Thumanë-Kashar me koncesion, shpallet fituesi i tenderit

Jul 17, 2018 | 8:48
SHPËRNDAJE

Autostrada ThumanëKashar do të ndërtohet me koncesion. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka shpallur fituese të tenderit kompaninë “Gener 2”.

Thumanë-Kashar

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës Thumanë – FushëKrujë – Vorë – Kashar do të jepet me koncesion dhe kohëzgjatja e kontratës do të jetë për 13 vjet. Fatura për ndërtimin e rrugës do të jetë 225,8 milionë euro. Sipas njoftimit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, në tender kanë marrë pjesë edhe 3 kompani të tjera, si “Gjikuria”, “Alpin” dhe “Gruppo Adige Bitumi”.

Kompanitë e tjera janë skualifikuar, pasi sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike vlerat e propozuara për ndërtimin e rrugës, kanë qenë më të lartë se vlera maksimale që ka përllogaritur Ministria e Infrastrukturës për projektin. Autostrada do të jetë 20,8 km e gjatë. Rruga e re do të nisë nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë– Krujës. Gjurma e rrugës vijon me një kthesë djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të FushëKrujës.

Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krah të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë-Durrës).

Ky është projekti i dytë në infrastrukturë që qeveria jep me koncesion në programin “1 miliard euro investime”, pas Rrugës së Arbrit, në të cilën kanë nisur punimet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura