Thellohet skandali i OST me linjën 400 KW. Eksperti: Hetim cilësisë së punimeve! U pengua shkëmbimi i energjisë me Kosovën

Feb 23, 2021 | 15:46
SHPËRNDAJE

Eduard Elezi skandali OSTThellohet skandali i OST me linjën 400 kw Shqipëri-Kosovë. Dy muaj pas inaugurimit të investimit 70 milionë euro të kësaj linje të transmetimit të energjisë elektrike, janë rrëzuar 4 shtylla të tensionit të lartë, çka ka bllokuar transmetimin e energjisë nga një vend në tjetrin.

Eksperti i energjisë, Eduart Elezi hedh dritë mbi pasojat e dështimit të këtij investimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, i cili sipas tij, ka penguar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që të shkëmbejë energjinë elektrike me Kosovën, çka i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar.

“Kjo linjë 400 kw e para është problematikë mënyra sesi është ndërtuar linja cilësia e materialeve dhe cilësia e punimeve kjo ka sjell një dëm goxha të konsiderueshëm sidomos për KESH e cila nuk ka arritur që të vendos në funksion dy kontrata që ka me Kosovën atë të shkëmbimit të energjisë elektrike dhe të depozitimit të saj në të cilën ajo mund të merrte një të ardhur më të mirë sesa në shitjen e energjisë elektrike tek tregtarët e energjisë”, tha ai.

10 vite pas marrjes së borxhit për këtë linjë, teksa Shqipëria ka shlyer gjysmën e kredisë për ndërtimin e saj, ky investim nuk ka arritur të jetë frytdhënës. Eksperti Elezi bën përgjegjës Operatorin e Sistemit të Transmetimit që sipas tij duhet të kishte marrë masat e duhura për cilësinë e punimeve.

“Linja është e financuar nga Deutsch Bank por të gjithë ndjekjen e punimeve e ka pasur detyrimin OST të ketë revizionimin e duhur në lidhje me punimet që realizoheshin linjën 400 kw sepse në fund të fundit kjo linjë është e OST dhe duhej patjetër që të ishin marr masat e duhura në lidhje me cilësinë e punimeve nga kompanitë që kanë qenë fituese”, u shpreh Elezi.

Pjesë e lejes për të transmetuar energjinë për këtë linjë sipas ekspertit Elezi është zyra e ankandeve dhe kapaciteteve që ndodhet në Mali e Zi e cila menaxhon të gjitha kapacitet e Ballkanit. Për linjën 400 kw çdo riparim apo leje për transmetim duhet të jepet nga kjo zyrë.

“OST duhej patjetër ta kishte vendosur në funksion por gjithsesi kjo linjë është në kuadër të asaj dhe ata nominojnë kapacitet për OST në momentin që kjo linjë nuk ka siguri kapacitet e nominuara nga zyra e ankandeve të kapaciteteve do jetë zero. Kështu që kjo është një kosto e shkaktuar konsumatorit shqiptar sepse duke mos pasur të ardhura nga nominimi i kapaciteteve të kësaj linje normalisht ka një kosto që shkakton OST-ja në tregun e konsumatorit shqiptar”, tha Elezi.

70 milionë euro investim deri tani janë shpërdoruar pasi për shkak të tenderëve të dyshimtë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe rrjedhimisht të cilësisë së dobët të punimeve, linja e transmetimit nuk funksionon./BW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura