Thirrjet ‘Rroftë Enver Hoxha’ te Nëntori i Dytë. Skenaristit Blushi dhe operatori zërit Konduri tregojnë të vërtetën e tyre

Dec 12, 2017 | 17:51
SHPËRNDAJE

Sot, në media u shkrua se në filmin Nëntori i Dytë, dëgjohej “Rroftë Enver Hoxha”. Lajmi dhe video u botuan sëpari nga portali Tirana Today.

““Nëntori i Dytë” si shumë filma të tjerë as ky prodhim kinematografik nuk i ka shpëtuar dot propagandës së regjimit komunist edhe pse përshkruan vitin 1912 dhe udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur flamurin kombëtar,”- thuhej ndër të tjera në shkrim.

Menjëherë pas këtij lajmi reaguan skenaristi dhe inxhinieri i audios në filmin Nëntori i Dytë. Ekskluzivisht për Dritare.net, Kiço Blushi dhe Spiro Konduri e përgënjeshtruan lajmin, duke e quajtur të turpshëm.

“Nuk ka asnjë mundësi të ketë ndodhur kjo gjë. Për mua është hera e parë që e dëgjoj, është e turpshme të përflitet filmi e të thuhen gjëra të tilla, pa u konfirmuar më parë. Nuk ka asnjë mundësi që në film të jenë përdorur elemente propagandistike për Enver Hoxhën, pasi mbi të gjitha ai nuk kishte asnjë lidhje me tematikën e filmit,”-thotë për Dritare.net, skenaristi i filmit, shkrimtari i njohur shqiptar Kiço Blushi.

Ndërkohë, tekniku i zërit i këtij dhe shumë filmave të tjerë shqiptarë, Spiro Konduri sqaron për Dritare.net , se mund të bëhet fjalë për regjistrimin e filmit mbi një shirit të përdorur më parë.

“Nuk është aspak e vërtetë që në film të jetë përmendur shprehja ‘Rroftë Enver Hoxha’. Kjo gjë është e pamundur.

Ajo çka mund të ketë ndodhur është se filmi mund të jetë regjistruar në një shirit, në të cilin është regjistruar më parë. Pra, aty ka pasur mbetje ose filma manjetik. Arkivi i parë, kur janë bërë filmat nuk ka pasur CD, ndaj kur është hedhur filmi Nëntori i Dytë, ka qenë e regjistruar më parë. Kjo quhet efekti i kopjimit.

Mund të duket e çuditshme që ka mbetur pikërisht ajo shprehje, por kështu ka ndodhur. Filmi Nëntori i Dytë është regjistruar mbi shiritin në të cilin ka qenë diçka për Enver Hoxhën. Një njeri që është marrë me këto punë e kupton shumë mirë dhe kur e lexon një lajm të tillë do të ulërinte, me interpretimet që po i jepen,”-shpjegon për Dritare.net Spiro Konduri.

“Nëntori i Dytë” është një prej filmave më të njohur shqiptarë, i cili tregon shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Me një kast aktorësh të jashtëzakonshëm, në film tregohet rrugëtimi i Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur flamurin kombëtar. Ismail Qemali interpretohej prej aktorit të madh shqiptar Sandër Prosi, i cili do të ngrihej nga varri, po të lexonte çuditë made in Albania 2017./Dritare.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura