T’i besohet qeverisë apo zgjedhje të reja

Jun 18, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150

LEONIDHA MËRTIRI

Me nismën e Kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, Parlamenti do të diskutojë për shkarkimin e Vladimir Leposaviç, ministër i Drejtësisë, të të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, lidhur me deklaratën e tij për Srebrenicën, ku mohohet gjenocidi i serbëve kundër popullsisë vendase, duke iu kundërvënë dhe Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë. Përballë kësaj, partnerët në koalicionin qeverisës vunë alternativën: Nëse votohet shkarkimi i tij, pavarësisht bie apo jo Kryeministri aktual, nuk mund të ketë më tej mbështetjen e partive të koalicionit. Qartazi, ultimatum nga njerëzit e vet në pushtet.

Sipas mediave malazeze, Krivokapiç do të zëvendësohet nga kryetari i partisë “Demos”, Miodrag Lekiç. Ditët e tij, siç thuhet, “janë të numëruara”. Por Kryeministri i ka siguruar gazetarët se ai nuk do të japë dorëheqjen, ndërsa po largohej nga seanca parlamentare.

Kërcënimet si këto janë të njohura tashmë. Ato të sjellin të njëjtat e muajve më parë, si ato të kreut të partisë “Fronti Demokratik” proserb, në prag të zgjedhjeve të fundit, kur ishin në opozitë, se qenë të gatshëm “të nxirrnin armët e fshehura”. Një opozitë kjo, me gishtin gjithmonë në këmbëz për të zgjuar e mandej për të rritur jetëgjatësinë e tensioneve në vend. E grumbulluar rreth bllokut opozitar me tri koalicione: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, drejtuar nga Zdravko Krivokapiç, “Paqja është kombi ynë” me Aleksa Beçiç dhe “E zeza në të bardhë” me kreun e “Ura-s”, Dritan Abazoviç ajo fitoi zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të vitit të kaluar, me 32.63 të votave, ku Partia Demokrate e Socialistëve e Millo Gjukanoviç, prej tri dekadash në pushtet, i humbi zgjedhjet me diferencë shumë të vogël.

Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017. Në 2012-ën ai filloi negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ardhja në pushtet e koalicionit proserb dhe prorus u dha më tepër zemër serbëve. Ndërkohë, Kisha Ortodokse Serbe mori në këtë situatë të favorshme për të, revansh të ri. Duket, qeveria aktuale dhe koalicionet që e përbëjnë atë, i druhen sadopak një farë devijimi të mundshëm të kryeministrit, megjithëse synimi gjatë kësaj periudhe, edhe pse një kohë e shkurtër qeverisjeje, për disa deformime përmes aktesh institucionale, flasin për të kundërtën e tyre.

Nga ana tjetër, provat e dhëna prej saj ndaj Serbisë dhe Rusisë nuk ndryshojnë nga ato të një zëdhënësi, që përcjell besnikërisht zërin e tyre. Mbi dy muaj më parë, deklarata e qeverisë së Krivokapiç i kthehej bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës, duke përcjellë politikën e njohur të Beogradit. Përpjekje këto që çuditërisht, një vend, anëtar i NATO-s, e vë këtë në pozitat e agresorit(?!). Pra, politika, që herë shfaqen në dritë të diellit dhe herë të fshehura, që rrinë ndezur ndën hirin e nxehtë. Apo mosnjohja e masakrës së Srebrenicës. Ajo nuk erdhi rastësisht nga ministri i Drejtësisë, Leposaviç. Në fund të vitit të kaluar, shumica e anëtarëve të qeverisë së Krivokapiç votoi kundër rezolutës së propozuar nga partia e boshnjakëve për njohjen e gjenocidit të Srebrenicës. Por me këtë nuk mund të pajtohej kurrsesi faktori ndërkombëtar. Ishte reagimi, presioni i tij i menjëhershëm që e bëri dhe kryeministrin e sotëm të kërkonte dorëheqjen e anëtarit të tij të kabinetit.

Kështu, vështirë t’i besohet qeverisë së sotme të Malit të Zi, kursit të saj antiperëndimor, qoftë ky dhe i luhatur, ushqyer nga forcat proserbe në rrugën përgjatë integrimit europian të vendit. Duket që Mali i Zi nuk po gjen qetësi. Pavarësisht ikjes apo rënies së mundshme të kryeministrit Krivokapiç, pyetja, nëse malazeztë do t’i besojnë qeverisë apo do të shkojnë në zgjedhje të reja, bëhet më e pranishme. Mundësitë janë më tepër për këtë të fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura