Terror në vilën e biznesmenit/ 10 persona me kallashnikovë i morën peng familjen, i prenë gishtin dhe i vjedhin 100 mijë euro! Kush është Nazmi Çangu

Oct 25, 2021 | 10:05
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Një biznesmen dhe familja e tij janë terrorizuar mëngjesin e së dielës nga grabitës të armatosur dhe të dhunshëm.

Autorët të maskuar kanë hyrë në ambientet e brendshme të vilës së biznesmenit, Nazmi Çangu, duke ushtruar dhunë ndaj këtij të fundit dhe familjarëve të tij dhe më pas janë larguar duke marrë rreth 100 mijë euro në valutë dhe sende me vlerë.

Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Nikël të Fushës-Krujës. Policia tha se ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, të cilët, sipas biznesmenit, dyshohet të kenë qenë afërsisht dhjetë persona.

“Më datë 24.10.2021, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur me dhunë një shumë parash në banesën e shtetasit N. Ç. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, po punojnë intensivisht nën drejtimin e Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Krujë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, sqaroi shkurtimit Policia lokale.

Biznesmeni Nazmi Çangu, i cili disa vite më parë ka punuar në Policinë e Shtetit dhe konkretisht në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, ka deklaruar se ka rezistuar për të mos u dhënë çelësin e kasafortës ku mbante paratë dhe sendet me vlerë, por ata e kanë lidhur, goditur dhe më pas i prenë gishtin e dorës. Kryefamiljari është gjetur në gjendje të fikëti nga vajza dhe pjesa tjetër e familjes, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të paditur.

GRABITJA

Disa persona të maskuar dhe të armatosur dhe që sipas biznesmenit ishin 10 u futën në vilën e familjes Çangu nëpërmjet derës së pasme teksa familja ishte në gjumë. Mësohet se pjesëtarët e familjes kishin qenë mbrëmjen e së shtunës në një darkë familjare dhe ishin kthyer në banesë rreth orës 23:00. Rreth dy orë më vonë, ndërsa ata po flinin, grabitësit kanë organizuar aksionin e pazakontë për shkak të numrit të madh të tyre. Autorët hyjnë në ndërtesë rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, duke terrorizuar familjen dhe duke marrë shumën e madhe të parave.

Nuk dihet ende se pse familja Çangu mbante një sasi të tillë parash në banesë dhe nuk i kishte depozituar në bankë. Autorët dyshohet se kanë pasur informacion, pasi kanë ditur me saktësi edhe ambientet e brendshme të vilës, duke u ndarë në disa dhoma për të neutralizuar të gjithë anëtarët e familjes. Disa prej autorëve u përqendruan te dhoma e gjumit të biznesmenit, aty ku edhe ndodhej kasaforta me para dhe brenda së cilës kishte edhe sende me vlerë. Menjëherë ata kanë goditur Nazmiun, duke i kërkuar që të mos bënte asnjë veprim pasi kishin rrethuar të gjithë vilën dhe kishin neutralizuar të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes. Ata i kërkuar atij që të jepte kodet e kasafortës.

“JEMI POLICË”

Mësohet se grabitësit e armatosur, janë prezantuar fillimisht si efektivë Policie dhe se mbante rroba të ngjashme me ato të Forcave të Rendit. Biznesmeni fillimisht ka refuzuar të bashkëpunonte për t’u treguar çelësin e kasafortës, por autorët nisën të kontrollonin nëpër raftet e orendive që ndodheshin në dhomën e gjumit. Gjatë kontrolleve, ata kanë gjetur një zarf me afro 10 mijë euro dhe çelësin e kasafortës. Më pas e hapën atë dhe e boshatisën. Sipas biznesmenit autorët u larguan me të paktën 100 mijë euro në valutë dhe sende me vlerë.

TERRORI

Familja Çangu është terrorizuar për disa minuta, të cilat, sipas tyre, ishin momentet më të vështira të jetës së tyre. Ata deklaruan se kur hapën sytë kishin automatikun te koka. Kërcënimet e autorëve ishin të vazhdueshme. Në disa raste nuk mbeteshin në kuadrin e kërcënimeve, por edhe të veprimeve konkrete siç ishte dhunimi i kryefamiljarit dhe prerja e gishtit të dorës me një palë gërshërë. Teksa në njërën dhomë mbanin biznesmenin, bashkëshortja dhe katër fëmijët i kyçën në një dhomë tjetër dhe ata dëgjonin klithmat e kryefamiljarit që po torturohej në dhomën ngjitur.

Për fatin e mirë të fëmijëve dhe vetë çiftit, gjithçka mori fund kur autorët gjetën çelësin e kasafortës dhe pasi e boshatisën u larguan, duke lënë në gjendje të fikti Nazmiun. Kur familjarët e tjerë arritën të dilnin nga dhoma ku mbaheshin të kyçur e gjetën Nazmiun në tokë të mbuluar në gjak dhe në gjendje të rënduar shëndetësore. Fillimisht familjarët kujtuan se autorët e kishin vrarë, por për fat të mirë kryefamiljari reagoi duke u transportua më pas në drejtim të spitalit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kush është biznesmeni që ra pre e grabitjes me armë zjarri

Nazmi Çangu ka punuar në radhët e Policisë së Shtetit vite më parë dhe kishte braktisur profesionin për t’u futur në rrugën e biznesit. Ai kishte ngritur një punishte mobilierie në fshatin Nikël të Fushë-Krujës. Në vitin 2016, ai ka qenë një prej dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj Emiliano Shullazit. Ai ka pohuar atëherë se kishte njohje me Ylvi Beqajn, i cili denoncoi grupin e Shullazit se i kishte kërkuar me forcë dhënien e 20% të pronësisë së ish-hotel Vollgës në Durrës.

Biznesmeni Çangu deklaronte se i kishte dhënë para borxh biznesmenit tjetër, Ylvi Beqajt. Gjithashtu, Nazmi Çangu rezulton të jetë arrestuar më 9 shkurt të vitit 2017, pasi kërcënoi një prokuror në Gjykatën e Krujës pas arrestimit të të birit. Në atë kohë, Policia i gjeti 76 kg kanabis në banesë. Shkak i kërcënimit ishte bërë kërkesa e prokurorit për dënimin me 8 vite burg të djalit të Nazmi Çangut, Muhamet Çangu, nën akuzën e shitjes së narkotikëve. Ndërkohë, ka dyshime të forta se Çangu jepte shuma parash me fajde kryesisht në zonën ku jetonte.

Pas grabitjes së dhunshme, Policia ka sekuestruar aparatin celular të biznesmenit. Grupi i hetuesve ka administruar dëshminë e tij në lidhje me karakteristikat fizike të autorëve apo dyshimet që ai mund të ketë. Policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së vilës së biznesmenit, por autorët kanë qenë të maskuar, çka vështirëson identifikimin e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura