“The Economist” dekonspiron planin e vërtetë të Thaçit dhe Vuçiçit

Aug 31, 2018 | 8:43
SHPËRNDAJE

Revista prestigjioze britanike, The Economist, ka dekonspiruar planin e vërtetë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për zgjidhjen e problemit mes dy vendeve të tyre. Sipas saj, plani i vërtetë i tyre mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në këmbim të një autonomie për serbët brenda Kosovës.

thaci vucic

“Fundi i luftërave jugosllave, 20 vjet më parë, ka lënë qindra mijëra njerëz në shtete të cilat ata nuk i konsiderojnë të tyret. E vështirë, thanë paqebërësit: rishikimi i kufijve vetëm do të çonte në më shumë luftë. Si rezultat, nja 120.000 serbëve mbeten në Kosovën me shumicë shqiptare; nja 60.000 shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës, në Serbi”, shkruan The Economist.

“Udhëheqësit vendës prej kohësh pëlqejnë idenë e një shkëmbimi, por deri së voni Bashkimi Evropian dhe Amerika e kanë hedhur poshtë atë. Kjo ka ndryshuar. Federica Mogherini thuhet se dëshiron një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia para përfundimit të mandatit të saj si përfaqësuese e lartë për punë të jashtme e BE’së, vitin e ardhshëm – dhe një këmbim territoresh mund të jetë një mënyrë për ta arritur këtë”, vazhdon shkrimi i revistës prestigjioze.

“Amerika më nuk e kundërshton idenë, sipas një deklarate të dhënë nga John Bolton, këshilltar për Siguri Kombëtare, më 24 gusht. Ndoshta kjo po ndodh falë entuziazmit trumpian për arritjen e marrëveshjeve, dhe për nacionalizmin”, thuhet më tej në këtë shkrim, transmeton Gazeta Express.

“Zyrtarët serbë dhe kosovarë po ashtu janë të vendosur t’i përshpejtojnë gjërat para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në majin e ardhshëm, sepse ato mund të sjellin një Komision më populist, anti-zgjerim”, vlerëson The Economist.

“Që më shumë se një muaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, po japin deklarata të paqarta për një marrëveshje të mundshme. Këmbimi i paraparë është ai i veriut të Kosovës, të banuar nga serbët, për Luginën e Preshevës në Serbi, por banorët janë të përçarë rreth asaj nëse një gjë e tillë duhet të ndodhë, ose do të ndodhë”, shkruan revista.

“Shumë analistë besojnë se Thaçi dhe Vuçiq në fakt nuk kanë synim ndryshimin e kufijve, por po përgatiten për një marrëveshje në formën e një autonomie për serbët brenda Kosovës, në shkëmbim të njohjes së pavarësisë. Ndonëse që të dyja palët do ta urrejnë këtë marrëveshje, të paktën udhëheqësit e tyre do të mund të thonë se e kanë ruajtur territorin e tyre të çmueshëm”, vazhdon shkrimi i The Economist.

“Por, nëse kufijtë këtu ridefinohen përnjëmend, çfarë do të ndodhë me ato të Maqedonisë, pak kilometra përtej, ku një çerek i popullsisë përbëhet nga shqiptarët? Dhe çfarë do të ndodhë me ato të Bosnjës, ku Millorad Dodik, udhëheqës i serbëve të atjeshëm, që dëshiron pavarësinë nga Bosnja, thotë – duke përdorur gjuhë qëllimisht të paqartë – se serbët e rajonit duhet të nënvizojnë çfarë është e tyre, dhe çfarë është e fqinjve të tyre? I pyetur për rrezikun e një konflikti, Shaip Kamberi, kryetari shqiptar i Bujanovcit, në Luginën e Preshevës, thotë: ‘Ne jemi ne ata që po e hapim Kutinë e Pandorës. Ne jemi vetë kutia!’, përfundon revista shkrimin e saj. /Express/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura