Thërrimtarët

Apr 19, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

NAUN SHUNDI

Naum Shundi

Nga cikli “Rrëfenja për të gjitha moshat”

Të dashur fëmijë që nuk jeni rritur akoma!

Babagjyshi përrallëtar do të vazhdojë t’ju tregojë përrallat e tij të vërteta, në mënyrë që ju të rriteni më të mirë dhe më të dobishëm për veten, për familjet tuaja dhe për të gjithë shoqërinë. Do thoni ju, pse na duhen të gjitha këto? Këtë do të mund të kuptoni kur të rriteni, të bëheni nëna, baballarë, gjyshër dhe gjyshe. Mbajini mend mirë këto që po ju them dhe do t’ju lutem të dëgjoni me vëmendje vazhdimin e përrallës për popullin e pyllit, për kafshët që jetonin në të dhe për të gjatin që ishte në majë të pemës më të gjatë. Që kur i gjati hipi në majën e pemës më të gjatë, duke hedhur thërrime në gojët e uritura, kaluan shumë kohë. Mirëpo, erdhi një kohë që të gjatit iu pakësuan thërrimet. Atëherë ai filloi t’u jepte gojëve të uritura nga një gjysmë thërrime. Më vonë nga një çerek thërrimeje, më vonë asnjë thërrime dhe vetëm llafe dhe fjalime. Lukunia poshtë duroi sa duroi dhe nuk mbajti më. Filluan të bërtasin, të ulërinin, të bashkoheshin të gjithë së bashku në sheshin e madh të pyllit, duke ulëritur në kor: “O i gjatë, ik!”. Por, çfarë bëri i gjati?

Nëpërmjet agjentëve të tij ftoi në majë të pemës një përfaqësi nga turma. Kuptohet që në pemë nuk mund të ngjiteshin luanët, krokodilët, elefantët, fokat, peshqit, hipopotamet dhe shumë e shumë specie të tjera. Në majë të pemës u ngjitën gjarpërinjtë, hardhucat, minjtë, vemjet, tartabiqet, morrat dhe plot qenie që adhuronin të gjatin. Aq shumë u grumbulluan në majën e të gjatit, saqë degët e pemës së gjatë nuk i mbajtën dot. Ata që ranë përdhe, ngordhën, por ata që mbijetuan dëgjuan fjalimin dhe udhëzimet e të gjatit. Ai u tha: “Ju që patët mundësinë, forcën dhe kurajën që të ngjiteshit deri këtu lart ku jam unë, meritoni të jeni emisarët e mi. Ju urdhëroj të zbrisni poshtë dhe të bëni zap turmën e irrituar. Dhe këtë duhet ta bëni me qetësi dhe dashuri. Ju urdhëroj të përdorni në fjalimet tuaja sa më tepër gënjeshtra. Sa më e madhe është gënjeshtra, aq më tepër besohet. Turruni, ulërini dhe gënjeni!”. U vërsulën të poshtë të tërë nga maja më e lartë. Zbarkuan si lukuni duke përhapur në mes të atij mexhlisi, ato që u kishte thënë i gjati. Do të thoni ju, sa vetë e dëgjuan dhe e kuptuan ato që u thanë?

Sipas një luani të moçëm, u dëgjuan, u kuptuan, por nuk u besuan. Ajo që ngelet për të thënë është se si vazhdoi të jetonte ky komunitet kafshëror në të ardhmen? Nëse ata nuk besuan tek ato që u thanë, do të mund të vazhdonin të jetonin me këtë mosbesim? Se si vazhdoi historia e besimit, mosbesimit dhe ngjarjeve që ndodhën për shkak të këtyre besimo-mosbesimesh, xhaxhi përrallëtari do t’jua tregojë javën e ardhshme. Më këtë rast, unë ju uroj dhe ju këshilloj që të besoni për gjërat që ju doni dhe të mos besoni për gjëra që ju nuk mund t’i besoni. Deri javën tjetër, gjumë të ëmbël dhe ëndrra të besueshme!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura