Thellohet skandali i Bushatit, thirri në takim vendet e Ligës Arabe me Izraelin

Sep 23, 2015 | 9:59
SHPËRNDAJE

Thellohet skandali diplomatik i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, me ambasadorët e Izraelit dhe Palestinës të akredituar në Tiranë. Pas shkrimit të publikuar në “Panorama”, Ambasada Palestineze ka zbardhur një tjetër skenar të incidentit diplomatik, në të cilin është përfshirë Ministria e Jashtme, ngjarje e cila ka shkaktuar jo pak irritimin e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, pjesë e Ligës Arabe.

Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Yasser Al-Najjar/ ministri Bushati
Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Yasser Al-Najjar/ ministri Bushati
Ministria e Jashtme ka ftuar në një takim të gjithë ambasadorët e vendeve arabe të akredituar në Tiranë për të diskutuar rreth mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Por gafa e diplomacisë shqiptare konsistoi në përjashtimin e ambasadorit të Palestinës nga kjo tryezë, dhe në vendin e tij ka ftuar ambasadorin e Izraelit në Tiranë.

Duke qenë se Izraeli nuk është pjesë e Ligës Arabe, ambasadorët e vendeve të tjera të Ligës kanë bojkotuar takimin në Ministrinë e Jashtme, duke kërkuar sqarime për përjashtimin e Palestinës dhe duke e quajtur atë provokim. Vetë Ambasada e Palestinës e ka quajtur si ironik këtë “bojkot” të Palestinës dhe zëvendësimin me Izraelin.

Ambasadorët e Ligës Arabe kanë kundërshtuar praninë e diplomatit të Izraelit në këtë takim, çka ka u bë shkak i një konflikti diplomatik.

Pas kundërshtisë së ambasadorëve të vendeve arabe, Ministria Jashtme është tërhequr duke e quajtur ndodhinë si një “gabim teknik”. Pas kësaj përplasjeje, takimi është zhvilluar në një fazë të dytë pa praninë e ambasadorit të Izraelit, por vetëm mes pjesëtarëve të Ligës Arabe.

LETRA E AMBASADËS
Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Yasser Al-Najjar, i kontaktuar nga “Panorama” sqaroi incidentin e ndodhur me Ministrinë e Jashtme.

Faksimile e shkresës zyrtare të Ambasadës së Palestinës
Faksimile e shkresës zyrtare të Ambasadës së Palestinës
“Ministria e Jashtme ftoi të gjithë ambasadorët e vendeve arabe, por për ironi përjashtoi ambasadorin e Palestinës, ndërkohë që Palestina është anëtare e Ligës Arabe, ndërsa Izraeli jo. Ambasadorët e vendeve arabe në Shqipëri nuk morën pjesë në këtë mbledhje për arsye të ftesës për ambasadorin e Izraelit dhe mosftuarjen e ambasadorit Palestinez. Ambasadorët e vendeve arabe kërkuan sqarim nga Ministria e Jashtme në lidhje me këtë çështje, e cila më vonë u konsiderua nga Ministria si “një gabim teknik”, thuhet në qëndrimin zyrtar të ambasadorit  të Palestinës në Tiranë.

Më tej, Ambasada e Palestinës ka shprehur mirënjohje për votën që Shqipëria i dha në OKB për ngritjen e flamurit në këtë organizatë.

“Ambasadori i Shtetit të Palestinës do të dëshironte të falënderonte gazetën ‘Panorama’ për mundësinë e dhënë për të shpjeguar këtë incident dhe shpreh sigurimet e respektit me të lartë për popullin dhe qeverinë shqiptare, dhe për mbështetjen e saj duke votuar në favor të ngritjes së flamurit palestinez në Kombet e Bashkuara”, thuhet në shkresën zyrtare.
FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura