Testimi i infermierëve, dalin datat për spitalet bashkiake

Sep 1, 2015 | 13:18
SHPËRNDAJE

Në datat 4 dhe 5 shtator do të kryhet testimi i infermierëve që punojnë në spitalet bashkiake të vendit. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, bën me dije për gazetën se është gati kalendari i orareve, përkatësisht për 28 spitale. Ndërkohë janë rreth 1300 infermierë që do t’i nënshtrohen vlerësimit të njohurive.

Beqaj gjatë një takimi me infermierët
Beqaj gjatë një takimi me infermierët
“Këtë fundjavë, përkatësisht të premten dhe të shtunën, do të zhvillohet testimi për infermierët e spitaleve bashkiake. Ne kemi gati edhe kalendarin e orareve për 28 spitalet, që do t’ia vëmë në dispozicion secilës drejtori për koordinimin e pjesëmarrësve. Janë rreth 1300 infermierë që pritet t’i përgjigjen iniciativës për vlerësim të njohurive”, tha Ekonomi.

Testimi i tyre vjen pas testimit të infermierëve në pesë spitalet universitare dhe 11 spitalet rajonale të vendit. Ndërkohë pritet që pas mbylljes së kësaj faze të vijohet me infermierët e shërbimit parësor.

PROVIMI
Teza ka në përmbajtje të saj 35 pyetje dhe do të jetë një orë kohë në dispozicion për plotësimin e përgjigjeve. Zv.ministrja sqaron se do të ndiqet e njëjta praktikë e aplikuar me infermierët e spitaleve terciare dhe atyre rajonale. Secili prej punonjësve do të ketë mundësi të tërheqë një tezë, e cila ka të shënuar vetëm numrin rendor dhe asnjë tregues tjetër për identifikimin e tyre.

Në këto kushte, infermierët që do të marrin pjesë në testim nuk duhet të shqetësohen për rezultatin, sa kohë ai nuk cenon vendin e punës. Në fund të muajit shtator, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me pikët e grumbulluara. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka theksuar edhe një herë se ky provim dhe të dhënat e përftuara prej tij janë në kuadër të përfshirjes rishtazi të trupës së infermierëve në programin e edukimit në vazhdim.

TË PËRJASHTUAR
Nga provimi që provokoi jo pak debate përjashtohen infermierët që duan edhe tri vite të dalin në pension, si edhe ata që janë licencuar në vitin 2014, pra, që kanë vetëm një vit që kanë nisur punën. “Në testim nuk do të marrin pjesë ata infermierë burra që kanë lindur përpara 1 janarit të vitit 1953, si edhe gratë infermiere të lindura përpara 1 janarit të vitit 1958. Veç kësaj, nuk do t’i nënshtrohen testimit të njohurive të gjithë ata infermierë që janë licencuar një vit më parë, pra, në vitin 2014″, bëhet e ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

SPITALET RAJONALE
Një javë më parë ishin infermierët e 11 spitaleve rajonale që iu nënshtruan testimit. Konomi bën me dije se rezultatet e tyre do të shpallen pas dy javësh. “Do të ndiqet e njëjta metodë, sikundër me infermierët e spitaleve universitare. Kjo do të thotë që shpallja e rezultateve nuk do të marrë kohë. Me shumë gjasë, pas dy javësh, infermierët që morën pjesë në testim do të kenë mundësi të njihen me pikët e fituara”, tha më tej zv.ministrja.

Ndërkohë ende nuk ka asnjë sinjal për provimin e mjekëve. Pikëpyetje mbetet fakti nëse do të ketë testim për mjekët apo jo. Kjo pasi provimi i përshpejtuar i infermierëve u argumentua me faktin se rezultatet do t’i shërbenin përcaktimit të kritereve me të cilat do të futeshin infermierët në ciklin e dytë të programit për edukimin në vazhdim.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura