Teta Xhano, 5 vjet nga vdekja, në kujtimet e fëmijëve-aktorë

Dec 24, 2012 | 14:36
SHPËRNDAJE
Xhanfize Keko me fëmijët e filmave, viti 1984

Regjisorja më e njohur shqiptare, Xhanfize Keko, vjen në 5-vjetorin e vdekjes mes kujtimeve të fëmijëve-aktorë. Flasin personazhet e filmave “Taulanti kërkon një motër”, “Mimoza llastica”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Kur xhirohej një film”, “Beni ecën vetë”.

U mbushën plot 5 vjet që kur teta Xhano, regjisorja e dashur e fëmijëve, truppakët, e qeshur dhe me një vështrim të zgjuar, u nda nga jeta. Disa stacione televizive japin thuajse çdo ditë një film me regji të Xhanfize Kekos, e pavarësisht se herë-herë ndihet fryma e ideologjisë së kohës, ke dëshirë t’i rishohësh e të vësh buzën në gaz me naivitetin dhe batutat e fëmijëve aktorë. Edhe pse nuk është më, emri i saj vazhdon të jetë i lakuar në rrethe kineastësh apo tek shikuesi përmes filmave, por ata që nuk do ta harrojnë janë pa dyshim fëmijët. Aktorët e vegjël, që e mbushën me aq shuam gëzim e që padashur ia shtuan thinjat teta Xhanos. Në këtë 5-vjetor, disa prej fëmijëve të dikurshëm, sot burra e gra që kanë marrë rrugë të ndryshme në jetë, kujtojnë njohjen e tyre me regjisoren Xhanfize Kekon, duke sjellë situata, batuta, ndjenja të atyre viteve të largëta dhe të paharrueshme.

DONALD KOKONA

“Taulanti kërkon një motër”

(Taulanti – “Taulanti kërkon një motër”)
Atë shtator të vitit 2000, kur gazetarja e Televizionit Shqiptar më futi në studion e emisionit të mëngjesit ku kishin ftuar regjisoren ikonë të filmit shqiptar për fëmijë, kisha gjashtëmbëdhjetë vjet pa u parë dhe pa u takuar me teta Xhanon. Çuditërisht më njohu. Në momentin e parë dëgjova që më përmendi emrin, pastaj, edhe emrin e personazhit, si të ishte mbiemri im, “Donald Taulanti”. Kjo gjë, në ato momente transmetimi të drejtpërdrejtë, më befasoi. Si ka mundësi, mendova, që më mban mend?! Por s’pata kohë të mendoj më gjatë. Teta Xhano më përqafoi me shumë mall, më puthi me shumë dashuri, më uli fare pranë vetes, dhe, duke vënë dorën e saj mbi timen, nisi të ma përkëdhelë. Si dikur.
E dëgjoja tek kujtonte momente nga bashkëpunimi me aktorin më të vogël në krijimtarinë e saj, dhe, duke e parë nga koka te këmbët, përpiqesha të përputhja imazhin tim për teta Xhanon me vetë teta Xhanon. Ishte e pamundur. Unë e përfytyroja trupmadhe, ajo ishte trupvogël. Unë e përfytyroja zëplotë, ajo ishte zëpakët. Unë e përfytyroja autoritare, ajo ishte intime. Unë e përfytyroja të largët, ajo ishte e afërt. E pranoj, kisha gabuar. Por, më besoni, nuk është faji im që kështu e përfytyroja unë regjisorin, njeriun më të rëndësishëm të një filmi.
Më kujtohet që, disa minuta më pas, duke e pirë kafen shumë ngadalë si për të mos dashur të mbaronte kurrë ajo bisedë, folëm gjatë. Megjithëse imazhin e teta Xhanos, siç thashë, e kisha ndërtuar brenda meje ashtu si e mendoja dhe e doja unë, gjatë atyre minutave, për fatin tim të mirë, zbulova edhe diçka tjetër tek ajo. Teta Xhano ishte edhe një gjyshe shumë e dhembshur, shumë e dashur, shumë delikate dhe shumë e brishtë për moshën. Pastaj, mendova, si ka mundësi që, kur kam qenë katër vjeç, për shkak të largësisë së viteve me të, unë nuk e kam thirrur “nëna Xhano”, por e kam thirrur “teta Xhano?!”.
E shihja, e shihja, pa ia ndarë sytë, ndërsa ajo fliste dhe kujtonte. Nuk mbaj mend sa vazhduam kështu, por, mbaj mend se, duke vazhduar meditimin tim të nisur në studion e televizionit, ato çaste i dhashë përsëri të drejtë Donaldit në përfytyrimin e tij për teta Xhanon. Kjo grua me përmasa të mëdha njerëzore, shpirtërore dhe artistike nuk mund të mos kishte edhe përmasa të mëdha fizike. E di që është e vështirë që i njëjti person mund të të japë të dyja këto ndjesi, se, në fund të fundit, njëri ose e do dikë, ose e ka frikë, por me teta Xhanon ishte ndryshe. Mbase tani që jam rritur e kuptoj që, duke alternuar këto dy role, atë të nënës dhe të artistes, ajo arriti të bënte çudira me fëmijët shqiptarë në filmat që realizoi, nga ato çudira që dhjetë vjet më parë nga koha për të cilën po flas, kishin lënë gojëhapur shqiptarët, përpara ekranit. Të gjithë e kujtojnë atë djalin e vogël në filmin e famshëm italian “Burri me pantallona të shkurtra”. E, çka më shumë ai se Beni në filmin “Beni ecën vetë”, Veloja në filmin “Partizani i vogël Velo”, Tomka në filmin “Tomka dhe shokët e tij”, apo Genci në filmin “Kur xhirohej një film”?!
Teta Xhano, si të kishte kuptuar dilemën time që më mundonte prej minutash të tëra, u ngrit nga tavolina dhe unë, pa vetëdije, bëra veprimin që bën në jo pak raste fëmija me nënën e tij, i hodha dorën në supe tek shkonim drejt derës së lokalit. Ajo ktheu kokën nga unë, më buzëqeshi siç dinte vetëm ajo të buzëqeshte dhe më përkëdheli kurrizin butësisht me dorën e saj të vogël. Atë çast e ndjeva se ajo dorë më zgjoi, më ktheu në realitet dhe më bëri të konkludoj se teta Xhano nuk ka asgjë mbinjerëzore, as shpirtin, as talentin, as fizikun. Përkundrazi, ajo është aq e madhe, sepse gjithçka brenda dhe jashtë saj i ka njerëzore.
Ajo, në sytë e mi ka mbetur një grua e madhe…

ELONA DILO

“Mimoza llastica”

(Klara – “Mimoza llastica”)
Nga largësia e viteve mendoj se pavarësisht se atëherë ajo na pyeste vazhdimisht ne të shtatave, njeriu që i bëri personazhet e Mimozës, Editës, Savës, Zanës, Evës, Ledit dhe Klarës të vërtetë dhe të besueshëm, njeriu që i njehsoi këto role me natyrën dhe karakterin fëmijëror, njeriu që bëri të mundur që ne të mos e ndjenim peshën e rëndë të përgjegjësisë dhe detyra e vështirë të na dukej më e lehtë dhe të ndiheshim njësh me emrat e personazheve që mbante skenari i filmit, ishte teta Xhano.
Me ngjarje, emocione, mbresa e përshtypje, i kam fiksuar të gjitha ditët, deri në përfundim të filmit. Njëra më e bukur se tjetra, njëra më e veçantë se tjetra. Të gjitha bashkë, të paharruara për mua, edhe për kënaqësinë që përjetova nga bashkëpunimi me një regjisore të madhe si Xhanfize Keko dhe miqësia me një njeri të shkëlqyer si teta Xhano. Edhe ditën e fundit. Kur, unë dhe shoqet e mia, para se të mbyllnim derën, të cilën e hapëm dhe e kapërcyem gjashtë muaj më parë, nuk harruam ta përshëndesim dhe ta përqafojmë me shumë dashuri duke i thënë, “Mirupafshim teta Xhano!”.
Gjithmonë të qeshur e të dashur do ta kujtoj atë njeri që më bëri të përjetoj kënaqësi të mëdha pranë saj dhe prej saj në ato ditë të fëmijërisë time.

ENEA ZHEKU

“Tomka dhe shokët e tij”

(Tomka – “Tomka dhe shokët e tij”)
Fëmijë në një moshë që nuk mund të harrojë ç’ka ndodhur dhe ç’ka bërë në fëmijëri, më shumë se kujtimet e shumta nga xhirimet e këtij filmi apo bashkëpunimi krijues me regjisoren e tij, sot preferoj të rrëfej për herë të parë shqetësimet që i kam sjellë kësaj gruaje dhe reagimin e saj ndaj tipit dhe karakterit tim shumë të vështirë.
Duket kam qenë shumë i zoti edhe për prapësi si fëmijë, përderisa, pa filluar mirë puna në Berat, pesë fëmijët e filmit arrita t’i ndaj në dy grupe rivale me komandantë Enea Zhekun dhe Herion Mustafarajn. Më pas, kur filloi puna dhe kur të gjithë e kishin mendjen te përgatitja e sheshit të xhirimit, i vetmi që nuk gjendej në vendin e duhur isha unë, pasi më pëlqente të fshihesha dhe të shihja së largu pjesëtarët e grupit kur më kërkonin sa andej-këtej për minuta apo orë të tëra. Po, edhe kur rrija në vendin e xhirimit, i vetmi që nuk e kishte mendjen te përgatitja e skenës isha unë, pasi më pëlqente të ngacmoja shokët dhe të shihja kur nxeheshin e bërtisnin pjesëtarët e grupit. Për një njeri që nuk e njeh botën e filmit dhe për më shumë nuk i njeh vështirësitë e sheshit të xhirimit, këto që po tregoj unë mund të mos i bëjnë ndonjë përshtypje të veçantë dhe mund t’i duken më se të zakonshme, thjesht dhe vetëm teka fëmije. Në fakt, nuk është kështu. Sheshi i xhirimit është më shumë se i tmerrshëm në pikëpamje të vështirësive që paraqet, veçanërisht për regjisorin që, nëse nuk arrin t’i unifikojë në kohë të gjithë komponentët, ka dështuar pa filluar nga puna. Imagjinoni tani në këtë shesh xhirimi teta Xhanon që, mes punëve dhe të papriturave të pafundme, nuk harronte të më këshillonte me butësinë e gruas dhe durimin e nënës të sillesha mirë, të rrija urtë, të isha i vëmendshëm, të isha i përqendruar. Po, kë? Unë vazhdoja avazin dhe u bëra aq problematik për grupin sa, më në fund, ajo “u dorëzua”. Vendosi të më zëvendësojë. Pastaj, po vetë u bë pishman. Ndryshoi vendimin dhe gjeti zgjidhjen shpëtimtare. Mori në Berat nënën time dhe e “emëroi” kujdestare vetëm për mua. Fundja, ç’mund të bënte e shkreta teta Xhano?! Vetë më kishte zgjedhur dhe atë tip donte.
Sot, jam i ndërgjegjshëm se, me bëmat që përmenda më lart, teta Xhano është lodhur, mërzitur dhe shqetësuar shumë, nga unë dhe me mua, ashtu siç jam i bindur se më donte shumë, pasi, e dinë të gjithë ata që e kanë njohur dhe punuar me të, asaj mbi të gjithçka i pëlqente që fëmija të ishte vetvetja. Falë kësaj dashurie i kapërceu teta Xhano në atë kohë barrierat që nuk i kishte menduar kurrë më parë dhe arriti të mbetet edhe sot që nuk jeton më nga njerëzit më të dashur dhe më të respektuar për mua.
E fundit, e fundit. Shumë herë e kam menduar, por asnjëherë nuk e kam thënë deri më sot, ndaj po përfitoj nga rasti ta pohoj publikisht: “Nëse unë arrita të bëj një karrierë filmike, për këtë i detyrohem vetëm teta Xhanos, pasi vetëm prej saj arrita gjithçka”. Ja pse, edhe sot, kur më pyesin si munde të luash në film, unë u them: “Teta Xhano!”. Kur më pyesin si ke arritur ta realizosh këtë skenë, unë u them: “Teta Xhano!”. Kur më pyesin si munde të bëhesh aktor, unë u them: “Teta Xhano!”.

FLURANS ILIA
(Guri – “Tomka dhe shokët e tij”)
Pas njëmbëdhjetë e kusur vitesh, në dhjetor 2005 u riktheva në atdhe, i konsoliduar brenda meje tashmë si njeri që i përket kryekëput artit të fjalës. Në vazhdim, gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë, një gazetar më ftoi në një takim të organizuar prej tij me aktorët e vegjël të filmit “Tomka dhe shokët e tij”. Megjithatë, kënaqësia më e madhe atë ditë mbeti takimi me teta Xhanon. Pimë një kafe të shoqëruar nga dashuria dhe malli për njëri-tjetrin, aty pranë Rrugës së Durrësit. Folëm gjatë. Gruaja fisnike që kisha përballë, nuk kishte humbur asgjë nga freskia, sharmi dhe kthjelltësia e dikurshme edhe në ditët e saj të moshës së artë! Ishte privilegj të bashkëbisedoje me teta Xhanon.
Dy vjet më pas, më 23 dhjetor 2007, u takuam për herë të fundit. Këtë herë, ashtu siç nuk do dëshiroja ta takoja kurrë në jetën time. E mbaj mend mirë atë të diel me diell dhe të ngrohtë, si rrallë ditë në kohë dimri, pasi përcillnim teta Xhanon e dashur për në banesën e fundit. Qindra krijues, bashkëpunëtorë, fëmijë, miq, dashamirës, për më se dy orë atë ditë kaluan në heshtje bri saj, rrethuar nga kurorat me lule mirënjohjeje, aty në sallën e Muzeut Kombëtar, për t’i dhënë lamtumirën e fundit duke i thënë “faleminderit”. Jam i sigurt, njëherazi, në ato çaste, ata kanë risjellë thellë-thellë në hapësirën e pamasë të kujtesës, gjithsecili e të gjithë së bashku, kalimthi: copëza jete, copëza arti, copëza fjalësh, copëza filmash, copëza ndjenjash të asaj force vitale që na bën të ndihemi pjesë e një jete në vetëmohim.
Flatëro, legjendë e bukur, flatëro!

GENTIAN BASHA

“Kur xhirohej një film”

(Genci – “Kur xhirohej një film”)
S’e mbaj mend ç’ditë ishte kur babai më çoi te vendi i takimit. Mbaj mend vetëm që ai po më çonte të takonim atë tetën që bënte filma për fëmijë. Kur arritëm në Pallatin e Pionierëve, pashë shumë moshatarë të mi me prindërit e tyre që rrinin në oborr. Ndërkohë që prisnim dhe unë shikoja pa ditur ku dhe kë nga padurimi, më mbetën sytë te një grua me trup mesatar dhe një libër të madh në dorë që takonte dhe bisedonte me prindërit e fëmijëve, pastaj i merrte fëmijët nga dora e tyre dhe hynte bashkë me ta pas një dere prej nga dilte disa minuta më pas po me ta. Kështu vazhdoi derisa, në një nga daljet prej asaj dere, ajo erdhi drejt nesh. “Kjo duhet të jetë”, mendova me vete dhe pashë nga babai. Ata u përshëndetën, pastaj ajo më përkëdheli flokët, u përkul, më pa në sy, dhe, më pyeti nëse dëshiroja të luaja në film. Unë pohova me kokë, pasi nuk dija ç’t’i thosha. Ajo u ngrit, më mori për dore dhe u drejtua nga dera ku kishte hyrë sa e sa herë atë pasdite. Në fund të korridorit të gjatë hymë në një dhomë, foli me një burrë që po fotografonte një fëmijë, priti sa ai më bëri disa fotografi, dhe më tërhoqi në anë të dhomës. U ul përballë meje, më lexoi një tekst të shkurtër dhe kërkoi që unë t’ia përsërisja. Çuditërisht, unë ia përsërita menjëherë. Pastaj më kërkoi të përsërisja edhe diçka tjetër nga teksti. Këtë radhë ajo buzëqeshi dhe, duke më përkëdhelur faqet, më tha: “Të lumtë!”. Duket portreti dhe zëri im e bindën dhe bënë të mos e humbiste shpresën te talenti im. Nga ai çast nuk i harrova më as fytyrën, as zërin dhe as buzëqeshjen e asaj gruaje që u bë shumë e dashur për mua. Po atë ditë mësova se ajo e kishte emrin “teta Xhano”. Ky ka qenë kontakti im i parë me gruan e filmit që njihet edhe sot pas kaq vitesh me këtë emër.

GJERGJI SOLLAKU

Gjatë xhirimeve të filmave “Beni ecën vetë”

(Goni – “Beni ecën vetë”)
Unë mendoj se në moshën dhjetëvjeçare njeriu është në gjendje ta vizatojë portretin e personit me të cilin fati e sjell të njihet apo të bashkëpunojë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një emër shumë të njohur dhe që ka lënë gjurmë të thella në jetën tënde, siç është ai i teta Xhanos.
Duke rikujtuar copëza bashkëpunimi me teta Xhanon, ende dhe sot më vjen se dëgjoj zërin e saj të butë që më këshillonte vazhdimisht për të qenë sa më i natyrshëm përpara kamerës: “Gjergji, jetoje momentin si të të vijë ty, dhe jo si është shkruar në skenar; mendo që gjithçka ndodh këtu është e vërtetë, vepro dhe sillu siç veprojnë dhe sillen fëmijët, harroje që ke kamerën përpara dhe dhjetëra njerëz pas saj, dhe ti do jesh Goni që duam të gjithë ne”. Nëse roli im është pëlqyer, ju siguroj, meritat dhe lavdërimet i takojnë në radhë të parë teta Xhanos që besoi te vetja dhe unë, e që me durim dhe këmbëngulje arriti të më japë formën e duhur dhe të më unifikojë me gjithë fëmijët e tjerë.
Sot, sa herë i shoh filmat e teta Xhanos, gjithnjë e më mirë kuptoj që ata janë dëshmi e realitetit deri në detaje të hollësishme e të spikatura edhe të problemeve që vazhdojnë t’i shoqërojnë fëmijët dhe shoqërinë tonë; gjithnjë e më mirë kuptoj që gjithë ajo thjeshtësi perceptimi, gjithë ajo natyrshmëri interpretimi, gjithë ajo botë fëminore ka mbrapa punën e palodhshme të kësaj zonje të “hekurt” që arrinte të udhëhiqte grupet e saj të xhirimit drejt suksesit të radhës. E quajta të “hekurt” sepse këmbëngulja për të arritur maksimalen e mundshme te çdo film ishte e admirueshme dhe kërkonte energji të mëdha e karakter të fortë, cilësi këto që nuk i munguan asnjëherë teta Xhanos. Në fund të fundit, fakti që të gjithë filmat e saj në vite janë mirëpritur dhe vazhdojnë të mirëpriten, tregon se këmbëngulja dhe puna e teta Xhanos nuk shkuan dëm. Përkundrazi. Sot ata i bëjnë nder më shumë se teta Xhanos vetë, ne të gjithëve.

HERION MUSTAFARAJ
(Beni – “Beni ecën vetë”)
“Herion, kam një lajm të bukur për ty!… Unë dua të vij në shtëpinë tënde e të takoj mamin tënd, sepse kam vendosur të të marr për të luajtur rolin e Benit. Je i kënaqur?”, më tha një ditë ajo pas kinoprovës në Kinostudio. Kanë kaluar më shumë se tridhjetë e pesë vite nga ajo kohë, por lajm më të bukur sa ai që më dha teta Xhano atë ditë, mund të them se nuk më ka dhënë askush deri më sot. Më ka marrë malli shumë për të dhe çdo ditë e më shumë ndiej keqardhje që nuk e kam më pranë me fjalën dhe afërsinë e saj. Atëherë, por jo vetëm atëherë, kur jam ndodhur pranë saj, jam ndier kurdoherë i sigurt, i mbrojtur, i qetë.  Më kujtohet që kur shkuam në Vithkuq, flinim në një dhomë dhe ajo më lexonte libra me përralla derisa më vinte në gjumë. Ndërsa në xhirim… Nuk e kam mësuar ndonjëherë arsyen, por sot që e mendoj, kam përshtypjen se teta Xhano ishte pak supersticioze. Ndryshe nuk kishte pse më mbante aq pranë vetes edhe kur nuk xhironte me mua dhe nuk kishte pse më përkëdhelte kokën butësisht sa herë mërzitej në sheshin e xhirimit apo i bërtiste dikujt që nuk u përgjigjej kërkesave të saj. Ndoshta mendonte se unë i sillja fat, mbarësi. Nuk e di. Ja pse edhe sot, pas kaq vitesh, brenda meje dashuria për teta Xhanon ka mbetur e njëjtë me dashurinë për mamanë dhe gjyshen time. Kjo grua gjeniale që meriton të ngrihet në piedestal, sepse atje e çoi artin e saj filmik, më mungon shumë dhe pa të ndihem i varfër. Por, jam i bindur se ajo u mungon edhe gjithë fëmijëve me të cilët punoi, pasi na deshi me të njëjtën dashuri që deshi dhe fëmijët e saj. Kemi qenë me fat që të gjithë bashkë kemi pasur një nënë të tillë. Teta Xhano ishte një ëndërr për artin kinematografik shqiptar, një ëndërr që sa më tepër kalon koha, aq më legjendë bëhet. Unë në jetën time nuk kam takuar njeri të dytë që të ketë pasur virtytet, talentin dhe mjeshtërinë e saj në art. Ja për shembull: mua personalisht më bëri nga një fëmijë me brengë në zemër, në Benin e famshëm. Nëse pranojmë që arti është magjik, teta Xhano është magjistarja më e madhe e botës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura