Thellimi i miqësisë dhe i bashkëpunimit kino-shqiptar

Sep 30, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

ZHOU DING*ZHOU DING

Më 1 tetor 2020, ne do të festojmë 71-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës.

Për shkak të pandemisë COVID19, këtë vit Ambasada Kineze në Shqipëri nuk do të organizojë pritje për Festën Kombëtare. Sidoqoftë, kjo nuk do të na ndalojë të  kujtojmë së bashku të kaluarën tonë, të shikojmë përpara nga e ardhmja dhe të vlerësojmë miqësinë tonë. Më kujtohet shumë qartë se më 21 shtator të vitit të kaluar, Shqipëria u godit papritur nga një tërmet i fortë.

Dy ditë më pas, megjithëse në një situatë të vështirë, ne organizuam pritjen e 70-vjetorit të Kinës, ku erdhën për të shprehur urimet Presidenti Meta, Kryetari i Kuvendit, Ruçi, dhe miq nga fusha të ndryshme. Edhe unë i shpreha ngushëllimet e mia popullit shqiptar, të prekur nga tërmeti. Dy muaj më vonë, më 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet akoma më i fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha. Në emër të qeverisë kineze, dorëzova ndihmat humanitare për Kryqin e Kuq Shqiptar, bashkë me kolegët e mi vizituam banorët e zonave të prekura dhe në gjurmët e miqësisë tradicionale midis dy popujve tanë, përkujtuam në një mënyrë speciale 70-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë.

Si shumë vende të tjera, edhe populli kinez është mësuar me fatkeqësitë natyrore. Përmbytjet, thatësira dhe tërmetet ndodhin shpesh në Kinë. Shumë historianë janë të mendimit se para 4000 vitesh, forma më e hershme e shtetit kinez u krijua pikërisht nga lufta e njerëzve nën udhëheqjen e heronjve kundër përmbytjeve të vazhdueshme të Lumit të Verdhë. Duke lexuar historinë e shkruar mijëravjeçare të Kinës, ne besojmë në një të vërtetë të thjeshtë: Vetëm me solidaritet mund të mposhtim katastrofat natyrore dhe vetëm kur qeveria është e orientuar ndaj njerëzve (ka në qendër të vëmendjes njeriun), vendi mund të gëzojë stabilitet dhe siguri afatgjatë.

71 vjet më parë, duke kaluar përmes zigzageve e vështirësive të shumta, Partia Komuniste e Kinës përfundimisht e udhëhoqi popullin për ndërtimin e Kinës së re, duke siguruar sovranitetin, pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar të fituar me vështirësi. Gjatë 40 viteve të Reformës dhe Hapjes me Jashtë, qeveria kineze i është përmbajtur idesë së zhvillimit të orientuar ndaj njerëzve, nxitjes së zhvillimit me mbështetjen e popullit dhe për të mirën e popullit, duke ecur në rrugën socialiste me karakteristika kineze. Kjo rrugë, e cila i ka rrënjët në territorin 9.6 milionë kilometra katrorë, popullsinë 1.4 miliardë dhe 56 kombet e Kinës, ka mësuar nga përvoja e mençuria e qytetërimit mijëravjeçar kinez dhe të qytetërimeve botërore, por njëkohësisht buron nga praktika madhështore 40-vjeçare kineze e Reformave dhe Hapjes me Jashtë.

Është përgjegjësi e madhe dhe detyrë e mundimshme e qeverisë kineze të mbajë 1.4 miliardë njerëz larg urisë, luftës e urrejtjes si dhe të sigurojë për ta një jetë në paqe e begati. Në 40 vitet e kaluara, në Kinë, mbi 850 milionë njerëzi janë shkëputur nga varfëria. Deri në fund të këtij viti, ne do të realizojmë 10 vjet para afatit objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 të OKB-së lidhur me reduktimin e varfërisë, duke realizuar një mrekulli në historinë botërore të reduktimit të varfërisë.

Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, vendi më i madh tregtar i mallrave, tregu më i madh i konsumit dhe qendër pararojë e inovacionit, Kina ka kontribuar më shumë se 30% në rritjen ekonomike të botës për shumë vite rresht. Pas shpërthimit të epidemisë, qeveria kineze duke vendosur mbi gjithçka popullin dhe jetët e njerëzve, zbatoi politika shkencore për të vënë nën kontroll shpejt dhe në mënyrë efektive epideminë dhe ndërkohë u angazhua aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër COVID19, si dhe inicioi shpërndarjen e ndihmave emergjente humanitare në shkallë të gjerë në gjithë globin. Ne jemi krenarë për arritjet e vendit tonë dhe kontributin tonë për botë. Kina nuk është perfekte, por është plot mundësi dhe shpresa. Sipas sondazheve afatgjata nga shumë thinktankët dhe agjenci të opinionit publik në botë, niveli i kënaqësisë i popullit kinez me qeverinë tejkalon 90%, e cila reflekton plotësisht besimin e popullit kinez në rrugën e zhvillimit të vendit.

Ne jetojmë në një botë shumëngjyrëshe. Vende të ndryshme kanë sisteme politike, histori, kultura dhe përvoja zhvillimi të ndryshme. Kina kurrë nuk eksporton sistemin dhe modelin e saj, as nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bashkëjetojmë në mënyrë paqësore, të zhvillohemi së bashku, për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët të njerëzimit. Në të njëjtën kohë, bazuar në histori dhe realitet, populli kinez vlerëson dhe është i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe të drejtat e tij për zhvillim. Në kohën kur ishte pa sovranitet dhe siguri, Kina përjetoi poshtërim prej një shekulli, shtypjen koloniale dhe vështirësitë e njerëzve për të mbijetuar.

Ky vit shënon 75-vjetorin e fitores së Luftës Antifashiste Botërore dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara. Bazuar në përvojën dhe mësimet e historisë, bota ka realizuar periudhën më të gjatë të stabilitetit dhe prosperitetit në kohët moderne. Gjatë viteve të kaluara, Kina dhe komuniteti ndërkombëtar janë bashkuar për të nxitur rritjen ekonomike dhe për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të krizës financiare ndërkombëtare, terrorizmit dhe epidemive si AIDS, Ebola, SARS dhe H1N1. Sot, ne ndodhemi sërish në një udhëkryq të historisë, ku sfidat globale si pandemia COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe ndryshimi i klimës kërkojnë një përgjigje të fortë globale.

Në takimet e nivelit të lartë për 75-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara, Kina dhe vendet e tjera riafirmuan angazhimin e tyre ndaj Kartës së OKB-së, për mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në ne qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjet ndërkombëtare, për reformimin dhe përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale, për rigjallërimin e multilateralizmit, për zbatimin e plotë të “Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm”, duke demonstruar vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të punuar së bashku për të kapërcyer vështirësitë e momentit.

Gjatë një sërë takimesh, Presidenti kinez, Xi Jinping, ka theksuar se pandemia ka krijuar shumë probleme, por tema kryesore e kohës sonë, ajo e paqes dhe zhvillimit nuk ka ndryshuar. Përballë sfidave të përbashkëta, vendet duhet të shkojnë përtej paragjykimeve ideologjike, të braktisin mentalitetin e lojës me shuma zero dhe të kërkojnë bashkëpunim me përfitim të përbashkët. Kina do të vazhdojë të marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër COVID-19, të sigurojë stabilitetin e zinxhirit global të furnizimit të materialeve kundër pandemisë dhe të marrë pjesë aktivisht në kërkimet shkencore globale mbi burimin dhe transmetimin e virusit.

Kina do t’u japë përparësi vendeve në zhvillim për furnizimin e vaksinave, pasi ato të vihen në përdorim. Kina do të mbajë premtimin e saj për të siguruar ndihmë ndërkombëtare prej 2 miliardë dollarësh brenda dy vjetësh, për të stimuluar zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve të tjera. Kina gjithashtu do të përpiqet që deri në vitin 2030 të arrijë kulmin e emetimeve të saj të karbonit dhe të arrijë neutralitetin e karbonit deri në 2060. Kjo demonstron vendosmërinë e Kinës për të ndjekur rrugën e zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët dhe është kontributi i rëndësishëm i saj për multilateralizmin.

Unë vura re gjithashtu se Presidenti Meta, i cili ishte po ashtu i pranishëm në takimet për 75-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara, tha se OKB-ja është themeli i bashkëpunimit shumëpalësh të bazuar në rregulla dhe se multilateralizmi është zgjidhja e vetme efektive për sfidat e shumta që ndikojnë në paqen dhe sigurinë e botës. Gjatë një video-konference para pak ditësh midis udhëheqësve të Kinës dhe BE-së, palët konfirmuan angazhimin e tyre për të mbështetur bashkërisht multilateralizmin, përshpejtimin e negociatave për marrëveshjen e investimeve dhe krijimin e mekanizmave të dialogut në nivel të lartë për mjedisin dhe klimën, si dhe për bashkëpunimin dixhital, për të ndërtuar partneritet të gjelbër dhe dixhital Kinë-BE. Kina gjithmonë ka mbështetur aktivisht procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe pret anëtarësimin e sa më shpejt të Shqipërisë në familjen e BE-së. Kina pret të punojë me Shqipërinë dhe vendet e tjera europiane për të promovuar “rimëkëmbjen e gjelbër” të ekonomisë pas pandemisë COVID-19.

Si mik i popullit shqiptar, Kina disa herë ka ndihmuar Shqipërinë me materiale mjekësore kundër pandemisë. Zyrtarët, ekspertët dhe mjekët e fushës së shëndetësisë të dy vendeve tona shkëmbyen eksperienca të parandalimit, kontrollit dhe kurimit të pandemisë. Aktualisht, qeveria shqiptare vazhdon të adaptojë skemën e parandalimit dhe kontrollit sipas ecurisë së pandemisë, përpiqet të gjejë balancën mes parandalimit, kontrollit të pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike. Punonjësit e mjekësisë kanë qenë vazhdimisht duke luftuar në vijën e parë të frontit. Unë i shpreh nderime të larta miqve të mi shqiptarë.

Kina dhe Shqipëria gëzojnë një histori të gjatë të miqësisë. Pasi mora detyrën si ambasadori i Kinës në Shqipëri, shpeshherë kam dëgjuar histori prekëse të shkëmbimeve miqësore mes dy vendeve tona, të cilat më kanë dhënë energjinë dhe besimin e pafund që të punoj zellshëm. Çfarëdo ndryshimi të ndodhë në situatën ndërkombëtare, miqësia mes dy popujve tanë është e sinqertë dhe e përjetshme, ia vlen të ushqehet nga ne. Bazuar në miqësinë tradicionale dhe parimin e interesave të ndërsjella dhe përfitimeve të përbashkëta, Kina merr pjesë aktivisht në zhvillimin dhe ndërtimin e Shqipërisë. Vitet e fundit, Kina ka investuar në total 930 milionë dollarë në Shqipëri dhe është renditur prej kohësh ndër të parat shtete në tregtinë me Shqipëri. Si ambasador në Shqipëri, gjithmonë inkurajoj sipërmarrjet kineze të investojnë në Shqipëri.

Bashkëpunimet mes dy palëve në infrastrukturë, energji, bujqësi, turizëm, kanë pasur progres të vazhdueshëm dhe kanë hapësirë të gjerë në të ardhmen. Gjithashtu, shkëmbimet njerëzore-kulturore mes dy vendeve tona gjallërohen gjithnjë e më shumë. Pavarësisht se u prek nga dy tërmete, u rrit me 20% numri i turistëve kinezë në Shqipëri, u rrit dukshëm edhe numri i shtetasve shqiptarë që shkuan në Kinë për punësim dhe turizëm. Jemi shumë të nderuar që gjatë vitit që kaloi, kemi mbështetur grupe artistike shqiptare dhe projektet e ruajtjes së trashëgimeve kulturore dhe të mjedisit ekologjik.

Shqipëria, me historinë e gjatë, peizazhet e bukura dhe popullin punëtor, këmbëngulës dhe mikpritës ka potenciale të madha zhvillimi. Drejt rrugës së prosperitetit, Kina është gatshme të qëndrojë pranë popullit shqiptar. Ndërsa sjell në mendje vitin e kaluar, para syve me shfaqen shumë pamje prekëse. Z. Zheng Enbo, përkthyes kinez, dhe Z. Wang Hongqi, gazetar kinez, u vlerësuan me medaljen “Naim Frashëri” nga Presidenti Meta. Për dekada të tëra, të dy zotërinjtë i kanë prezantuar popullit kinez “Vendin e Shqiponjave” përmes përkthimit të bukur letrar dhe raporteve objektive të lajmeve, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për mirëkuptimin mes popujve tanë. Ndërkohë, kam vënë re se të rinj të vendeve tona po hedhin sytë drejt njeritjetrit.

Pas tërmeteve të forta të vitit të kaluar, 2 studentët kinezë që po studionin në Shqipëri vajtën në qendra të shërbimit social, u bashkuan në punët e ngjeshura të ndihmave emergjente. Ndërkohë, sivjet, në momentin kur vërshoi pandemia në Kinë, studentët shqiptarë që ishin në Kinë u bashkuan në punët e parandalimit dhe kontrollit në komunitete. Veprimet e tyre vullnetare përbëjnë pamje të bukura në vendet tona, dhe tregojnë të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, që janë larg njëri-tjetrit, por gëzon miqësinë e veçantë tradicionale.

I uroj lumturi popullit shqiptar! Rroftë miqësia kino-shqiptare!

* Ambasadori i Kinës në Shqipëri

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura