Tharku i Qeverisë

Nov 15, 2019 | 10:50
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI LEONARD DEMI

Shtrëngohem të shkruaj këtë artikull nga gjendja e mjerueshme, në të cilën lëngon ligjërimi ynë publik. Ka shumë parime që na mundësojnë të arrijmë standarde dhe t’i kthehemi debatit qytetar. Por këtu dëshiroj të tërheq vëmendjen te burimi i kësaj dukurie: marrëdhënia e qeverisë (maxhorancës) me opozitën, që rrok konceptin më qendror të demokracisë. Pavarësisht se kush e ka pushtetin, të gjithë krahët e politikës duhet të respektojnë legjitimitetin themelor të rivalëve të tyre.

Ndryshimet nuk shikohen si tradhti, korrupsion apo shkatërrim, por si mosmarrëveshje të shëndetshme brenda sistemit tonë qeverisës demokratik, i cili si një i tërë, vetëm si një i tërë (qeveri dhe opozitë), ka autoritetin e vet të plotë. Opozita është kundërshtare brenda kornizës së rendit tonë kushtetues dhe nuk është armik. Është trishtim të dëgjosh Kryeministrin në debat publik të thotë:

“Ju të PD-së do të shkoni edhe më keq … nuk ju voton më njeri dhe nuk ka për t’ju votuar se e kupton se ku është e drejta … Kjo është luftë me llum të akumuluar… Kam marrë përsipër të pastroj llumin … Kushtet nuk janë arsye (për negociatat)… Janë hapa për t’u hedhur në proces”.

Pa u ndalur në përcaktimet e mësipërme, dua të tërheq vëmendjen se pos kushteve që janë në proces, nuk po vëmë re ende ndonjë rezultat ndaj kërkesave të hershme të BE-së, si: luftës kundër krimeve elektorale, korrupsionit shtetëror, apo shkatërrimit të vazhdueshëm të administratës publike.

* * *

Në këtë atmosferë të Reformës Zgjedhore po t’u rikthehemi dosjeve 336, 336/1 dhe 184, ato na tregojnë që përfaqësues të botës së krimit apo elementë të dalë nga aktivitete kriminale janë të lidhur ngushtë me veprimtarinë politike të Partisë Socialiste në tri mënyra: (i) si sponsorizues, (ii) sponsorizues dhe kandidatë dhe (iii) kandidatë për deputetë apo kryetarë bashkish në fushatat respektive elektorale, si: në Dibër, Durrës, Elbasan, Kavajë, Lezhë, Shkodër, Vorë e gjetkë. Kjo dukuri zgjerohet me përcaktimin e komisionerëve zgjedhorë, blerje votash dhe kërcënimin e zgjedhësve apo komisionerëve të partive kundërshtare. Autorëve të kësaj veprimtarie u premtohet para, imunitet politik, punësim në administratën lokale e qendrore apo dhe në aktivitete private, si dhe përfitime ekonomike nëpërmjet tenderëve publikë. Këto lidhje kanë si përfundim logjik mbrojtjen ligjore të këtyre veprimtarëve dhe të gjithë asaj shpure, që e mbolli Shqipërinë me kanabis për të mbajtur pushtetin.

Rasti i kryebashkiakut të Shkodrës dhe më pas të Vorës u përcollën pa asnjë shqetësim nga qeveria, e cila thotë se i ka plotësuar apo është në proces të plotësimit të kushteve për të hapur negociatat për t’u pranuar në BE, në atë shoqëri ku zëvendëskryeministri austriak dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet brenda 24 orëve se iu publikua një skandal elektoral dhe në të njëjtën ditë, Kryeministri Kurz thirri zgjedhjet e parakohshme.

Ky skandal tregon se një demokraci e maturuar, me institucione politike të forta, shtyp të lirë dhe një klasë politike të formuar është në gjendje të mbrojë normat politike demokratike ndaj sulmeve antidemokratike.

Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për të mbushur tharkun qeveritar me vota të shitura është simbol i pushtetit të blerë me para droge dhe aktiviteteve të tjera kriminale, si dhe një ndër arsyet kryesore të rrënimit të besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri. Pos kësaj, ekspertë të zgjedhjeve u bien kambanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike, tanimë është edhe më i madh se ai i partive politike dhe pyetja që na lind është: a do të arrijë Reforma Zgjedhore ta shërojë këtë mjedis dhe t’i japë fund kësaj murtaje elektorale?

Këtë strategji “të suksesshme” për të marrë dhe për të forcuar pushtetin e tij politik dhe ekonomik njëpartiak, Kryeministri e konsideron si sfidën e vet për “shtetbërjen, për të ardhmen”. Kritikat e vazhdueshme të opozitës i cilëson si “alibi për humbjen e zgjedhjeve” apo “fryhet krimi për të baltosur pushtetin”.

Po kështu, administrata jonë publike, që sivjet përcaktohet si dy herë më e korruptuar se gjashtë vjet më parë, po rrënohet ditaditës nga “Shqipëria që Duam”, Bomba M ose nëna e të gjitha bombave, që Kryeministri ka lëshuar jo vetëm mbi administratën publike, por edhe mbi shtetin e së drejtës.

Shqiptarët ikin masivisht se i detyrojnë kushtet e vështira ekonomike, papunësia dhe mungesa e shpresës për të zënë një punë apo se sistemi ynë arsimor do të ngrihet në lartësinë e kërkesave dhe zhvillimit të kohës. Kryeministri nuk e pranon këtë fenomen. E quan ikje natyrale dhe sjell si shembull artikullin e gazetarit dhe analistit të njohur politik, Tim Judah (Tim Xhuda), ku flet mbi shpopullimin në Europën Qendrore dhe Juglindore për vitet 1989 deri më 2050. Edhe vet ky shkrim e paraqet Shqipërinë si vend me emigracion të lartë 18%, më të lartë se emigracioni në Kosovë 11%; në Mal të Zi 5% dhe në Maqedoninë e Veriut 3%. (Tim Judah, Bye-Bye, Balkans: A Region in Critical Demographic Decline, Birn, 14 tetor, 2019).

***

Në këtë tjerrje, rëndom e dëgjon Kryeministrin të përbaltë punën e qeverive paraardhëse, si:

“Ju prodhoni vetëm zi, nuk shikoni faktet … unë bëj punën dhe jo propagandë. Më thuaj një fushë ku kemi qenë më mirë. Më thuaj një gjë që ka shkuar më keq këto 6 vjet. Janë bërë më shumë në 6 vite se 23 vite”.

Çdo shqiptar e di mirë dhe është krenar se më parë se 6 vjet të shkuara, në kohën që Kryeministri e quan llum, Shqipëria është anëtarësuar në NATO, hoqi vizat dhe hapi dyert për të udhëtuar si gjithë europianët, rritja ekonomike u ngrit në 6%, u ndërtuan me mijëra kilometra rrugë dhe investimet direkte arritën në €337.40 milionë për tremujor.

Sot, rritja ekonomike po ngadalëson dukshëm ritmet e veta dhe pritet që të mbeten në nivele të ulëta edhe për periudhën afatmesme. Qeveria parashikonte që rritja ekonomike për këtë vit të ishte 4.3%, por zor se do të shkojë deri në 3.3%; FMN-ja e deklaron 3%, kurse Banka Botërore 2.9%.

Në përfundim të 9-mujorit, investimet në ekonomi kanë rënë rreth 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet publike, edhe pse janë rritur në krahasim me një vit më parë, ato janë $101 milionë apo rreth 21.3% më pak se ato të planifikuara, d.m.th.: më pak rrugë, ujësjellës, shkolla, më pak energji dhe prodhime të shëndetshme bujqësore, si dhe mbi 60,3 miliardë lekë borxhe të papaguara.

Tepër shqetësuese paraqitet tabloja e investimeve direkte në ekonomi. Rënia e dukshme e tyre përgjatë këtij viti komprometon ecurinë e ekonomisë në periudhën afatmesme. Edhe pse kreditimi i bizneseve gjatë 9-mujorit ka pasur një rritje prej rreth 8%, ajo është destinuar, kryesisht për likuiditetet në kompani, ndërsa kredia për investime është tkurrur me rreth 6% për të njëjtën periudhë. Kështu, nga €287.62 milionë në tremujorin e dytë të këtij viti, investimet ranë dukshëm në tremujorin e tretë në €247.57 milionë.

Ndërmarrjet, shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, që përfaqësojnë 99.9% të biznesit aktiv, ku janë të punësuar 81% të njerëzve të zënë me punë, po përballen me vështirësi të mëdha, si: (i) sistemi i taksave, (ii) korrupsioni, (iii) mungesa e politikave zhvillimore dhe paqëndrueshmëria e ambientit ekonomik, çka ka rritur pasigurinë dhe pasivitetin e tyre në garën e tregut. Krahasuar me vitin 2013, frekuenca e ryshfeteve është rritur me gati dy herë.

Numri i ndërmarrjeve që kanë marrë financime është shumë i ulët: 29% (me overdraft, mesatarja e BE-së është 55%) dhe ndërmarrjet që kanë marrë kredi të tjera bankare është vetëm 14%, (mesatarja e BE-së është 50%). Numri i ndërmarrjeve të afta të vetëfinancojnë veprimtarinë e tyre është 24%; kurse një numër i konsiderueshëm, rreth 15%, përdorin financim të padeklaruar (informal), veçanërisht në bujqësi. Në përgjithësi, ndërmarrjet tona vuajnë nga mungesa e kapitalit mbështetës, financimi i pakët dhe nivel i kufizuar i transaksioneve dixhitale, ndërsa bizneset e padeklaruara nuk kontribuojnë në të ardhurat publike, pengojnë zhvillimin dhe konkurrencën e ndershme, nuk janë në gjendje të mbrojnë pasurinë, kontratat, investimet e tyre dhe të punësuarit nuk gëzojnë as sigurim shëndetësor dhe as pension.

Këtë vit është dëmtuar edhe më klima e biznesit. Shqipëria ka zbritur 19 shkallë në treguesin “Të bësh biznes 2020” dhe renditet në vendin e 82-të, e fundit në rajon dhe Europë. Ky tregues dëshmon se në vend ka dhe do të ketë më pak investime, më pak vende të reja pune dhe më pak rritje ekonomike. Në përkeqësimin e situatës ka ndikuar edhe ndryshimi i metodologjisë për mbrojtjen e investitorëve të vegjël, mungesa e një burse, si dhe fakti që vendet e tjera kanë ecur më përpara në përmirësimin e mjedisit rregullator për bizneset.

Në këtë tablo nuk mund të lëmë pa përmendur edhe faktin që disa institucione publike nuk paguajnë sigurimet shoqërore të nëpunësve të vet, gjë që dëshmon qeverisjen më të papranueshme apo më të keqe të një vendi.

* * *

Shembujt e mësipërm tregojnë se taktika që ndjek Kryeministri për të qeverisur vendin është të fyesh apo të denigrosh opozitën. Ai nuk përballet me kundërshtarin(ët) në një betejë idesh, duke respektuar të drejtat e tyre për të promovuar pikëpamjet e tyre dhe të pranojë se të fitosh debatin do të thotë të kesh argumente më të mira, arsyetime të mençura dhe të japësh shembuj të pakundërshtueshëm. Politikani serioz nuk përdor kurrë rrugë të tërthorta duke delegjitimuar kundërshtarin(ët), bile pa filluar debati.

Për Kryeministrin, ata që kanë pikëpamje të kundërta me të dhe që për të japin fakte të mbështetura në një logjikë të shëndoshë, jo vetëm që e kanë gabim, por janë njerëz të këqij, kriminelë, minojnë debatin e ndershëm, keqdashës, me qëllime perverse. Në këtë mënyrë, nuk mund të kemi ndonjë përparim apo sukses në përmirësimin e situatës politike.

Kurrkush në Shqipëri nuk ndryshon mendimi apo qëndrim se Kryeministri apo qeveria e quajti opozitën të ligë. Apo që politika e kundërshtarit të çon në shkatërrimin e gjithçkaje dhe kjo fatkeqësi mund të mënjanohet vetëm duke mbështetur qeverinë apo duke ndjekur rrugën e saj politike. Gjegjës të këtyre qëndrimeve janë shembuj mjaft të njohur në botën perëndimore të vitet 1950 apo 1980, të cilat historia e zhvillimeve demokratike i ka dënuar me forcë.

Këto lloj strategjish janë të mira vetëm për të bërë bashkë ata, që ndajnë të njëjtën mendje me Kryeministrin për t’i nxitur të mos dëgjojnë edhe pozicionin e krahut tjetër dhe të jenë të prirur të bëjnë çfarëdo që të munden të mbajnë të tjerët jashtë pushtetit, apo edhe më keq, t’i bëjnë të heshtin. Duke e mbajtur kokën kaq lart, për të çdo gjë tjetër nuk ka kuptim, bëhet e dorës së dytë dhe e vetmja rrugë e “justifikueshme” është të kontrollojë opozitën me të gjitha mjetet e mundshme.

Kësisoj, po përballemi me mjerimin e një grupimi politik, që po krijon një sistem virtual, pikërisht ashtu siç parashikoi gjashtëdhjetë vjet më parë sociologu dhe politikani britanik, Michael D. Young; kemi të bëjmë me një qeveri, që matet me hijen e mëngjesit dhe me besim në rënie, e cila duhet rrëzuar për të mos e lënë të na nënshtrojë përfundimisht.

PS: Të dhënat janë marrë nga debate televizive, INSTAT, FMN, Banka Botërore, BE, World Economic Forum Global Competitiveness Report, Indeksi FDI dhe Doing Business.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura