Thellohet kriza politike/ PS përgatit reformën zgjedhore pa opozitën. PD: Draft i njëanshëm

Oct 3, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

Maxhoranca ka gati draftin për reformën zgjedhore dhe pse deputetët e Partisë Demokratike kanë bojkotuar komisionin e posaçëm parlamentar të kësaj reforme. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës, Blendi Çuçi, tha dje se drafti është punuar mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. “Opozita ka bojkotuar Kuvendin, nuk vjen në Komision, megjithatë ekspertët tanë dhe ekspertët e kontraktuar nga ambasada gjermane, që po punojnë për draftimin e amendimeve të OSBE-ODIHR-it, janë duke punuar dhe shumë shpejt, ndoshta javën që vjen, ne do të kemi një draft që do ta bëjmë publik, duke ia vënë në dispozicion dhe të gjithë aktorëve të tjerë”, u shpreh Bledi Çuçi.

Bledi Çuçi
Bledi Çuçi

Për hartimin e draftit, maxhoranca ka pajtuar si ekspert Viktor Gumin, ish-deputet dhe ishministër i Partisë Demokratike. Bledi Çuçi tha dje se përfundimi i reformës zgjedhore është përgjegjësi para zgjedhësve, por dhe ndërkombëtarëve që e monitorojnë atë. “Ne po ecim me të gjithë paketën që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR, shpresojmë që PD të kthehet, por ne kemi përgjegjësi para shqiptarëve. Është edhe tjetër përgjegjësi, ajo para ndërkombëtarëve, që e ka shtyrë maxhorancën të ndërmarrë një hap të tillë, duke qenë e ndërgjegjshme se nuk i ka votat për ta ndryshuar e vetme Kodin Zgjedhor”, u shpreh Çuçi. Reforma zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe cilësia e zgjedhjeve vendore, mbetet një nga kushtet që do të analizohet nga Këshilli Europian për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë, qershorin e ardhshëm.

Oerd-Bylykbashi_3

Por bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, e cilësoi të njëanshëm këtë draft duke dhënë dhe arsyet pse PD e ka bojkotuar këtë komision. “PS e paska gjetur konsensusin për reformën zgjedhore. PS deklaron sot se do të bëjë propozimet e saj të njëanshme për Kodin Zgjedhor. Arsyeja është shumë e thjeshte: po sot, nën pranga për dhunimin e një vajze të pafajshme, i biri i Rrahman Rrajas kërcënon opozitën: Do ta shihni në zgjedhje. Zëdhënës dhe provë më të mirë të paktit të PS-së me krimin ýpër të dhunuar zgjedhjet nuk ka! Kjo është reforma që propozon PS!”, shkruan Bylykbashi në “Facebook”. PS ka njoftuar në fillim të shtatorit se ka vendosur të pranojë kërkesat e opozitës për pilotimin e përdorimit të elektronikës në zgjedhje. Por demokratët kanë shpallur si emergjencë kombëtare lidhjet e politikës me krimin dhe kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e asnjë reforme nëse maxhoranca nuk pranon nismën e opozitës për vetingun e politikanëve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura