Thesari me 1077 vepra ekspozohet te Galeria, koleksionisti në pranga i shkruante “Luvrit”

Oct 10, 2013 | 9:14
SHPËRNDAJE

Tiranë, 43-vjeçari i dënuar më parë për falsifikim: Do t’i restauroja.

“Trafikanti” i shkruante Muzeut të Luvrit në Paris.

“Thesari” në banesat e koleksionistit Gjergji Thimo.

Gjergji Thimo, njëri nga dy të arrestuarit e aksionit kundër trafikut të veprave të artit, është personazh mjaft i njohur në Tiranë.
Ai prej vitesh punonte si koleksionist dhe një pjesë e veprave që mbante janë “legalizuar” me dokumente si të rregullta, duke e njohur atë si mbajtës e pronar të tyre. Pjesa më e madhe e veprave të artit të sekuestruara nga Policia e Shtetit janë gjetur pikërisht në

Gjergji Thimo
banesën e koleksionistit Gjergj Thimo. Rreth 1077 objekte, si afreske, ikona kishtare, murale e piktura bronzi, që i përkasin periudhës së mesjetës, janë gjetur nga policia në dy ambiente që i përkasin koleksionistit Gjergj Thimo, në zonën e “Ali Demit” dhe në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Ai këto apartamente i kishte përshtatur në formën e ekspozitës dhe galerisë. Koleksionisti 43-vjeçar nga Korça, Gjergji Thimo, jetonte në Tiranë, ku kishte edhe një biznes privat, lokal, në zonën e “Don Boskos”. Ai është arrestuar edhe më parë nga policia me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Gjatë deklarimeve pas arrestimit ai nuk ka pranuar përfshirjen në vjedhje e trafikim të veprave të artit. Ai ka këmbëngulur që objektet e gjetura në shtëpinë e tij i ka blerë dhe i koleksionon prej vitesh, dhe qëllimi i tij është restaurimi i tyre. Ai ka pretenduar se ka pasur letërkëmbim me Muzeun e Luvrit në Francë, ku do t’i dërgonte për restaurim disa objekte. “Veprat janë të shoqëruara me dokumentet përkatëse”, ka thënë Thimo në polici.
[portfolio_slideshow id=181120]
OPERACIONI
Policia e Shtetit tha dje zyrtarisht se gjatë një aksioni të koduar “Ikona”, ka bërë të mundur zbulimin e një thesari me qindra vepra arti të vjedhura në Shqipëri e Maqedoni, që dyshohej se do trafikoheshin në vendet e BE-së. Në pranga kanë përfunduar koleksionisti 43-vjeçar Gjergj Thimo dhe Arben Spaho, 40 vjeç, i dënuar disa herë për vjedhje. Katër të tjerë janë shpallur në kërkim e gjithashtu po hetohet për bashkëpunëtorë të tjerë jashtë Shqipërisë. Ky rast hetohej prej vitesh nga oficerët e Krimit të Organizuar. Vjedhja e më pas trafikimi i veprave të artit u zbulua nga tentativat e Gjergj Thimos për t’i transportuar ato jashtë vendit, drejt Bashkimit Europian, me justifikimin se do t’i restauronte. Kjo bëri që qindra murale, ikona dhe objekte të tjera kishtare me vlerë miliona dollarë të sekuestroheshin me dhjetëra furgonë policie e më pas të ekspozoheshin si një thesar i kthyer në Galerinë e Arteve.

Gjurmimi i trafikut
Kohë më parë Policia shqiptare ka rënë në gjurmët e trafikut dhe vjedhjes së ikonave të shtrenjta. Agjentët e Policisë kanë marrë informacion për rrjetin që mblidhte ikona jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe zona të tjera, duke i grumbulluar në Tiranë. Mësohet se në kryeqytet bëhej një klasifikim dhe vlerësim i objekteve, të cilat më pas, me një çmim të caktuar, hidheshin në tregun e trafikimit brenda ose jashtë vendit.

Falsifikimet
Policia e shtetit ka thënë dje se Gjergj Thimo, njëri nga dy të ndaluarit e aksionit kundër trafikut të veprave të artit, ka pasur precedentë penalë të mëparshëm. Sipas Policisë, mësohet se koleksionisti ka qenë i dënuar për falsifikim dokumentesh. Pas aksionit të gjerë për bllokimin e sendeve të çmuara mësohet se policia ka nisur hetimet pasi ka dyshime se Thimo me anë të falsifikimeve i nxirrte objektet jashtë vendit. Burimet e policisë kanë thënë se 43-vjeçari ka qenë personi kryesor i ndjekur nga hetuesit me qëllim zbardhjen e aktivitetit të grupit kriminal që vepronte në mbledhjen e veprave të artit dhe trafikimin e tyre jashtë Shqipërisë.

Rama: Siguria në vend, alarmante
Për Kryeministrin Edi Rama, beteja kundër trafikut dhe ruajtjes së trashëgimisë sapo ka filluar. “Fakti që një thesar i këtyre përmasave, i barabartë me një muze, deri mbrëmë ishte në duart e keqbërësve dhe rrezikonte fatin e shumë thesareve të tjera, që tanimë kanë dalë nga kufijtë e Shqipërisë, flet vetë për gjendjen alarmante, skandaloze dhe të papranueshme të sigurisë në vend, jo vetëm për jetën e njerëzve, jo vetëm për pronën e qytetarëve, as dhe vetëm për pronën publike si territor, por për këtë pasuri të paçmuar, që nuk zëvendësohet dot me asgjë”, tha Rama dje në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Tahiri: Policia kreu një aksion spektakolar
TIRANE – Veprat artit që të sekuestruara gjatë natës së të martës nga Policia u ekspozuan dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Të pranishëm në ekspozitën e organizuar posaçërisht për rikthimin e thesarit të vjedhur që do të trafikohej jashtë Shqipërisë ishin: Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Gjatë fjalës së tij, ministri Saimir Tahiri falënderoi të gjithë oficerët e specialistët e Policisë së Shtetit që bënë të mundur sekuestrimin e qindra veprave të vjedhura, gjatë një aksioni që ai e quajti spektakolar. “Puna flet vetë dhe fjalët e mia janë shumë të varfra përballë kësaj pasurie, por doja shumë sinqerisht para jush, zoti Kryeministër, para jush të ftuar, që të falënderoja edhe një herë të gjithë oficerët, të gjithë specialistët e Policisë së Shtetit që kanë kryer këtë aksion spektakolar”, deklaroi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kumbaro: Rezultati i parë i 100-ditëshit
Një nga rezultatet e para të 100-ditëshit të qeverisë “Rama” e ka quajtur sekuestrimin e 1077 veprave të artit, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Ky është një nga operacionet e para të 100-ditëshit tonë për të ndërtuar ura bashkëpunimi të sektorit të trashëgimisë kulturore dhe për të zhvilluar luftën kundër trafikut të trashëgimisë kulturore. Janë një sërë veprash të tjera që vazhdojnë të jenë të rrezikuara dhe Ministria e Kulturës ka nisur një fushatë sensibilizimi në sitin ‘shpetothesarin.com’, për të ftuar të gjithë qytetarët që të sinjalizojnë”, tha ajo.

“Koleksionistët ushqejnë trafikun”
“Një pjesë e madhe e koleksionistëve në Shqipëri ushqejnë trafikun dhe shërbejnë si drenazhe për të thithur vepra të trashëgimisë kulturore. Koleksionistët duhet urgjentisht të regjistrojnë të gjitha veprat e artit dhe të trashëgimisë kulturore që mbajnë në shtëpitë e studiot e tyre, sepse në rastet e sekuestrove, në rast se janë të paregjistruara, ato nuk kthehen më”, u shpreh dje arkitekti Artan Shkreli.

Sot identifikimi
Verifikimi dhe identifikimi i plotë i objekteve të artit të sekuestruara pritet të përfundojë ditën e sotshme. Sipas Ministrisë së Kulturës, grupi i punës, i përbërë nga specialistë të Ministrisë së Brendshme dhe të trashëgimisë, pranë Ministrisë së Kulturës, po bëjnë verifikimin, fotografimin dhe ballafaqimin me listën e monumenteve të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit, në radhën e objekteve të grabitura.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura