Thuaji po arsyes!

Apr 19, 2021 | 9:57
SHPËRNDAJE

ZIJA ÇELA

zija cela

“Në këtë Fazë, ndryshe nga çfarë pritej (gjykuar nga talenti virtuoz i vitit 2017), Marshalli nuk po shkëlqen, ndonëse po imiton edhe Lulin, duke luajtur në disa emisione TV, “djalin e mirë” të qytetit tonë të ndotur. Megjithatë, kanë mbetur pak ditë, nuk kemi përse të parashikojmë! Spektakli vijon…”

Nëse kundërshton dikë, nuk do të thotë patjetër se nuk e dashke. Por edhe të duash pa mospajtime, është njësoj si të rrosh qyq vetëm.

Prandaj bëhet i domosdoshëm debati si shkëmbim mendimesh, madje më tepër shkëmbim pikëpamjesh.

Veçse ai i shëndetshmi, për të cilin ka një kusht paraprak.

Sipas meje, sado njerëz modernë, ne ende ruajmë shpirtin e provincës, si një vend ku debati i ideve kthehet gjithnjë në mëri personale dhe sherr ambulant.

Zhurma, që trumbetohet aq shumë nga xhagajdurët, është tym për realitetin.

Heshtja, që lakmohet aq shumë nga burracakët, është letargji për demokracinë.

Askush s’mund të jetë hero, duke mbyllur gojën. Por, edhe sikur njëqind vjet të jetojnë, ka njerëz që nuk lindin për të parë ëndrrën e të gjithëve, sepse i tillë është UNi i tyre. Kush pandeh se zotëron të vërtetën absolute, në absolutizëm do të bjerë. Kush sheh vetëm errësirë, nga fobia e dritës do të përndiqet.

Në kaosin verbal para zgjedhjeve politike, të shumtë janë njerëzit e thjeshtë që shushaten. A thua vrasin mendjen, duke vështruar yjet dhe duke e pritur përgjigjen nga qielli?! E pra, përgjigjja në këtë rast mund të gjendet më lehtë. E si?

Me Zotin në zemër, THUAJI PO ARSYES!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura