Terrori komunist, mes rrëfimeve të viktimave

Feb 20, 2015 | 16:59
SHPËRNDAJE

Kolana

Zërat e kujtesës rikthehen në të tashmen për të mos harruar. “Ad memorandum” vjen me një tjetër kolanë dëshmish prej rrathëve të ferrit komunist.

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit promovon një kolanë prej dhjetë librash, memuaristikë, enciklopedikë, publicistikë, por edhe artistikë. Me synimin për të dokumentuar pasojat e komunizmit, ISKK ka mbledhur zërat e dëshmitarëve, atyre që ende janë gjallë dhe ruajnë të paprekur në kujtesën dhe lëkurën e tyre terrorin e diktaturës. Një prej këtyre librave është vëllimi i parë me intervista “Zërat e kujtesës”, përgatitur nga Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa, sipas të cilëve “në këto rrëfime, të intervistuarit dëshmojnë background-in e persekutimit nga komunizmi, përvojën në hetuesi, vuajtjen e dënimit në burgje dhe kampe pune ose internimi, dëbimet, përndjekjet si familje a fis, mohimin e të drejtës së votës, punës e sidomos shkollimit, duke hedhur dritë edhe në kapitujt që sa vijnë dhe fashiten nga memoria historike për shkak të distancës kohore nga momenti i ngjarjes. Falë përshkrimeve të detajuara, situatave konkrete dhe emrave konkretë, intervistat krijojnë një arkiv të gjallë dhe interesant të dhënash, dhe njëkohësisht shumë të besueshme për studiuesit, për rikonturimin e ngjarjeve”. Sipas tyre, për fat të mirë, janë ende gjallë me mijëra të mbijetuar nga burgjet dhe kampet e punës, të cilët mund të hedhin dritë mbi historinë e një periudhe që ende nuk është trajtuar si duhet nga historiografia shqiptare. Në vijim të një pune voluminoze të nisur vite më parë, vjen vëllimi i tretë (nga gj-h) i “Fjalorit enciklopedik të viktimave të terrorit komunist”. Pas botimit të pjesës së dytë të Fjalorit, në fund të vitit 2013, një ekip i ISKK prej katër vetash mori përsipër punën për volumin e tretë të tij. Projekti mbështetet nga Fondacioni “Konrad Adenauer” në Tiranë. Në rrafshin publicistik vijnë libri “Mbi kolaboracionizmin dhe shkrime të tjera” i Mërgim Korçës, apo “Koha e kugatit” nga Nebil Çika.

DOKUMENTET 

Të ftohta dhe të pamëshirshme janë materialet arkivore, dokumentet, të cilat na flasin për historinë, pa pasur nevojë për shumë komente. “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945″, i përgatitur nga Çelo Hoxha, është një prej këtyre librave”. Libri ofron rreth 150 letra e telegrame, që krerët e Luftës Nazifashiste i dërgonin njëritjetrit.

Letra që mbajnë firmën e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Gogo Nushit, Koçi Xoxes, Nako Spirut etj. Janë urdhra dhe raportime për veprime luftarake, ku jo rrallëherë flitet për vrasje në masë edhe të njerëzve që nuk kanë qenë detyrimisht kolaboracionistë. Një rëndësi të veçantë paraqet libri dokumentar “Komunitetet fetare në Shqipërinë komuniste”, përgatitur për botim nga Azem Qazimi. Ky studim, bazohet mbi dokumente për historinë e fesë në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Në këtë vëllim përfshihen ligje, dekretligje, njoftime e vendime të institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe statute të komuniteteve fetare në këtë periudhë. HISTORI PERSONALE Historitë personale zënë një vend të rëndësishëm në kolanën e botuar nga ISKK. Ato dëshmojnë jo vetëm vuajtjen e individit, dëshmojnë se sa e pambrojtur dhe e pavlerë konsiderohej jeta e tij, por të gjitha së bashku, ato na japin një tablo të pasur të jetës nën komunizëm.

I tillë është “Gjallë pas mbytjes së anijes” që sjell dëshmitë e Maksim Rakipajt, përjetimet e tij nga burgjet e Ballshit, Spaçit dhe Qafë Barit, ku ai ka vuajtur dënimin në moshë të re, por dhe jeta para e pas daljes nga qelia. Në të njëjtën linjë vijon edhe “Të falësh…” i Sofika Carës, një rrëfim biografik, ku historia personale ndërthuret me historinë kolektive në Shqipërinë komuniste. Bijë e një familjeje të mesme në Fier, por martesa me Bardhin, që vinte nga një familje nacionaliste kavajase në vitin 1961 bëri shkëputjen e saj të pamëshirshme nga trungu prindëror, për të mos u takuar me njerëzit e gjakut të saj për më shumë se tri dekada. Nga Kavaja kalojmë në Shkodër, te historia e Henrik Prendushit: “Breza të dënuar; ferri i një familjeje shqiptare”. Jeta e Henrik Prendushit do të ndryshonte pas ardhjes në pushtet të komunistëve, vetëm sepse i përkiste një familjeje borgjeze.

U privua nga pasuria dhe iu hoq çdo mundë- si për të realizuar ëndrrat e tij, si të studimeve, ashtu dhe të profesionit. I destinuar që të punonte në bujqësi dhe në punët më të rënda, nuk deshi që t’i përkulej regjimit dhe për këtë arsye, vuajti dënimin me burgim dhe në kampet e punës së detyruar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura