“T’i mbarova dy porosi”/ Falsifikatori i vizave, bashkëjetuesi i specialistes së Trafiqeve. Zbardhen përgjimet

May 18, 2018 | 12:35
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Mes 17 personave që u arrestuan dy ditë më parë gjatë operacionit për goditjen e rrjetit të falsifikimit të vizave për në SHBA, Kanada e Angli, ishin edhe dy efektivë të Policisë së Tiranës që kishin role të rëndësishme në këtë grup të strukturuar.

laboratori

Bëhet fjalë për efektivin e Qarkullimit Rrugor, Arian Uku dhe specialisten e Trafiqeve të Paligjshme, Entela Çala, të dy pjesë e Policisë së Tiranës. Vetë drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, gjatë konferencës për shtyp tha se në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e dy punonjësve të policisë, Entela Çala dhe Arian Uku.

Sipas tij, duke shpërdoruar detyrën, ata kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës si punonjës policie.

Burimet thanë se, në funksion të hetimeve të kryera në bashkëpunim me SHÇBA dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë përdorur metodat speciale për sigurimin e provave. Në dosje hetimore, janë renditur si prova edhe përgjimi i bisedave mes efektivit Rrugor, Arian Uku dhe bashkëjetuesit të specialistes së Trafiqeve, Entela Çala.

Në një nga bisedat e përgjuara, i dashuri i Çalës, i cili dyshohet se kishte rolin e falsifikatorit të vizave, i kthen përgjigje Ukut, duke i thënë se i kishte mbaruar dy porositë që ai i kishte lënë. Gjatë konferencës për shtyp, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, i shoqëruar edhe nga drejtoresha e SHÇBA, Anila Trimi dhe prokurori i çështjes, Vladimir Mara, bëri publike disa detaje nga operacioni.

Ai tha se janë dokumentuar disa episode ku personat e mësipërm kanë falsifikuar dokumenteve të udhëtimit dhe kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit disa shtetasve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura