“Thaçi ka kryer diçka të paimagjinueshme”- Albin Kurti flet për shkarkimin e tij dhe postet që mund të marrë Vjosa Osmani e Isa Mustafa

Oct 9, 2019 | 22:24
SHPËRNDAJE

Lideri i Vetëvendosje i cili pritet të marrë postin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk e përjashtoi mundësinë që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa të marrë postin e Presidentit, por nënvizoi se kjo mund të bëhet në një fazë të dytë, duke theksuar se çështja urgjente është krijimin i qeverisë së re.

opinionalbinkurti

Ai vlerësoi deputeten Vjosa Osmani, e cila kandidoi nga radhët e LDK-së si kandidate për kryeministre.

“I takon zonjës Osmani të flasë. Ajo ka dashur që të bëhet kryeministre e Republikës së Kosovës. Tash duhet të shohim planin B. Unë kam pasur bashkëpunim shumë të mirë me zonjën Osmani. Besoj se do të qeverisim mirë bashkë. Ajo ka qenë kryetare e komisionit për punët e jashtme. Nëse shikoni votimet e zonjës Osmani me Serbinë përputhen me Vetëvendosje. Prandaj, kemi një shans të mirë me të. Qoftë si ministre e punëve të Jashtme, qoftë si kryeparlamentare ajo do ta kryente shumë mirë”, theksoi ai për “Opinion” nga Blendi Fevziu.

I pyetur nëse do ta kërkonte shkarkimin e Hashim Thaçit, Kurti tha se nuk i ka votat e nevojshme, ndërsa shtoi se ai ka bërë diçka të paimagjinueshme pasi ka pranuar të bëjë shkëmbim territorial me Serbinë.

“Ne gjithmonë e kemi kërkuar shkarkimin. Nuk kemi ende vota për ta bërë shkarkimin. Problemi më i madh që e kemi me Presidentin, tash të shohim qëndrimin e tij në raport me Serbinë. Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme pasi ka pranuar të bëjë shkëmbim territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim të dhimbshëm të kufijve. Nëse marrim Preshevën dhe Bujanovcin. Unë nuk hyj në pazare me Serbinë për tokën e Kosovës. Ne nuk e konsiderojmë që shqiptarët e Preshevës nuk janë të barabartë me serbët në Veri kur dihet se në këto vise janë strukturat e Serbisë dhe shqiptarët janë autokton, kur dihet se në Veri ka edhe serbë që kanë shkuar nga Rahoveci”, shtoi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura