Test me tredhëmbësh, Panuçi jep idetë e para të formacionit ndaj Norvegjisë

Mar 22, 2018 | 10:02
SHPËRNDAJE

Ekipi Kombëtar i futbollit po vijon për gatitjet me intensitet të lartë në kuadër të përballjes miqësore me Norvegjinë, ndërsa trajneri Panuçi po përpiqet të ndërtojë skuadrën, me të cilën do të zbresë në fushë nga minuta e parë. Italiani po tenton të fusë një modul tjetër në ekipin Kombëtar.

Kombetarja2

Ndryshe nga çka jemi mësuar të shikojmë, një Shqipëri që më së shumti kërkon të mbrohet, tashmë pritet që nën drejtimin e Panuçit, kuqezinjtë të luajnë në sulm, diçka që më herët nuk ishte përdorur shpesh.

MODULI

Ndaj Norvegjisë pritet të shohim një skuadër “moderne”, me tre sulmues të deklaruar. Ndonëse ka disa ditë në dispozicion, Panuçi po ndërton skuadrën e së ardhmes. Ndoshta nuk është përfundimtare sa u përket lojtarëve që do të zbresin në fushë ndaj Norvegjisë, por nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria do të luajë me modulin 4-3-3 në përballjen e së hënës, në “Elbasan Arena”, me nordikët.

Formacioni A

Gjatë seancës përgatitore të pasdites së djeshme, duke e ndarë grupin në dy ekipe, italiani provoi modulin 4-3-3, i cili duket se funksionon në mënyrë perfekte. Panuçi ka dëshirë dhe qëllim që të bëjë të mundur që skuadra të mësohet me këtë modul, por edhe të luajë disa metra më lart në fushë.

FORMACIONI

Italiani provoi dje Strakoshën në formacionin e titullarëve, Mavrajn dhe Gjimshitin në qendër të mbrojtjes, të mbështetur nga e djathta me Hysajn dhe Lenjanin në krahun e majtë, që më herët ishte blinduar nga Ansi Agolli. Mesfusha e vendosur në vijë të drejtë përbëhej nga Qaka në krahun e majtë, Ramadani në qendër dhe Xhaka në të djathtë. Ndërsa në sulm, Panuçi rreshtoi treshen: Grezda djathtas, Sadikun në qendër dhe Roshin në krahun e djathtë.

Formacioni B

Ndërsa në krahun tjetër, u aktivizuan Berisha, Prenga dhe Ajeti në qendër të mbrojtjes, të mbështetur nga Aliji në të majtë dhe Lika në krahun e djathtë. Ndërsa më mesfushë u rreshtuan Lila djathtas, Lilaj në qendër dhe Abazaj në krahun e majtë. Sulmi përbëhej nga Latifi-Balaj (Cikalleshi) e Gavazaj. Gjithçka mund të ndryshojë gjatë seancave përgatitore në vazhdim deri të hënën, por skuadra po përgatitet për modulin 4-3-3.

PËRGATITJET

Kombëtarja po ushtrohet me kapacitet të plotë me nga dy seanca stërvitore në ditë: paradite dhe pasdite. Gjatë dy seancave të zhvilluara dje, Panuçi kishte në dispozicion të gjithë grupin që ka thirrur për këtë ndeshje miqësore me Norvegjinë. Fatmirësisht, grupi është në dispozicion. Berisha, Hysaj dhe Gjimshiti që munguan të martën, dje iu bashkuan grupit.

IMG-20180320-WA0058

Në seancën stërvitore të paradites, stafi kishte programuar ushtrime të lehta fizike, kryesisht akrobatike dhe vrapime të lehta dhe shumë pak ushtrime me top. Krejtësisht ndryshe ishte përmbajtja e seancës së pasdites, ku mbizotëroi taktika e përgatitur nga italiani Panuçi. Pas rreth 15 minutave nxehmje të zakonshme, italiani i pankinës shqiptare urdhëroi që grupi të ndahej në dy skuadra, me qëllim për të implementuar idetë dhe skemat e tij.

Pasi ka zhvilluar disa minuta lojë (me ndërprerje kur diçka nuk shkonte sipas planit të Panuçit), me të gjithë fushën në dispozicion, italiani vuri në zbatim edhe disa skema. Kryesisht iu dha rëndësi goditjeve standarde, sikurse janë goditjet e lira dhe goditjet nga këndi. Dihet që nordikët shquhen për luftën në ajër, ndaj Mavraj dhe Gjimshiti morën udhëzime të qarta nga trajneri Panuçi. Fatmirësisht, të dyja seancat e djeshme nisën dhe përfunduan pa asnjë incident.

Nga Durrësi, LEONIDHA MUSAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura