Themeluesi, biografia e munguar për Ismail Qemalin

Nov 5, 2022 | 21:20
SHPËRNDAJE

Nga Aurela Anastasi/ Ky libër i shkruar me shumë dashuri nga studiuesi i ri Evarist Beqiri, më shtyu të thërras edhe njëherë së brendshmi se Ismail Qemal Vlora është figura më e ndritur politike e Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore. Ky është modeli i liderit që ne duam sot! Emri i tij shkëlqen ndër themeluesit e Shtetit shqiptar, si hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë së vendit dhe si Kryeministri i parë i tij.

aurela-anasatsi

Autori e ka analizuar figurën e “Atit të Kombit” tonë nga këndvështrimi i lidershipit, një metodë e re studimi që realizohet për herë të parë në lidhje me figurën e Ismail Qemalit. Ai lartësohet si një nga figurat historike më frymëzuese të kombit tonë: “Ismail Qemal Vlora është lideri më i madh që kombi shqiptar ka njohur deri tani. Ne i detyrohemi atij më shumë se kujtdo tjetër në historinë tonë kombëtare. Nuk ekziston asnjëfarëlloj krahasimi midis tij dhe liderëve shqiptarë që e pasuan”- thekson autori.

Në fakt, kam vënë re shpesh se autorët që shkruajnë për Ismail Qemalin e adhurojnë atë. Kjo më ka ndodhur edhe mua kur kam marrë në analizë aktet e para të krijimit të shtetit shqiptar të miratuara nga Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e Përkohshme e drejtuar prej tij. Kjo ka ndodhur edhe në këtë punim dedikuar lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Edhe pse autori e analizon figurën e tij përmes një strukture që e nxit mendimin kritik, duke nxjerrë në pah karakteristikat e liderit, nuk ka mundur të bëjë ndryshe, veçse ta lartësojë edhe më shumë atë si udhëheqës politik për të cilin zemra e popullit të vet gufon edhe sot, një shekull plus një dekadë më pas.

Autori e sheh Ismail Qemal Vlorën si një lider mjaft të përparuar, human e mendjendritur, të edukuar me vlerat iluministe të kohës, diplomat të shquar, me një kulturë komunikimi të admirueshme dhe me maturi, me një gjuhë të qartë e dashamirëse jo vetëm në diplomaci, por edhe me njerëzit e thjeshtë, të drejtat e të cilëve ai i respektonte. Përmes analizës, autori arrin ta përshkruajë Ismail Qemalin si një lider që “udhëhiqte me shembullin e vet”, që drejtonte me përulësi e njëkohësisht i vendosur, si një lider vizionar, me karakter dhe integritet të fortë, etj.

Vihet re përpjekja për të sjellë heroin e këtij punimi si një realitet, duke shmangur mitizimin që mund t’i jetë bërë figurës së tij nga autorë të tjerë. “Megjithatë, shkruan autori, veç mitit të krijuar, pak dihet dhe pak flitet për aftësitë e vërteta dhe të jashtëzakonshme të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Ndoshta kjo mund të justifikohet me faktin që studimet mbi teoritë e lidershipit janë relativisht më të reja në raport me fushat e tjera të dijes.” Metodologjia e këtij punimi i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë.

Këto janë vendosur në sfondin e opinioneve dhe të vlerësimeve që këta të fundit kanë shprehur në periudha të ndryshme. Duket si një analizë më së shumti tredimensionale, e ndihmon autorin ta shohë heroin e tij në një hapësirë të gjerë, duke nxjerrë në pah tiparet e tij si lidership, jo vetëm në dritën e kohës në të cilën punoi, por edhe në këndvështrimin e sotëm. Nga të gjitha këndvështrimet autori përsërit konkluzionin e tij se, lideri që ai merr në analizë, është një lider përparimtar që u prin njerëzve me kujdesin për të mirën e përgjithshme, edhe në të ardhmen.

Meqenëse është krahasuar me liderë të mirënjohur botërorë, kisha pritshmëri të gjeja në libër kritika nga pikëpamja e lidershipit. Por kjo nuk ka ndodhur. Në të gjitha analizat e hollësishme që kryen autori është e vështirë të gjesh kritika drejtuar Ismail Qemal Vlorës dhe lidershipit të tij. Përkundrazi, gjen vlera të reja të kësaj figure nga pikëpamja e lidershipit. Madje, ka disa momente të diskutuara në veprimtarinë e Ismail Vlorës. Autori i merr ato në analizë, por nuk gjen asnjë dobësi të heroit të tij, por vetëm të të tretëve. Përkundrazi, ai gjen vlera të reja të kësaj figure nga pikëpamja e lidershipit.

Ai e konsideron dorëheqjen e Ismail Qemalit nga detyra si Kryeministër dhe dorëzimin e pushtetit Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit si një akt atdhedashurie e qytetarie. Kurse, në lidhje me akuzat që disa autorë i kanë bërë Ismail Qemal Vlorës për komplotin e Beqir Grebenesë, autori shprehet se, “Pavarësisht se Ismail Qemali e kishte fort për zemër dhe luftonte me të gjitha mënyrat për bashkimin e trojeve shqiptare, të flasësh për një koordinim në terren të veprimeve midis Ismail Qemalit dhe Beqir Grebenesë është jorealiste dhe e pabazuar në fakte”.

Sidoqoftë, unë kam disa pyetje: Sa i fortë duhet të jetë ndikimi i liderit? Të gjithë autorët kanë analizuar faktorët dhe na kanë dhënë një përgjigje bindëse për pyetjen se, përse qeverisja e Ismail Qemalit ishte e shkurtër në kohë. Pajtohem me mendimin e dhënë nga autori në vepër, se ai ishte një udhëheqës mjaft i përparuar për kohën dhe ndoshta edhe kjo ka ndikuar. Po përse historia nuk na rezervoi liderë të tjerë të ngjashëm me Ismail Qemal Vlorën? Unë kurrsesi nuk do të kisha dashur që ai të mbetej një lider i jashtëzakonshëm dhe i rrallë për shtetin shqiptar.

Përkundrazi, do të kisha dashur shumë që modeli i tij i lidershipit të përsëritej vazhdimisht. Duket sikur historia grupoi tek Ismail Qemali karakteristikat më të mira të liderit, si një domosdoshmëri për të shpënë përpara shtetin shqiptar të pavarur. Megjithatë, në këtë argument unë nuk marr përgjigje për faktin se, përse ai mbetet një lider aq i virtytshëm dhe aq frymëzues edhe sot e kësaj dite? Përveçse ishte mjaft i ditur dhe i arsyeshëm si një “plak i urtë” i legjendave tona popullore, ai ishte edhe një lider i pakorruptuar, që e urrente dhe e luftonte korrupsionin. Përkundrazi, ai kishte qenë një kritik i ashpër kundër këtij fenomeni kalbësues të shtetit dhe të shoqërisë edhe në Perandori. “Ai e luftoi përherë korrupsionin, pasi e shikonte si armik të përparimit dhe mirëqenies së përgjithshme. Këtë e shpalosin dëshmitë, faktet dhe dokumentet që na vijnë jo vetëm nga bashkëpunëtorët e tij, por edhe nga kundërshtarët e tij politikë si Syrja Vlora”, shkruan autori.

Punimi ka renditur në lidershipin e Ismail Qemalit mjaft tipare që janë vite dritë larg nga personazhe të tjerë të kohës, si Esat Pashë Toptani, por edhe më pas. Edhe sot, populli shqiptar e sheh Ismail Qemal Vlorën si liderin e tij më të dashur, për të gjitha meritat dhe virtytet që ai shfaqi. Dua të veçoj se ai jo vetëm nuk u soll si diktator, por ishte një lider demokrat liberal; jo vetëm nuk u soll si autoritar, por luftoi për një atdhe të lirë nga autoritarizmi; jo vetëm ishte simbol i diturisë, por luftoi ta përhapte dritën e saj në popull. Ai është Ati themelues i shtetit të pavarur shqiptar!

I dashur lexues,

Edhe pse Ismail Qemal Vlora ka qenë një nga figurat më të analizuara nga historiografia jonë, unë e sugjeroj fort leximin e këtij punimi; kjo, jo vetëm për qasjen e re analitike që ka sjellë autori dhe as vetëm për kërshëritë që ofron për lexuesin. Por, e sugjeroj për karakterin frymëzues që mbart lideri kombëtar që analizohet, sepse figura si ai na mungojnë shumë.

ismailqemali

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura