‘Thethi’/ E akuzoi se i ngacmonte gruan, i riu i zuri pritë, e qëlloi me 2 plumba

Apr 22, 2016 | 10:39
SHPËRNDAJE

Një sherr për xhelozi duket se ka qenë shkaku i plagosjes së djeshme në Theth. I plagpsuri, la Tiranën për të menaxhuar në Theth bizneset familjare të së shoqes me të cilën nisi jetesën 3 vite më parë, por xhelozia për të për pak sa nuk i mori jetën.

thethNazmi Topuzi, 49 vjeç, ka marrë dy plumba në trup dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Policia ka arrestuar si autor të ngjarjes 19-vjeçarin Florian Kodra, banues në fshatin Theth të Dukagjinit.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 06:45, kur Nazmi Topuzi ka dalë në oborrin e shtëpisë së vjehrrës së tij, ku ai jetonte bashkë me të shoqen.

Sipas Policisë, shkak i këtij krimi është bërë xhelozia, pasi i plagosuri dyshonte se 19-vjeçari i ngacmonte atij gruan 48- vjeçare.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se Nazmi Topuzi është zënë në pritë nga i riu, pas një debati që kishin pasur mes tyre disa ditë më parë për shkaqe xhelozie. Siç mësohet, para pak ditësh Florian Kodra kishte shkuar në shtëpinë e të plagosurit për të mjekuar kërthizën nga vjehrra e tij (mjekim popullor).

Nazmi Topuzi, pasi ka mbaruar punën në biznesin familjar që menaxhon në Theth, është kthyer në shtëpi dhe aty ka gjetur të riun. 19-vjeçari është munduar që t’i shpjegojë arsyet se përse kishte shkuar në shtëpinë e tij, por aty ka nisur debati, pasi Nazmi Topuzi është bërë xheloz për gruan e tij, shtetasen D.D., 48 vjeçe, me të cilën, sipas Policisë, jetonte prej 2-3 vitesh.

I riu i ka mohuar akuzat që i ka bërë Nazmi Topuzi për gruan e tij, por ai nuk është bindur dhe i irrituar ka debatuar duke shkuar gati në përleshje mes tyre. Pak ditë pas këtij debati të pasqaruar mes tyre, 19- vjeçari në orët e mëngjesit të djeshëm e ka ruajtur 49- vjeçarin dhe sapo ka dalë në oborrin e shtëpisë së vjehrrit të tij, shtetasit Gjovalin Djerri, e ka qëlluar me katër plumba me armë zjarri automatik.

Topuzi ka marrë dy plumba, duke u plagosur rëndë. Ajo që ka dëshmuar për debatin ka qenë gruaja e të plagosurit. 19-vjeçari e ka pranuar krimin që ka bërë, por nuk ka dhënë arsyet për ngjarjen e ndodhur. Prej 2-3 vitesh Nazmi Topuzi jetonte në Theth te shtëpia e gruas së tij dhe familjarët e saj i kishin dhënë për të menaxhuar një biznes familjar të tyre.

Pasi kanë dëgjuar të shtënat, familjarët kanë dalë në oborr dhe transportimi është bërë nga një prej banorëve të zonës drejt spitalit të Shkodrës. Mendohet se ka humbur një sasi të konsiderueshme gjaku për shkak të rrugës disa orëshe nga zona malore e Thethit në Shkodër.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura