Teuta Hoxha: Nexhmija e quajti Ramizin tradhtar e nxitur nga Liljana Hoxha

Jul 4, 2015 | 18:01
SHPËRNDAJE

Momentet e bukura në familjen Hoxha morën fund me rrëzimin e monumentit të diktatorit. Teuta Hoxha, nusja e djalit të madh të Enver Hoxhës, Ilirit, tregon në librin e saj “Enveri në kujtimet e mia” pikërisht këtë moment që do ta ndryshonte përfundimisht rrjedhën e jetës së tyre dhe të gjithë shqiptarëve.

Si e përjetuan rrëzimin e monumentit në qendër të Tiranës, reagimi i Nexhmijes dhe qëndrimi që mbajti Ramiz Alia. Nexhmija e quajti “indiferent”, madje, pasi doli nga burgu, do ta quante “tradhti kombëtare” sjelljen e Alisë, numri 1 i vendit asokohe.

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës

Vetë Teuta Hoxha mendon se reagimi i Nexhmijes ishte i kuptueshëm, edhe pse i gabuar, ndërsa qëndrimi i Alisë, ai që i duhej atij momenti, për të evituar gjakderdhjen. Teuta Hoxha tregon gjithashtu edhe arrestimin e Nexhmije Hoxhës për abuzim me fondet.

RRËZIMI I MONUMENTIT TË ENVER HOXHËS
Shumëkush që kishte ndjekur ato që kishin ndodhur në vendet e Europës Lindore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, ku një nga aspektet më të bujshme ishte hedhja e statujave dhe e simboleve të komunizmit, e kishte të qartë që edhe strategjia që po ndiqej në vendin tonë, e përmbante këtë element, madje zërat për këtë u dëgjuan shumë shpejt. Atë ditë, protesta e studentëve do të zbriste nga Qyteti Studenti, në sheshin “Skënderbej”, ku ndodhej statuja e Enver Hoxhës.

Qëllimi ishte rrëzimi i monumentit të bronztë. Më kujtohet si një ditë, që në dukje nisi si ditë normale. Në mëngjes, ne kishim shkuar në punë si përditë, ndërsa Nexhmija na tha se kishin mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror. Rreth orës 10:00 na lajmëruan që për çështje sigurie të shkonim në shtëpi, se parashikoheshin trazira. Të gjithë u përfshimë nga ankthi se si do të zhvilloheshin ngjarjet. Rreth mesditës, protesta kishte filluar dhe, siç na vinin të dhënat, po zhvillohej e dhunshme me pikësynim rrëzimin e monumentit. Rreth orës 2:00 të drekës u dëgjua një zhurmë e mbytur, sikur erdhi si një oshtimë nga toka, ashtu siç ndodh para se të ndihen lëkundjet e forta të tërmetit.

Dikush nga ne vetëm kaq tha: “E rrëzuan”. Hodha sytë nga Iliri. Fytyra e tij shprehte dhimbje dhe revoltë. Por ai nuk e dha veten, madje u mundua të na qetësonte, duke na thënë: “Ishte një objekt bronzi, që nuk i përkiste familjes sonë, por emrit dhe kujtimit të Enver Hoxhës nuk kanë çfarë t’i bëjnë”. Ishin fjalë që na bën të ngrinim kryet e ulur nga dhimbja. Pas pak, oficeri i rojës, me një zë të shqetësuar, nëpërmjet interfonisë, na lajmëroi: “Shoqja Nexhmije hyri në shtëpi”. Iliri u ngrit menjëherë dhe me nxitim vajti ta takonte. U kthye shumë i mërzitur. Ajo i kishte treguar se si e kishte marrë vesh rrëzimin e monumentit. Pas pak vajtëm të dy pranë saj. Ishte e pikëlluar, e dëgjoja gati me zë vaji të thoshte: “Enver, ku vajtën gjithë ato sakrifica?! Ku vajti gjithë ajo punë titanike?!”.

Në ato çaste, ne mundoheshim me praninë tonë t’ia lehtësonim sadopak hidhërimin, që ajo me të drejtë ndiente. Në të tilla raste është shumë e vështirë të gjesh fjalë ngushëllimi. Por ajo grua e fortë dhe e mençur, që e kishte kalitur lufta dhe jeta, u ngrit në këmbë dhe, duke na hedhur duart krahëve, tha: “T’ju kem mirë juve dhe fëmijët e vegjël! Ne të gjithë bashkë do ta ruajmë në zemër Enverin tonë, vetëm nga zemra nuk na e heqin dot!”. “Ndodheshim në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror,- kishte thënë Nexhmija,- ku po diskutohej një temë krejt jashtë problemeve të rëndësishme që po ndodhnin në vend. Në mes të mbledhjes hyn dikush dhe i lë Ramizit në dorë një copë letër.

Ai e sheh dhe, me një fytyrë të qetë, gati indiferente, e rrotullon letrën nëpër duar dhe nuk thotë asnjë fjalë. Pas pak, kur pjesëmarrësit, të shqetësuar nisën të pëshpërisin me njëri-tjetrin, atëherë Ramiz Alia tha: “Më njoftuan që monumentin e rrëzuan”. Nexhmija shumë e tronditur qe ngritur menjëherë dhe ishte larguar nga mbledhja. Pikërisht këtë qëndrim të Ramiz Alisë, që ajo e quajti “indiferent”, Nexhmija nuk e harroi, madje mbeti e indinjuar. Kjo indinjatë u shtua edhe më shumë kur atë e arrestuan. Edhe këtu ajo shihte veprimin dhe mosveprimin e Ramiz Alisë. Kjo vetvetiu krijoi një ftohje në marrëdhëniet midis tyre. Lidhur me këtë, Ramiz Alia, në librin “Jeta ime”, në faqen 349, shkruan: “…Kjo goditje shkaktoi zemërimin e Nexhmijes. Unë, që kisha detyrën e Presidentit të Republikës, paskam ‘lejuar’ arrestimin e saj. Natyrisht, zemërimi i Nexhmijes ishte pa bazë. Së pari, unë vërtet isha President i Republikës, por arrestimi i saj u bë pas shpinës sime. Atë e organizoi Sali Berisha.

Në bazë të dispozitave kushtetuese që ishin në fuqi atëherë (është fjala për fundin e vitit 1991 T.H). Presidenti nuk kishte asnjë të drejtë të ndalonte veprimet e organeve të Drejtësisë. Madje, këto organe as nuk ishin të detyruara ta njoftonin paraprakisht Presidentin për asgjë”. Ajo ditë e rëndë e 20 shkurtit më ka mbetur ende në kokë si një uturimë, që më kujton gjendjen shpirtërore shumë të trazuar. Orë pas ore vinin lajme dhe komente në versione të ndryshme, nga telefonatat e shumta që merrnim nga njerëzit, të cilët flisnin shumë të irrituar për çka ndodhte. Në mbrëmje nuk isha në gjendje të ndiqja as emisionet e lajmeve. Të nesërmen, hapa televizorin dhe pashë skenat e rënda. Rrëzimi i monumentit për mua mbetet pjesë e atyre skenarëve që forcat regresive kishin ndërmarrë për rënien e sistemit komunist edhe në Shqipëri. Por skena e tërheqjes zvarrë të monumentit në rrugët e Tiranës ishte një gjë e ulët. Ajo nuk duhet të ndodhte kurrsesi, madje shteti mund të kishte vepruar për të evituar veprime të tilla barbare ndaj një figure që, tek e fundit, kishte udhëhequr popullin në Luftën e lavdishme Nacionalçlirimtare, që e çliroi vendin nga pushtimi nazifashist dhe e radhiti në krah të koalicionit të vendeve fitimtare. Ai veprim i shëmtuar kishte përmasa vandalizmi dhe ishte një turp për një popull që aspironte për demokraci.

Pa dyshim, ashtu si edhe shumë qytetarë të tjerë të këtij vendi, edhe mua kjo gjë e shëmtuar më revoltoi pa masë, jo aq nga veprimi i turmave, që në të tilla raste nuk dinë çfarë bëjnë, por nga mosveprimi i shtetit. Shteti e kishte aq në dorë që, pa dëmtuar askënd, ta ndalte këtë akt të shëmtuar, jo për sentimentalizmin e familjes, por për të respektuar vlerat e historisë së Shqipërisë, vlerat qytetare të popullit tonë. Dhe për këtë mosveprim nuk mund të mos i vija faj xhaxhait tim, Ramiz Alisë. Rreth orës 10:00 këputa disa lule nga kopshti i shtëpisë dhe, bashkë me Ilirin, vajtëm dhe i vendosëm mbi varrin e Enver Hoxhës. Atë ditë, me lot në sy, gati u betova në heshtje para varrit se, sido që të vinin situatat, nuk do ta tradhtoja kurrë emrin e tij të nderuar. Me t’u kthyer në shtëpi, ashtu e mbushur gjithë emocion, kërkova të lidhesha në telefon me Ramizin. Nuk dija se çfarë të kërkoja, po desha të zbrazja një duf që më ishte mbledhur përbrenda. “Ku vajti gjithë ajo dashuri që më mëkove për shokun Enver?”, mendoja me vete.

Ndihesha e vrarë në shpirt nga akti i dhunshëm ndaj monumentit të Enver Hoxhës, por edhe nga shteti dhe nga njeriu im i afërt. Kjo e dyta ishte akoma më e rëndë për mua. Nuk u lidha dot me Ramizin, se në ato orë ndodhej në takim me oficerët e Ministrisë së Brendshme, por fola në telefon me dy vajzat e tij, Zanën dhe Besën, të cilave u zbraza shqetësimin tim. Të mërzitura shumë për gjendjen time, menjëherë pas telefonatës, ato erdhën tek unë që të më qetësonin. Isha aq e tronditur, sa fjalëve të tyre që “babi nuk e tradhton kurrë shokun Enver”, nuk ua vija veshin. Ndërkohë, “Blloku” po rrethohej nga turmat që bërtisnin “ta djegim, ta djegim”. Gjendja po agravohej. Rreziku ishte i madh, mund të ndodhte çdo gjë. Në këto rrethana, Nexhmija thërret tre fëmijët e saj dhe u thotë: “Merrni familjet tuaja dhe largohuni menjëherë nga shtëpia”. Pastaj me ton të prerë lajmëron oficerin e rojës dhe i thotë: “Sikur flakën t’i vënë, nuk dua të ketë asnjë të shtënë nga ana juaj. Në pragun e shtëpisë së Enver Hoxhës nuk dua të derdhet gjak”. Sokoli dhe Pranvera me gjithë fëmijët e tyre u larguan menjëherë, ndërsa unë me Ilirin u vonuam, sa përcolla dy kushërirat e mia dhe sa përgatita dy-tri rroba për Besmirin e vogël.

Kur dolëm nga shtëpia, Blloku ishte i rrethuar nga të gjitha anët nga demonstrues dhe në dalje të çdo rruge të tij kishte zënë vend një tank i Gardës së Republikës, që e bënte të pamundur largimin me makinë. Të fundit nga shtëpia dolën Nexhmija me Sanon, pasi kishin përcjellë gjithë personelin që punonte te ne. Iliri, unë dhe fëmijët, bashkë me Nexhmijen dhe Sanon, u strehuam në godinën e shtëpisë së partisë nr 1. Meqë shtëpia ku banonte xhaxhai im ishte ngjitur me të, në drekë, kur protesta u ndal dhe Ramizi u kthye në shtëpi, vajta dhe unë me Ilirin ta takonim. Ai u gëzua kur na pa. Pastaj, të ulur të gjithë bashkë, filluam një bisedë familjare. Ai, me qetësinë e tij, na shpjegoi se çfarë po ngjiste. Pak a shumë ato çfarë na tha atë ditë, i ka shkruar në librin e tij, që unë po e citoj: “Ditët e fundit të muajit shkurt të vitit 1991 kanë qenë më të rëndat në jetën time politike. Nga njëra anë, sepse shoqëria për të cilën kisha punuar dhe luftuar gjatë gjithë jetës sime, shoqëria socialiste dhe udhëheqësi ynë Enver Hoxha ishin vënë në shënjestër, si nga propaganda e jashtme, ashtu edhe nga forcat opozitare, ku rolin kryesor e luante ‘rruga’.

Nga ana tjetër, çdo veprim i pamatur ose i nisur nga mendimi që të mbroheshin me çdo kusht sistemi i mëparshëm ose monumentet e Enver Hoxhës, duke përdorur forcën e armëve, do të thoshte gjakderdhje, vëllavrasje. Isha i vendosur që një gjë të tillë nuk duhet të ndodhte. Kjo do të ishte një katastrofë për popullin dhe kombin shqiptar. Në kohën kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës, u bënë përpjekje nga e djathta dhe nga faktorë të jashtëm që të provokohej ndërhyrja e forcave të armatosura, gjoja për të mbrojtur socializmin. Qëllimi i tyre ishte të arrihej te gjakderdhja, jo vetëm për të akuzuar PPSH-në si forcë antipopullore, kundërshtare e zhvillimeve demokratike dhe e pluralizmit politik, por edhe për të destabilizuar Shqipërinë, në një kohë kur Millosheviçi kishte nxjerrë shpatën kundër Kosovës”. (fq.381) Nga ajo bisedë e gjatë që bëri me ne, kuptova se sa e koklavitur ishte situata që po zhvillohej në vend.

Por, nga ana tjetër, zgjidhja dhe ato dilema që më ishin krijuar për xhaxhain tim. Ndjeva një lehtësim dhe m’u duk se fitova përsëri një gjë të madhe, që në ato orë ankthi kujtoja se e kisha humbur. Pas shumë vitesh, kur me kohë gjërat u qetësuan, u bë edhe më e qartë se mënyra si e kishte administruar Ramiz Alia situatën në ato kohë shumë të vështira, kishte qenë ajo e duhur. Ai arriti të shmangë gjakderdhjen në Shqipëri, që ishte një fitore për të gjithë shqiptarët, por edhe po ta analizosh në një kuptim të ngushtë, nuk do të kishte qenë mirë të ndodhte as për figurën e Enver Hoxhës. Pas këtyre që ndodhën dhe në vazhdim, qëndrimi midis xhaxhait tim dhe Nexhmijes mbeti i distancuar. Kjo edhe për shkak të të gjitha atyre ngjarjeve që erdhën më pas, si burgosja e të dyve, ngjarjet e vitit ’97, largimi i Ramiz Alisë jashtë vendit, për disa kohë, kur shkoi pranë fëmijëve të tij, si dhe për shkak të situatës shumë të pështjelluar politike dhe sociale që kaloi vit pas viti, vendi ynë. Megjithatë, ata nuk e ndërprenë komunikimin midis tyre. Takoheshin dhe bisedonin kur gjendeshin në ndonjë rast bashkë, dërgonin përshëndetje për njëri-tjetrin, më shpesh nëpërmjet meje, bisedonin ndonjëherë me telefon.

Megjithatë, duhet thënë që në shtëpinë tonë Ramiz Alia nuk erdhi asnjëherë. Vetëm kur Ilirin e futën në burg, Ramizi, që sapo kishte dalë vetë nga burgu, më erdhi në shtëpi të më takonte, por Nexhmija në ato kohë vuante dënimin e saj të padrejtë. Pas pak muajsh, Ramizin e arrestuan sërish. Pas deklaratës së Nexhmije Hoxhës, menjëherë sapo doli nga burgu, dhënë gazetares Rudina Xhunga, ku e cilësoi si tradhti kombëtare atë që kishte bërë Ramiz Alia, ai u ndje shumë i prekur, sepse e quante të padrejtë. Për mendimin tim, kjo deklaratë e Nexhmijes ishte e nxituar dhe e bërë në kushtet e lodhjes dhe vuajtjes nga një burgim i gjatë, krejtësisht i padrejtë, por edhe nga një presion i vazhdueshëm që djali i vet, Sokoli, dhe bashkëshortja e tij, i bënin duke kërkuar me ngulm që ajo të ngarkonte me përgjegjësi për gjithçka Ramiz Alinë dhe të prononcohej publikisht kundër tij.

Ne kemi diskutuar me Nexhmijen më vonë dhe kemi qenë të një mendimi se një ndikim të madh pati për këtë e shoqja e Sokolit, Liljana, e cila hiqej se mbronte Enver Hoxhën, por nën rrogoz bënte lojën e tjetërkujt. Ajo kishte filluar të bënte çdo marifet dhe poshtërsi që ta ndante nënën nga djali i madh, Iliri, nga nusja dhe familja e tij. Meqë nuk arriti dot t’i përçante, atëherë me veprime djallëzore dhe të ulëta ia bëri çorap mendjen të shoqit dhe e largoi atë dhe fëmijët nga Nexhmija dhe nga familja e saj. Të gjithë i kanë parë këto vite veprimet e saj të çoroditura nëpër televizione e në shtyp për të dëmtuar sistematikisht imazhin e familjes së Enver Hohxës. Në popull, me të drejtë, ishte krijuar bindja që kjo familje ishte model. Kjo bindje duhej përmbysur, po si? Kundërshtarët gjetën drurin e shtrembër dhe e shfrytëzuan për të ndezur fitilin. Këtë imazh pozitiv ajo u mundua ta shkatërronte.

Nexhmije Hoxha pas daljes nga burgu

Dhe deri diku mundi t’ia arrinte. E gjithë kjo ishte një strategji e orkestruar nga dikush ose disa të tjerë, të cilët shfrytëzuan këtë “vegël të ndryshkur” për të realizuar qëllimet e tyre. Por unë jam e bindur që koha do ta tregojë se cila është Liljana Sotiri. Në këto mori ngjarjesh që trazuan vendin, por edhe familjen tonë, ne ndjemë nevojën të ishim edhe më të bashkuar, i jepnim forcë njëri-tjetrit, duronim me qetësi sharjet, shpifjet, trysninë terrorizuese që na bëhej nga jashtë. Por, për fat të keq, na u desh të përballeshim edhe me “kolonën e pestë” të familjes. E ndodhur në një pozitë të vështirë, midis dy palëve, ashtu siç e kam thënë në fillim, e mësuar nga vetë xhaxhai im, që nuk më pyeste për çka ndodhte brenda shtëpisë së Enver Hoxhës, vazhdova të njëjtin qëndrim, duke mos përcjellë fjalë, se çfarë dëgjoja nga Nexhmija dhe, në të kundërt, çfarë dëgjoja nga Ramizi. Vetëm për çka ata më autorizonin, unë i përcillja. Mjaftohesha duke dhënë vetëm mendimet e mia për sa diskutohej. Ata ishin njerëz të zgjuar, të rrahur me vështirësi të mëdha të jetës, kështu që çdo gjë mund ta zgjidhnin me urtësinë e tyre.

Nexhmije Hoxha gjatë votimit në burg

Madje, ata vetë ma lehtësuan pozitën, sepse asnjëri nuk më foli për tjetrin, as më pyetën, as më kërkuan t’i thosha këtë ose atë. Të dy treguan kulturën, pjekurinë dhe njerëzillëkun e tyre. Unë e kam ndërgjegjen të qetë që personalisht, gjatë gjithë viteve të mia në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe deri sa xhaxhai im, Ramiz Alia, u nda nga jeta, kurrë nuk bëra ndonjë hap që të sillte ndonjë shqetësim, që mund të krijonte situata të pakëndshme për të dyja palët.


Xhaxhai im, Ramiz Alia, me gjithë peripecitë që kaloi, në këtë periudhë aq delikate dhe të vështirë e nderoi deri në fund Enver Hoxhën dhe familjen e tij. Edhe pse i sëmurë, ai nuk mori parasysh as pasojat e shëndetit, por vajti në Prishtinë, në tubimin që u organizua me rastin e 100- vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës dhe foli atje duke ngritur lart vlerat, meritat dhe kontributin e tij për çështjen e Kosovës. Kështu e nderoi për herë të fundit kujtimin e Enver Hoxhës, pasi vizitën që ai kishte planifikuar të bënte në shtëpinë tonë në këtë 100-vjetor të Enverit, nuk arriti ta bënte, ngaqë u shtrua në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura