“Ti erdhe nga hiçi e u bëre ministër; unë nuk shkoj me gruan e tjetrit”/ Debati i plotë Mustafaj-Rama për Tiranën në vitin 2000

Jul 24, 2018 | 13:45
SHPËRNDAJE

“Super debati i Tiranës”, kështu është cilësuar nga drejtuesi i “Opinion” Blendi Fevziu debati i 18 viteve më parë mes kandidatëve për kreun e bashkisë Tiranë, Besnik Mustafaj dhe Edi Rama.

Debati Rama-Mustafaj ka qenë i fundit i zhvilluar për garën e kryeqytetit. Që prej asaj kohe kandidatët për bashkinë më të madhe të vendit nuk kanë pranuar të dalin më në një ballafaqim publik. Secili nga kandidatët prezantoi përpara publikut 5 pikat e platformës elektorale.

DEBATI I PLOTË EDI RAMA – BESNIK MUSTAFAJ

Blendi Fevziu: Mirëmbrëma. Ju flas nga salla e “Rubairave”, ku sapo ka filluar ose janë momentet e para të fillimit të atij që unë e kam quajtur “super debati i Tiranës”. Pra debati midis dy kandidatëve kryesorë, përfaqësues të partive më të mëdha politike në vend, natyrisht edhe në Tiranë, zotit Mustafaj, përfaqësues i Partisë Demokratike dhe zotit Edi Rama, përfaqësues i Partisë Socialiste. Është një debat, i cili është pjesë e serisë së debateve të organizuara nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Televizioni Klan.

Katër prej këtyre debateve, ato të rretheve Shkodër, Vlorë, Durrës dhe tashmë Tiranë, ju i keni ndjekur direkt nga valët tona. Ky debat, i cili do të jetë dhe mbyllja e serisë së debateve ose ballafaqimeve direkete midis kandidatëve, do të pasohet më pas nga intervista e disa prej kandidatëve kryesorë për Bashkinë e Tiranës, të cilët do të vijnë në Televizionin Klan në ditët e ardhshme për t’u mbyllur në datat 28-29 me zotërinjtë Mustafa dhe Rama.

Ju flas nga teatri i “Rubairave”, ku salla është e mbushur me mbështetësit e dy kandidatëve, të Partisë Demokratike në të djathtën time dhe të Partisë Socialiste në të majtën time.

Sipas rregullave të debatit, të përcaktuara që nga debatet e tjera, salla është inaktive, nuk mund të marrë pjesë në debat. Është mirë që të mos drejtojë pyetje dhe të mos replikojë me dy kandidatët kryesorë.

Duke patur parasysh një eksperiencë, e cila vjen nga Shkodra, Vlora dhe Durrësi, tre qytete ku unë mendoja që tensionet politike do të ishin të mprehta dhe ballafaqimet mes kandidatëve do të ishin të tensionuara, unë shpresoj që edhe debati i Tiranës do të ndjekë shembullin e tyre, ku ndodhi e kundërta. Ka patur një debat mjaft normal dhe serioz dhe unë mund të them që pjesa kryesore e kësaj fushate është pikërisht emancipimi i kandidatëve dhe xhentilesa midis tyre, nëse mund ta quajmë kështu.

Megjithatë po falenderoj edhe një herë zotin Mustafaj dhe Rama që janë të pranishëm sot këtu. I bëj edhe një herë thirrje ndjenjës qytetare të të dyve për të qenë të qetë me njëri-tjetrin dhe në mirëkuptim. Shpresoj që të dy po buzëqeshin, megjithëse më parë nuk ia dhanë dorën njëri-tjetrit. Atëherë e kanë dhënë dorën më parë, para se kamerat të ishin të fokusuara.

Kalojmë në pikat direkte të këtij debati. Ashtu sikurse e keni parë edhe në rrethet e tjera, ka një platformë pyetjesh, të cilat nuk janë të ndryshuara dhe që duhet t’iu përgjigjen të dy kandidatët njëkohësisht.

Duke filluar me pyetjen e parë, përpara se të falenderoj edhe kolegun tim, Reis Çiço, i cili dje ka qenë i gatshëm të më zëvendësonte në këtë debat të vështirë, që është edhe këtu i pranishëm, në këtë sallë.

Përpara se të kaloj në pyetjet, do kërkoj një mirëkuptim midis dy kandidatëve. Cili do të jetë i gatshëm të flasë i pari? Nëse dy kandidatët nuk e vendosin dot, dikush nga salla të më japë një monedhë që ta hedhim me short. Besnik, kalin apo monedhën?

Besnik Mustafaj: Figurën.

Blendi Fevziu: Leku. Do të flasë i pari zoti Rama. Ndoshta ishte një truk fare i mirë për ta ç’tensionuar situatën deri diku të tensinuar në momentet e fundit. Po kaloj te pyetjet direkte. Zoti Rama, meqënëse leku ishte shansi juaj.

Edi Rama: Kokë i themi nga anët tona…

Blendi Fevziu: Cila ishte arsyeja që ju shtyu të kandidonit? Ju keni bërë një spot publicitar, ku keni thënë: “Po lë një ishull”. Pyetja ime është direkte: Pse do ta lini këtë ishull?

Edi Rama: Besoj që arsyeja për të kandiduar është një arsye që nuk është se është shumë e ndryshme midis gjithë kandidatëve që marrin përsipër një garë të tillë. Gjithsesi unë do të mundohem ta përkufizoj në shumë pak fjalë, duke thënë që unë e ndjej thellë në shpirt që kam diçka të rëndësishme për të dhënë për Tiranën dhe sidomos në këtë periudhë të vështirë që Tirana kalon. Unë mendoj që Tirana, qytetarët e saj, të gjithë ne që jemi këtu në sallë, pa dallim nga njëri-tjetri, meritojmë më shumë se ç’ofron sot qyteti ynë. Mendimi im është që Tirana sot nuk ka as qeverinë që meriton dhe as qeverisjen që i duhet. Unë mendoj që me kandidimin tim, ose më saktë kandidimi im është shprehje e një bindjeje që unë mund të bëhem bashkë me miqtë dhe kolegët e mi promotor i hapjes së një kapitulli të ri për Tiranën, nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha hapësirave të reja ligjore për pushtetin vendor, nëpërmjet krijimit të një ure solide bashkëpunimi me qeverinë qendrore, si dhe nëpërmjet krijimit të një strukture moderne të qeverisjes vendore, e cila do të mund të përmbajë brenda vetes të gjithë faktorët shoqërorë të progresit. Këtu kam parasysh një rrjet tashmë të konsoliduar të shoqërisë civile, një komunitet të konsoliduar të biznesit…

Blendi Fevziu: Mund të m’i shpjegoni më pas këto.

Edi Rama: Mbi të gjitha unë jam i bindur që komuniteti në kryeqytet është krejtësisht i përgatitur për të hedhur një hap ndryshues dhe unë jam i gatshëm që të marr përsipër koordinimin e këtij procesi të ndryshimit.

Blendi Fevziu: Faleminderit. Zoti Mustafaj, pyetja natyrisht është e njëjta dhe për ju. Çfarë e shtyn një shkrimtar të lërë studion dhe librat e tij për t’iu futur një pune mjaft të vështirë, siç është administrimi i qytetit dhe aq më tepër një qyteti si Tirana.

Besnik Mustafaj: Blendi, ti përmende punën e shkrimtarit, por unë mendoj se në këtë aspekt që po flasim, pra për angazhimin politik, sepse të kandidosh për kryetar bashkie të Tiranës është një angazhim politik dhe në këtë kuptim nuk ka shumë vlerë të më ushtrohet mua… Unë kam 10 vjet që merrem me politikë. Politikën e kam filluar në Tiranë, jam deputet në zgjedhjet e para të lira në Tiranë. Nuk i jam ndarë politikës, kam ushtruar funksione të ndryshme në politikë dhe në administratë. Pra unë kam qenë dhe mbetem një shkrimtar që është marrë në mënyrë aktive me politikë. Më vjen mirë që ti e shtron, por pyetja mund të shtrohet për zotrin Rama, i cili deri para 2 vitesh ishte një hiç në kuptimin politik të fjalës sepse u mor nga hiçi dhe u bë ministër. Duke qenë një pyetje standarde unë e pranoj, por në kuptimin e angazhimit tim personal është krejtësisht…

Blendi Fevziu: Jo, unë fola për motivin konkret për Tiranën.

Besnik Mustafaj: Motivi konkret është një motiv i përgjithshëm një herë sepse nuk mund të jetë vetëm konkret ,sepse edhe të bëhesh patetik nuk është rasti mendoj unë. Është motivi i përgjithshëm që lidhet me një dëshirë timen, me një vullnet timin për t’u marrë me politikë dhe motivi konkret, unë bashkohem me mendimin që tha zoti Rama që Shqipëria nuk ka qeveri dhe në këtë kuptim, duke mos patur qeverisje…

DEBATIN E PLOTE TE ZBARDHUR NGA TVKLAN.AL E LEXONI NE LINKUN

https://tvklan.al/debati-rama-mustafaj-per-tiranen-18-vjet-me-pare-ne-opinion-video-arkiv/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura