Thirrje për aplikim/ Nëpunës për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura

May 18, 2020 | 15:02
SHPËRNDAJE

Thirrje për aplikim

Nëpunës për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura

Projekti “Drejtësi për të Gjithë” në Shqipëri (më poshtë “Projekti”), i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është hartuar për të përmirësuar performancën e gjykatave shqiptare, përmes rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së gjykatave, me qëllim përfundimtar rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi gjyqësor. Në kuadër të Projektit, një nga Rezultatet e Pritshme është që gjykatat t’i kryejnë funksionet e tyre në mënyrë më efikase, si dhe të shmangin seancat joproduktive dhe vonesat e panevojshme. Në mbështetje të këtij rezultati, Projekti ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Gjykatën e Lartë (GJL) për ngritjen e një ekipi Nëpunësish për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura (NUNÇP), duke ofruar kështu mbështetje në drejtim të një pune më efikase për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore, parandalimin dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.

Parimi themelor i ngritjes së ekipit të NUNÇP është rritja e ritmit me të cilin trajtohen çështjet gjyqësore, për të mundësuar që këshilltarët ligjorë të përqendrohen më tepër te relacioni i çështjeve, sesa te detyrat administrative. Një përgatitje më efikase e çështjeve do të bëjë të mundur që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë ta rrisin numrin e çështjeve që ata përfundojnë/mbyllin çdo muaj.

Personat e interesuar duhet të dorëzojnë një paketë të plotë aplikimi në adresën: [email protected] jo më vonë se afati përfundimtar: ora 17:00, e premte, datë 22 maj 2020.

Paketa e plotë e aplikimit do të përfshijë:

  1. Një letër të shprehjes së interesit, ku të shpjegoni se si i plotësoni të gjitha kualifikimet minimale (lexojini ato më poshtë);
  2. Një CV me informacion të përditësuar;
  3. Emrat dhe detajet e kontaktit (pra, adresën elektronike dhe numrin e telefonit) të tri referencave tuaja profesionale më të fundit;
  4. Një certifikatë aktuale, ku të tregohet se nuk keni qenë i/e dënuar më parë dhe se nuk keni çështje të hapura penale;
  5. Një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të thotë se nuk keni asnjë pjesëtar të familjes që punon në Gjykatën e Lartë ose në Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nuk jeni palë në ndonjë çështje të depozituar në Gjykatën e Lartë, që nuk jeni avokat që përfaqëson ndonjë çështje në Gjykatën e Lartë dhe që nuk keni asnjë tjetër konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin tuaj në pozicionin e Nëpunësit për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura.

Kandidatët e interesuar, të cilët kanë pyetje, mund t’i paraqesin ato vetëm në adresën: [email protected]. Përjashtohet mundësia që kandidatët të kontaktojnë Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë Gjyqësor ose Projektin “Drejtësi për të Gjithë” në ndonjë mënyrë tjetër.

Paketat jo të plota të aplikimit nuk do të merren në konsideratë.

Hollësitë për kandidatët e interesuar dhe kërkesat minimale gjenden në vijim:

Kohëzgjatja e kontratës fillestare të punësimit: Data e marrjes në punë deri më 28 shkurt 2021

Vendi i punës:                                                       Tiranë, Shqipëri

Orët e punës:                                                                    40 orë në javë, nga e hëna në të premte

Paga mujore bruto:                                              87,700 LEK

Kërkesat minimale:

  • Të jetë diplomuar në drejtësi nga një universitet i akredituar, pas përfundimit të ciklit të dytë të studimeve. Kandidatët që kanë edhe një diplomë “Master i shkencave” në drejtësi, po ashtu nga një universitet i akredituar, do të kenë përparësi;
  • Të ketë përvojë profesionale jo më pak se 2 (dy) vjet në një prej këtyre: në sistemin gjyqësor ose në prokurori, në një pozicion juristi brenda administratës publike, në një nga profesionet e lira të ligjit, në profesionin e avokatit, ose në ndonjë pozicion tjetër ekuivalent në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare. Kombinimi i përvojës praktike të lartpërmendur me mësimdhënien në fushën e drejtësisë do të merret në konsideratë;
  • Kandidatët që kanë kaluar provimin e avokatisë do të kenë përparësi, por ky provim nuk është një kusht i detyrueshëm;
  • Të jetë në gjendje të kryejë dhe dokumentojë kërkime gjithëpërfshirëse ligjore;
  • Të ketë njohuri për jurisprudencën e gjykatave kombëtare, ndërsa njohuritë për jurisprudencën ndërkombëtare do të konsiderohen një plus;
  • Të ketë njohuri për paketën e ligjeve të reformës, si dhe ndryshimet përkatëse në kodet e procedurave, aktualisht në fuqi;
  • Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi me shkrim dhe me gojë;
  • Të jetë i/e organizuar dhe i/e orientuar në detaje;
  • Të mos jetë pushuar nga puna për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masa disiplinore në fuqi;
  • Të mos ketë çështje penale të regjistruara dhe të mos jetë në hetim penal.

Për një përshkrim më të plotë, ku përfshihen detyrat dhe përgjegjësitë, ju lutemi të vizitoni postimet në faqen zyrtare të KLGJ-së: www.klgj.al dhe në faqen zyrtare të GJL-së: www.gjykataelarte.gov.al .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura