“Tetralogjia e kohëve”, në shqip vepra e shkrimtarit më të mirë qipriot

Oct 24, 2019 | 12:59
SHPËRNDAJE

maxresdefault (1)

ANILA DEDAJ/ Jorgos Filipou Pieridhi konsiderohet si shkrimtari më i madh i shekullit të fundit në Qipro e për herë të parë përmes librit “Tetralogjia e kohëve”, letërsia e tij përkthehet në shqip nga shtëpia botuese “Toena”.

I ndarë nga jeta 20 vite më parë, siç përkthyesi i tij Kristo Pulla tregon gjatë promovimit të librit në Muzeun Historik Kombëtar, vepra e Jorgos mbulon një periudhë prej 3-4 dekadash. “Tek ky libër më bëri shumë përshtypje aftësia e këtij shkrimtari për të zhbiriluar thellë brenda shpirtit”, tregon përkthyesi, ndërsa ndalet edhe te një prej tregimeve që i ka tërhequr më shumë vëmendjen. Bëhet fjalë për “Fundi i zotit Trik”, që rrëfen se si një njeri i përpiqet të pasurohet e të jetë i suksesshëm, duke harruar më të rëndësishmen: Të jetojë.

“Është një personazh i habitshëm, që e nis nga zeroja. Një djalosh i rrugëve që mundohet të ndërtojë biznesin e vet, e gjatë rrugëtimit arrin shumëçka. Por kur bëhet 70-vjeç, kupton se kishte harruar të martohet. Jo vetëm kaq, por ndihmësin e vet e trajton si të ishte kafshë, edhe gjatë kohës që shëndeti i përkeqësohet. Në momentin që shërbëtori ngre dorë, ai e kupton se çfarë kishte bërë gjatë jetës së tij. Vetëm atëherë bëhet njeri”, tregon ai. Pulla shton më tej se autori qipriot ka një gjuhë të rrjedhshme e të pasur, por përdor edhe idioma, veçanërisht ato të dialektit qipriot. “Për këtë jam konsultuar me persona që njohin mirë këtë dialekt dhe me shkrimtarë të tjerë”, thotë përkthyesi.

Ylljet Aliçka: Klasiku grek, si mjeshtër i jetës së përditshme

libri4

Shkrimtari dhe ish-diplomati Ylljet Aliçka u shpreh entuziast që një shkrimtar nga Qipro, pjesë e autorëve klasikë grekë, vjen pranë lexuesit shqiptar përmes “Tetralogjia e kohëve”. “Është një letërsi tipike mesdhetare, prandaj mendoj se është më mirë të lexosh një vëllim me tregime të një autori të tillë, që është shumë i talentuar për të njohur një vend, sesa të lexosh 20 mijë faqe histori”, u shpreh Aliçka. Ndër të tjera, ai theksoi edhe trajtimin e elementit kohor në këtë libër.

“Është një përmbledhje ku jepen të gjitha fazat e historisë së trazuar qipriote, elementet e jetës, që janë objekt i çdo shkrimtari, si vdekja, jeta, dashuria, por mbi të gjitha qëndresa, uljet e ngritjet politike të Qipros. Në këtë vëllim, del në pah edhe shpirti i qëndresës së popullit qipriot. Edhe pse është pjesë e traditës së mirë të letërsisë greke, përqasja e Jorgos Filipou Pieridhit mua më kujton Çehovin”, tha shkrimtari. Ajo çka e çon drejt një konkluzioni të tillë, është qasja që shkrimtari qipriot i bën historisë, kohëve, momenteve të vështira, që ai i gjen te rutina, jeta e përditshme. “Është një mjeshtër i jetës së përditshme, në dukje shkrimtar naiv, por është ironik që përdor metaforën si simbol të fuqishëm. Zgjedh që kulturën e vendit ta paraqesë përmes rutinës e periferisë, sesa në momentet revolucionare e ngjarjet e mëdha historike, edhe pse as këto të fundit nuk përjashtohen. Në tregimet e tij tregohet më tepër se si popujt ngjiten më shumë në nivelet e jetës periferike, sesa në nivelet politike”, tha ALiçkaj.

“Jorgos Filipou Pieridhi, ky tregimtar i rrallë” Botuesja Irena Toçi u shpreh se “Tetralogjia e kohëve” është një vepër gjithëpërfshirëse. “Përmban tregime nga katër vëllime të tjera të Jorgos dhe është nga më përfaqësuesit e karrierës së tij letrare. Jetoi për 95 vite e pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Ishullin e Qipros, ndërsa pjesën tjetër në Egjipt, ku përfundoi dhe studimet. Librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, si rusisht, greqisht, frëngjisht etj.”.

Toçi e konsideroi Jorgos Filipoun si një tregimtar të rrallë, me një penë të sprovuar në këtë gjini.

“Ndihen ndikimet e tij nga kultura arabe dhe ajo qipriote”, shtoi më tej. Edhe pse në sfond të “Tetralogjia e kohëve” janë edhe ngjarjet historike, Toçi tha se mbi të gjitha ky libër trajton ngjarjet njerëzore. “Janë ngjarje që secili nga ne i has çdo ditë, të birit që tradhton të atin, i cili ka investuar shumë te fëmija e tij, apo moment të tjera, të cilat ngjallin diskutime edhe në shoqërinë shqiptare”. Përpos kësaj, Toçi e konsideroi këtë botim si një rast të mirë që lexuesi shqiptar të njihet edhe me letërsinë e Qipros.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura