Thaçi flet qartë për Reuters: Është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë

Aug 14, 2018 | 17:50
SHPËRNDAJE

Një korrigjim i kufijve me Serbinë mund të përfundojë tensionet e vazhdueshme midis Beogradit dhe Prishtinës dhe t’i lejojë të dyja vendet të lëvizin drejt anëtarësimit në BE.

Kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për Reuters, përcjell Telegrafi, duke shtuar se ai do t’ia paraqesë planin e tij presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur ata të takohen në shtator në Bruksel, si pjesë e dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

thacii

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra”, citohet të ketë thënë Thaçi.

“Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë)”.

Megjithatë, Thaçi nuk ka folur rreth asaj nëse Serbia mund të marrë në këmbim për heqjen dorë nga një territor i tillë – dhe hodhi poshtë çdo ndarje të Kosovës përgjatë vijave etnike.

“Korrigjimi i kufijve definitivisht do të shmangë ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve, më shumë krizave apo probleme, ose ndoshta edhe një luftë të re”, ka thënë ndër tjerash ai.

Përkundër kësaj, disa vende perëndimor nuk janë shprehur pro idesë së presidentit Thaçi.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë të hënën se integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor “është i shenjtë”.

Gjithashtu, edhe ambasada britanike në Prishtinë ka thënë se “thirrjet për rivendosjen e kufijve kombëtarë mund të jenë destabilizues”.

Por Thaçi, siç shkruan Reuters, është besimplotë se vendet perëndimore do të mbështesin çdo marrëveshje të nënshkruar mes tij dhe Vuçiqit, të cilën ai beson se mund të arrihet deri në shkurt të vitit 2019.

“Nëse palët bien dakord në procesin e dialogut dhe ata arrijnë një marrëveshje, BE dhe Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo marrëveshje për korrigjimin e kufirit”, tha Thaçi.

“Ne po ndjekim një proces paqësor dhe kjo do të shmangë problemet, do të shmangë krizat dhe do të hapë një perspektivë të BE për të dy vendet”./Telegrafi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura