Teuta, një burrneshë kapitene! Historia e 49-vjeçares që u prezanton Vlorën turistëve. Misteri i një udhëtimi në det që nisi i qetë e përfundoi me…

Oct 27, 2020 | 8:59
SHPËRNDAJE

SEMILJANA AZIZI/ Sapo zbritëm në Vlorë. Edhe pse pak të lodhur, ndoqëm rrugën drejt për te hyrja e portit. Aty kishim lënë takim me Teutën, të parën kapitene femër në Portin e Vlorës.

teutaok

Bëmë në këmbë rreth 5 minuta rrugë, ku dielli përvëlues të digjte lëkurën e vajzat e promocionit të anijeve të tjera turistike të ngjiteshin nga pas për të të bërë klient të tyre. Zhurmë! Teutën e njohëm prej së largu. Nuk ishim takuar më parë, por dallohej. E veshur sportive, me atlete, tuta të shkurtra gri dhe një bluzë të bardhë të stampuar, kapitenia lëvizte kudo. Përshëndeste turistë, herë të huaj e herë shqiptarë, përshëndeste miq e vlonjat vendas.

Edhe pse në pamje të parë dukej një burrneshë vlonjate, Teuta kishte një buzëqeshje shumë femërore dhe sy që flisnin më shumë se fjalët, të çiltër dhe gazmor. Teksa e përhumbur ndiqja me vëmendje veprimet e saj, befas më tërhoqi nga krahu dhe më drejtoi drejt varkës sonë të lundrimit. “Asnjëherë nuk e kemi me nxitim, por gjithmonë është mirë të shkojmë para orarit të nisjes në varkë. Zëmë vendet, rehatohemi dhe ata që e kanë për herë të parë mësohen me lëkundjet e lehta të dallgëve në breg, para nisjes”, më tha ajo teksa nxitoi hapat para meje dhe më zgjati dorën për të më ndihmuar të hipja në varkë.

Dëgjuam që motorët filluan të nxeheshin, rreth orës 9:50. Dallohej lehtësisht edhe prej erës së karburantit që kishte ardhur koha e aventurës nën drejtimin e kapitenes. Pandemia që frikësoi botën, ajo e SARS-Covid-19, nuk i trembte vlonjatët. Pasi të gjithë u rehatuan dhe zunë vendet, dolëm në det të hapur, larg zhurmës, erës së rëndë të karburantit të varkave dhe skafeve e njerëzve të dyndur në port. Vetëm më detin, jodin dhe disa tinguj të një kënge ballkanase në sfond. Për kapitenen, e shtuna jonë e aventurës nuk dukej dhe aq fitimprurëse. Në një varkë me 35 vende ishin jo më shumë se 10 turistë që kishin zgjedhur të zhvillonin udhëtimin me “Teuta Boat”.

“Menduam se varkën nuk do ta nxirrnim fare në det të hapur, prej pandemisë. Por Zoti na ndihmoi. Nuk na ka lënë duarbosh as këtë vit”, më tregoi Teuta teksa shikimin e kishte drejt horizontit ku ngjyrat blu e bojëqielli ndryshonin vetëm nga nuanca e shkriheshin bashkë harmonikisht. Në kabinën e kapitenes qëndronte dhe Jasini, bashkëshorti i Teutës. Aty, gjatë bisedave herë të shkurtra e herë pak më të gjata, pata mundësinë të mësoja më shumë për familjen Habibi, që shpirtin ia kishin shitur detit, kthjelltësisë dhe pafundësisë blu. 49-vjeçarja, tashmë e njohur për Vlorën dhe gjithë turistët si Teuta, në të vërtetë quhej Valentina Habibi. Megjithatë, na tregoi se Vali i flisnin vetëm rrethi i ngushtë familjarë, madje shpesh dhe ata i drejtoheshin me emrin Teuta.

Të ardhur nga emigracioni në vitin 2012, familja Habibi e nisën lundrimin thjesht si pasion. Dëshira e madhe për detin, së bashku me bashkëshortin, bëri që të blinin varkën e parë ‘Teuta’, me të cilën nisë udhëtimet 8 vite më parë. “Ishte ideja e Jasinit më shumë. Ai më nxiti dhe mua. Këtë varkë, që është dhe dashuria jonë e parë, e kemi blerë thuajse të shkatërruar. E ndërtuam së bashku, burrë e grua, nga fillimi. Në fillim kur shkoja në Triport peshkatarët dhe të gjithë njerëzit aty më shihnin shtrembër. Normalisht, e para femër që shkon në një ambient të tillë, aq të egër dhe punonte njëlloj si gjithë burrat që gjendeshin atje. Por nuk më shqetësoi kjo. Ne vazhduam punën derisa e nxorëm në dritë këtë ‘Teutë’ që shikoni ju sot”, tregon kapitenia. Ndërkohë që Teuta fliste, ne i afroheshim edhe më shumë ishullit të Sazanit. Shpeshherë, Teuta dilte nga kabina e kapitenit, s’kishte nevojë të mbahej askund sepse deti e kishte mësuar të mbante ekuilibrin. Takohej me ata pak turistë që kishin zgjedhur varkën e saj atë ditë. U shpjegonte itinerarin.

Gjatë kohës që Teuta komunikonte me turistët për kërkesat, dëshirat, por edhe informacione të ndryshme, drejtimin e varkës e kishte Jasini, bashkëshorti i saj. Gjeja rastin kur në kuvertë e shihja vetëm, i ulesha pranë dhe shkëmbenim disa fjalë. “Kur ulem këtu dhe shikoj horizontin, ndihem si në shtëpi. E çliruar dhe e pakufizuar. Jam vetja dhe ajo që dua të jem. Nuk e kemi të lehtë dhe ne sepse kemi mbi supe jetën e shumë personave,-vazhdonte Teuta. – Detit nuk i dihet, as njerëzve sepse sigurisht mund të panikosen. Por anijen e fundos kapiteni dhe jo kushtet atmosferike, as dallgët e as era”, tregon Teuta me shikim e zbrazët drejt horizontit. Pas mbërritjes në Sazan, teksa pushuesit vizitojnë ishullit, unë vazhdoj bisedën me kapitenen.

“A do ta trashëgosh profesionin dhe gjithë këtë pasion që ke te fëmijët e tu?”, e pyeta. “Fëmijët janë të rritur, asnjë nuk e ka marrë deri më tani patentën e kapitanerisë. Por më ndihmojnë. Më ndihmojnë me promovimin, sjellin turistë të huaj, me komunikimin në gjuhë të ndryshme. Nga familja vetëm dhëndri është ai që e ka marrë patentën e kapitanerisë dhe sigurisht që na ndihmon. Tashmë jemi rritur dhe në treg. Kemi sjellë një Teutë të dytë, e cila e ka zgjeruar edhe më tej biznesin e familjes”. Pasi nisi sërish lundrimi, teksa i afroheshim plazhit të Shën Vasilit, Teuta ndryshoi shprehi. E shqetësuar hodhi sytë tej, ku një mizëri njerëzish turreshin drejt plazhit me ujë të kaltër. “Ky quhet përdhunim. Përdhunimi i natyrës. Unë nuk jam kundër promovimit të natyrës dhe shtimit të varkave të tjera apo qoftë dhe anijeve lundruese, madje nuk i shoh as si konkurrentë, ama, e gjithë kjo pamje më frikëson. E bukura e këtij plazhi është virgjëria e tij, dhe kjo humbet tani. Si mund të dhunohet deti dhe natyra?”.

Dhe, në fakt, kishte të drejtë… A e kontrollonte njeri gjithë këtë katrahurë?! Pas qëndrimit për rreth 4 orë në plazhin e Shën Vasilit, kishte ardhur koha të largoheshim. U nisëm të qetë duke mos menduar aspak se si do të mbyllej udhëtimi. Kur po i afroheshim portit dhe shquanim kollaj ndërtesat anës bregut, dallgët filluan të tërboheshin. E ngrinin anijen në lartësi të madhe e më pas e tërhiqnin pas, drejt blusë së thellë. Në varkë filluan të dëgjoheshin klithmat dhe frikësimet e para, edhe pse situata dukej ende nën kontroll. Kapitenia dhe bashkëshorti i saj dukeshin të qetë, nuk ishte hera e parë që përballeshin me një situatë të tillë. Por turistët jo… Një prej vajzave, më e zhurmshmja e udhëtimit, filloi të panikosej dhe të qante. Sa më shumë i afroheshim portit, aq më shumë varka përplasej me dallgët dhe deti e tërhiqte sërish brenda vetes. Varka nuk po mundej të ankorohej në port. Tashmë, për hir të së vërtetës, situata dukej serioze. Një moment, Teuta doli me shpejtësi.

“Qetësohuni!”, u dëgjua të thoshte. “Kjo është e zakonshme, mos u panikosni. Ne jemi këtu dhe asgjë nuk ka për të ndodhur”. Ndërkohë që në port ishin mbledhur thuajse 10 burra që tentonin të tërhiqnin litarin e ta ankoronin anijen e vogël. Por nuk ia dolën. “Duhet të ruani qetësinë dhe të kapni momentin”, foli sërish Teuta. “Vetëm përqendrohuni!”.

E ndoqa me vëmendje dhe thashë ta provoja unë e para. Jasini, bashkëshorti i Teutës, më ndihmoi brenda varkës, ndërsa një burrë tjetër i panjohur po më zgjaste dorën nga jashtë saj. U kapa fort te dora e të panjohurit dhe dola sapo ndjeva se intensiteti i dallgëve ra. Pas meje filluan të dilnin dhe turistët e tjerë një e nga një. Pas nesh doli edhe Teuta, e me të hedhur këmbën në tokë iu drejtua turistëve duke i qetësuar. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Jasini, qëndroi në varkë, mes dallgëve dhe detit të egërsuar. Aty vërtetova dashurinë e tij për detin.

Gjithçka më kishin thënë gjatë udhëtimit ishte e vërtetë. E donin aq shumë detin sa nuk e linin e nuk ia kishin frikën dhe kur ai ishte i egërsuar. Veçmas, Teuta më tregoi se kjo ishte një situatë që mund të shmangej, por nuk ndodhi për aq kohë sa ndërtimi i portit është tërësisht i gabuar. “Nuk është ngritur një pengesë, e cila të presë dallgët dhe erën, ndaj ndodhi e gjithë kjo. Deti është i paparashikueshëm, erërat që fryjnë nga kanali i Otrantos gjithashtu. Turistët nuk arrijmë t’i njohim duke mbajtur mbi supe përgjegjësinë e jetës së tyre. Ama, kjo është puna ime. Ky është profesioni dhe pasioni im, gjithë jeta me pak fjalë”, më rrëfeu miqësisht Teuta, në fund të një udhëtimi që nisi me mister dhe shumë kënaqësi e përfundoi me adrenalinë e rrahje të forta zemre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura