duhet të anashkalohen të gjitha të këqijat, edhe sepse e ka brenda përgjigjen e merituar për “sovranistët” e lodhur të Tiranës, që për interesat meskine dhe llogaritë e tyre të prishura e vënë herë pas here në dyshim raportin tonë me partnerët perëndimorë. Do të mjaftonte ajo që ndodhi sot në Bruksel, për t’i refuzuar dhe mëshiruar ata.

Dhe në fund fare, qeveria do të bënte mirë që të na i kursente krekosjet dhe mburrjet për një meritë që nuk është e saj. Ajo duhet të përveshë mëngët kokulur dhe të nisë pa humbur kohë rindërtimin, duke shmangur standardet dhe veset e veta famëkeqe me fondet publike, por mbi ta gjitha, duke u fokusuar te transparenca. Sepse praktikisht, është i vetmi kërcënim për ta shkatërruar apo prishur këtë mrekulli, që prodhoi sot Brukseli për Shqipërinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura