Testim e certifikim të gjithë mësuesve deri në muajin maj

Nov 28, 2014 | 13:59
SHPËRNDAJE

Rama dje gjatë konferencës për maturën
Muaji maj i vitit që vjen do të shënojë përmbylljen e kapitullit për testimin dhe certifikimin e të gjithë mësuesve në vendin tonë. Kështu, me largimin e mësuesve që nuk kishin arsimin e duhur dhe një pjesë të atyre që rezultuan jashtë profilit, vëmendja do të përqendrohet tek ata që janë me arsimin përkatës dhe japin mësim në profilin për të cilin janë diplomuar. Të gjithë, pa përjashtim, do t’i nënshtrohen një provimi kombëtar, pavarësisht viteve të punës që mbajnë mbi supe apo kualifikimeve që kanë fituar. Një fakt i tillë u pohua nga Kryeministri Rama. I pranishëm në aktivitetin për vlerësimin e shkollave më të mira sipas raportit të Maturës Shtetërore, Rama tha se deri në fund të muajit maj të vitit 2015 do të bëhet provimi i të gjithë mësuesve që janë në sistem. “Ne jemi të vetëdijshëm që problem në sistemin tonë arsimor nuk janë vetëm mësuesit jashtë profilit dhe ato pa arsimin përkatës, që sikundër thashë do të ndahemi në dhjetor. Problem janë edhe mësuesit me shkollën përkatëse dhe profilin përkatës, por që nuk janë në lartësinë e vendeve dhe shpresave të prindërve dhe të fëmijëve që shkojnë në shkollë dhe për këtë arsye deri në fund të muajit maj do të testohen dhe do të certifikohen të gjithë mësuesit në sistem. Pra, praktikisht ne do të arrijmë brenda këtij viti shkollor të ndërtojmë një trupë, e cila do të jetë aty falë meritës”, tha Rama, duke lënë të nënkuptohet se me ata që nuk ia dalin do të ndërpritet kontrata e punës.
VENDET VAKANTE
Dje ka përfunduar afati për regjistrimin e të gjithë kandidatëve që duan dhe janë të interesuar të fitojnë një vend si mësues. Ministria e Arsimit ka shpallur 2278 vende vakante për 24 profile. Në tabelën përbri janë vendet bosh për secilin prej profileve. Sipas Ministres Nikolla, në portalin e çelur nga MAS në javën e dytë të muajit nëntor kanë aplikuar 7475 kandidatë. Nikolla nënvijëzoi se pjesa më e madhe e mësuesve kanë shprehur vullnetin për të punuar edhe në zonat periferike apo jashtë qytetit. “Në portalin që Ministria e Arsimit hapi janë regjistruar 7475 kandidatë për mësues për 2278 vende vakante në të gjithë Shqipërinë të publikuara për çdo zyrë dhe çdo drejtori arsimore. Aplikime në të gjitha profilet, madje në disa profile shumë më shumë sesa janë vendet vakante. Rreth 90% e aplikantëve kanë mbaruar studimet pas vitit 2000, që tregon që janë mësues të rinj. Nga këta aplikantë, 59.8% janë të gatshëm që të shërbejnë edhe jashtë vendbanimit. Vetëm nga aplikantët e Tiranës 85% e tyre shprehin gatishmërinë që të punojnë jashtë qytetit të Tiranës”, tha Nikolla.

EMËRIMET
Pika më e diskutuar dhe më e ndjeshme mbeten emërimet e mësuesve, që mesa duket edhe kjo praktikë do të reformohet. Duke ironizuar, Rama u shpreh se do të konsiderohet e perënduar koha kur drejtorët rajonalë të arsimit emëronin duke kërkuar para apo duke hequr një me përvojë për të vendosur në vend të tij një të afërm apo të njohur. “Asnjë drejtor rajonal dhe asnjë drejtor i zyrës arsimore nuk do të ketë shansin që t’i thotë një drejtori që do edhe dy muaj që të dalë në pension ik ti tani se do të vijë një shoqja ime. Apo ti thotë një mësueseje me 15 vite eksperiencë, çohu ti tani dhe shko në fshatin filan sepse në vendin tënd do të vijë kunati im. Këto praktikisht mbarojmë dhe çdo mësues i Republikës së Shqipërisë do të ketë licencën e vet që do të jetë një dokument që do të përmbajë aty brenda kuotat që burojnë nga vlerësimi”, theksoi Kryeministri. Edhe për ministren Nikolla, largimi i mësuesve pa arsim përkatës dhe jashtë profilit do të pasohet me ndërtimin e një sistemi të shëndetshëm emërimesh.

VENDET VAKANTE
Profili i Testimit Vende Vakante
Arsim Fillor 440
Arsim parashkollor 175
Arsim profesional 4
Arsim special 0
Art pamor 31
Art pamor për shkollat artistike 4
Balet për shkollat artistike 0
Biologji 57
Edukim fizik 576
Ekonomik (Gjimnaz) 7
Fizikë 38
Gjeografi 21
Gjuhë angleze 232
Gjuhë frënge 31
Gjuhë gjermane 1
Gjuhë Italiane 13
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 118
Histori 59
Kimi 17
Matematikë 278
Muzikë 88
Muzikë për shkollat artistike 9
Shkenca shoqërore 35
Teknologji Inform. Komunikimi 47

Rama vlerëson “Ismail Qemalin”, në shkurt shkarkoi drejtoreshën
Analiza e Maturës Shtetërore e kryer nga Ministria e Arsimit nxori në pah dhe shkollat me performancën më të mirë. Ato të cilat korrën rezultatet më ta larta, bazuar kjo në vlerësimin që morën maturantët në provimet e lëndëve me zgjedhje dhe ato me detyrim. Shkolla “Ismail Qemali” u rendit e para në 10 shkollat e mesme publike që rezultuan më të mirat. Kryeministri Rama, në mbyllje të aktivitetit shpërbleu me certifikata vlerësimi 10 drejtorët respektivë për secilën nga shkollat. Mund të duket ironi e fatit, por Kryeministrit iu desh të pranonte arritjet e gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet dhe t’i dorëzonte personalisht drejtoreshës së re certifikatën e vlerësimit, kur në muajin shkurt kishte larguar nga puna titullaren e mëparshme të kësaj shkolle. Pushimi dhe zëvendësimi i Vojsava Thanasit u bë 5 muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Shkak për këtë largim të menjëhershëm ishte një konflikt i saj me Ramën gjatë zgjedhjeve të 2013-s. Asokohe Rama akuzoi drejtoreshën për përfshirjen e nxënësve në fushatën e Partisë Demokratike. Në bisedën telefonike të shkëmbyer me Thanasin, Rama e kërcënoi se të gjithë ata që abuzonin me detyrën dhe pushtetin do të ndëshkoheshin pas 23 qershorit. Gazeta publikoi mesazhet e shkëmbyera ndërmjet saj dhe Kryeministrit Rama. Në fund të muajit shkurt, Drejtoria Arsimore e Tiranës i komunikoi Thanasit vendimin për largimin e saj nga puna. Në intervistën e dhënë pas pezullimit, Vojsava shprehte keqardhje për këtë largim. Ajo e parapriu këtë arritje pozitive të Maturës kur tha se shkolla po ecte shumë mirë. Në ceremoninë e djeshme u shpërblyen me certifikata vlerësimi edhe 10 shkolla të mesme jopublike. Gjatë ndarjes së certifikatave nuk mund të mos binte në sy fakti që 7 nga titullarët e gjimnazeve që u renditën si më të mirët ishin femra.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura