Terror në Astir/ Ç’ndodhi në 12 orë përleshje e përplasje me gaz e molotov. Pas dhunës bien 33 shtëpi

Nov 13, 2019 | 8:16
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Ajo që prej një viti i druhej një lagje e tërë në Astir, ndodhi. Mëngjesin e së martës, ende pa u gdhirë mirë, në shtëpitë e banorëve që preken nga projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe, mësynë mjetet e rënda të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit e përpara tyre policë të shumtë, për të neutralizuar rezistencën e banorëve. 

zjarr unaza4

Plot 33 ndërtesa, nga një deri në katër kate u rrafshuan. Ky është bilanci i punës së IKMT-së, në fund të 12 orëve, që nuk u kaluan paq. Gurë, shkopinj, shishe me benzinë, gaz lotsjellës e molotov janë përdorur nga të dyja palët, njëra në mbrojtje të pronës, e tjetri për vendin e punës.

unaza15

PËRPLASJET

E gjithë zona e Astirit, e madje edhe dy akset kryesore të rrugës, u gjendën të blinduara nga Policia e mjete të rënda për prishje nga IKMT-ja, që prej orës 5:30 të mëngjesit të djeshëm. Të përgatitur për këtë ndërhyrje, pas njoftimit të ardhur nga institucionet, dhe pas një nate të gjatë qëndrimi zgjuar për të mos lejuar prishjen e banesave, banorët, të shoqëruar dhe nga të tjerë që nuk prekeshin drejtpërdrejt nga aksioni, nuk mundën të ndalonin ndërhyrjen.

Sapo fadromat u afruan të preknin pasurinë e tyre, pronën, banorët u kundërpërgjigjën duke hedhur në drejtim të Policisë gurë, shkopinj, shishe me benzinë e mjete të ndryshme. Kundrejt tyre, Policia u desh të përdorë gaz lotsjellës. I gjithë aksioni që u mbyll në orën 18:00, u shoqërua me përplasje të dhunshme e arrestime. Orët e para qenë ato më të vështirat.

zjarr unaza1

“Ishim rrethuar nga të katër anët me policë. Hodhën katër herë gaz lotsjellës e dy herë molotov”, shprehet njëra prej banoreve të zonës, duke thënë se do ta kalonte natën jashtë. Ndërsa disa të tjerë, të ardhur nga Kukësi, që kanë prekur nga afër pasojat e dëbimeve masive nga shtëpitë në Kosovë, e paralelizojnë këtë ndodhi me një gjendje të mirëfilltë lufte.

unaza10

“E gjithë skena duket si në 1999-ën kur bënin luftë kundër regjimit të Millosheviçit. Kosova ishte e pushtuar dhe po luftonte për liri. Sot, Shqipëria, 100 vjet shtet, është pushtuar nga krimi i organizuar”.

Të mbetur pa çati mbi krye, në fund të ditës, banorët e dhunuar deklarojnë se do të vazhdojnë të vetmen gjë që u ka mbetur në dorë, betejën ligjore.

SHEMBJA E BANESAVE

Shpallja e fituesit për lotin e parë të projektit për zgjerimin e Unazës së Madhe nga aksi “Pallati me shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja”, çliroi nga pengesat ligjore IKMT-në për të vijuar punën me prishjen e ndërtesave. Ishte ora 9 e mëngjesit kur objektit të parë të shënjuar me kryq në hartën ku kalon Unaza, iu vu ruspa, për ta çuar deri në fund të ditës 33 numrin e objekteve të prishura: 15 njëkatëshe, 11 dykatëshe, 6 trekatëshe dhe një objekt katërkatësh.

unaza6

Por, çështja u agravua sapo banorët panë fadromat e IKMT-së të lëviznin. Përpara se të mbërrinin këto të fundit aty, në vendndodhje kishin asistuar më parë forca të shumta Policie. Dy kordonë të gjatë siguruan zonën afër rrethrrotullimit e deri në brendësi të Astirit, ku do bëheshin prishjet e planifikuara. Nga ana tjetër, të tjerë nga uniformat blu bashkë me ndërhyrjen e shpejtë ishin gatitu për të ndërhyrë, me qëllim për të siguruar që asnjë të mos cenonte punën e inspektoratit. Vetëm 11 orë e gjysmë punë u desh që dhjetëra banesa të bëhen rrafsh me tokën.

zjarr unaza6

Gra e të moshuar, 12 persona të lënduar te Trauma

Banorë e qytetarë kanë mbetur të lënduar nga përplasja e dhunshme midis dy palëve. Spitali i Traumës, i cili ka dhënë ndihmën e parë, flet për 12 persona, midis të cilëve tetë qytetarë dhe pesë punonjës Policie, të stacionuar që prej orëve të hershme të mëngjesit të së martës, për të ndalur rezistencën e banorëve ndaj punonjësve të IKMT-së. “Spitali Universitar i Traumës bën me dije se aktualisht po marrin shërbim 12 persona, nga të cilët 5 efektivë Policie dhe 7 protestues, të lënduar në zonën e Astirit.

banori-unazes se re

Asnjë prej personave të lënduar nuk është në rrezik për jetën. Spitali është në gatishmëri të plotë”, thuhet në deklaratën e shkurtër të Spitalit të Traumës. Isuf Gjata, Artur Muja, Gentjan Alla, Çerçiz Jaçe, Adelina Shehu, Dhurata Shehu dhe Lindita Protoduari janë shtatë emrat e banorëve që mësohet të kenë pësuar fraktura jo të rënda në kokë e trup. Nga ana e Policisë, numri i të dëmtuarve ka qenë më i madh se ai i raportuari, por këta të fundit nuk janë paraqitur në spital për të marrë mjekim.

Përpos dhunës me banorët e prekur nga projekti, nuk kanë munguar përplasjet e Policisë me individë që thjesht dëshironin të kalonin rrugën për në destinacionet e tyre. Bllokimi i një prej akseve rrugore më të rëndësishme në zonën që lidh bllokun e Astirit me pjesën tjetër të qytetit e agravoi situatën edhe më tepër. Shumë fëmijë humbën orën e parë të mësimit, ndërsa punonjës orë pune.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura